Lista e plotë e të dënuarve që u liruan për fushatë
Socialistët publikojnë listën me 32 nga të dënuarit për krime të rënda që përfituar leje speciale pak ditë përpara zgjedhjeve
TIRANË- Partia Socialiste ka denoncuar edhe një herë lirimin e të dënuarve nga burgjet shqiptare vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve të 28 qershorit.
Në dokumentarin e bërë publik gjatë punimeve të Kongresit të jashtëzakonshëm të PSSH-së është zbardhur edhe lista e gjatë e emrave që kanë përfituar liri të përkohshme në këmbim të favoreve që kanë bërë për kandidatët e djathtë në zonat e caktuara.
Lista që po publikohet sot do ti dërgohet edhe kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Presidentit të Republikës Bamir Topi, që ta shqyrtojë dhe të marrë masa për ata punonjës të drejtësisë që kanë ndikuar në dhënien e këtyre lejeve.
"Në kundërshtim me kriteret e përcaktuara në ligj, janë dhënë lejet shpërblyese për të dënuarit, madje edhe për ata që vuajnë dënimin në burgje të sigurisë së lartë.
Personat e poshtëshënuar që vuajnë dënimin me heqje lirie, janë të dënuar për vepra penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore e me masa dënimi shumë të larta, dhe për rrjedhojë, nuk plotësojnë kushtet për të përfituar leje shpërblyese.
Këtyre personave u është dhënë leje 5-14 ditore gjatë muajit qershor",- thanë burimet zyrtare të Partisë Socialiste. Lista e publikuar prej tyre përmban të dënuar për vrasje, shfrytëzim prostitucioni dhe trafik armësh e droge por kjo nuk ka penguar krerët e burgjeve dhe të drejtësisë që të firmosin lirimin e përkohshëm.
Përveç kësaj, zyrtare të lartë të PD-së kanë ndikuar edhe në dhënien e lejeve të veçanta. Në këtë rast ligji parashikon shumë qartë se leje të veçanta mund t'ju jepen personave që vuajnë dënimin me heqje lirie vetëm për arsye shumë specifike, siç janë: raste vdekjesh, martesash apo sëmundje të rënda të rrezikshme për jetën e familjareve të tyre. Verifikimet e Partisë Socialiste kanë zbuluar se më datat 12 qershor, 15 qershor, 16 qershor dhe 17 qershor, janë dhënë në shumicë leje në kundërshtim me ligjin.
Kryesisht lejet janë dhënë se të dënuarit për vrasje kanë pasur "gjyshen të sëmurë" dhe për pasojë duhet të shkonin që ta vizitonin. Në disa raste të tjera lejet janë dhënë për përvjetorë të ndryshëm, edhe pse bëhet fjalë për të dënuar me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Sipas socialistëve, këta të dënuar që kanë përfituar nga lejet kanë ndihmuar "bamirësit" e tyre për të marrë vota në zona të caktuara.
Në disa prej rasteve është ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike mbi individë apo familje të veçanta që dihet se do të votonin kundër qeverisë. Në raste të tjera, të liruarit nga burgu kanë sjellë me vete edhe votat e fisit të tyre, dhe kjo ka nxjerrë në pah një tjetër problem të zgjedhjeve, votimin familjar.
LISTA E PLOTË
Leje shpërblyese
Isa Doçi, dënuar me 6 vjet e 8 muaj heqje lirie për veprën penale të trafikimit të armëve dhe municioneve ;
Marjan Lukaj, dënuar me 13 vjet burg për vrasje;
Shpëtim Beqiri, dënuar më 13 vjet burg për vrasje;
Emiljano Domi, dënuar me 15 vjet burg vrasje;
Artan Goxhaj, dënuar me 25 vjet burg për vrasje;
Arjan Sina, dënuar me 18 vjet burg për vrasje;
Bujar Sinjari, dënuar 17 vjet për shfrytëzim prostitucioni;
Altin Patoku, dënuar 8 vjet për prodhim dhe shitje narkotikësh;
Spartak Kazazi, dënuar 20 vjet për vrasje me dashje;
Skënder Kulla, dënuar 12 vjet për vrasje me paramendim të mbetur në tentative dhe armëmbajtje pa leje;
Ilir Tosku, dënuar me 5 vjet për vrasje të mbetur në tentativë.
Leje të veçanta
Petrit Gjoka, dënuar 12 vjet e 7 muaj për vrasje, i është dhënë leje e veçantë me arsyetimin se ka nënën sëmurë;
Antonin Keci, dënuar 14 vjet për vrasje, i është dhënë leje e veçantë sepse ka babanë e sëmurë;
Ervis Curri, dënuar 8 vjet për vrasje me dashje, leje e veçantë për gjyshen e sëmurë;
Lush Kolndreu, dënuar 17 vjet për vrasje, leje e veçantë për gjyshen sëmurë;
Bardhi Nanollari, dënuar 12 vjet për trafik lëndësh narkotike, leje e veçantë për gjyshen sëmurë;
Luan Isufaj, leje e veçantë për nënën e sëmurë, dënuar 25 vjet për vrasje me dashje;
Gjergji Saliu, dënuar 17 vjet për trafik lëndësh narkotike, leje e veçantë për përvjetorin e vdekjes së babait;
Festim Koçi, dënuar 6 vjet për vjedhje me dhunë mbetur në tentativë;
Florian Pisha, dënuar 8 vjet e 6 muaj për prodhim e shitje të lëndëve narkotike;
Drutan Zhuka, i dënuar 8 vjet për shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese;
Besnik Subashi i dënuar me 16 vjet për vrasje, mbetur edhe 5 vjet e 5 muaj;
Besnik Deda, i dënuar me 16 vjet për vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje;
Ferdinad Lamaj, i dënuar 9 vjet për shfrytëzim prostitucioni;
Gentjan Balla, i dënuar 20 vjet për vrasje me paramendim;
Ivan Kondi, i dënuar 15 vjet për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotikë;
Naim Avdija, i dënuar 10 vjet për vrasje;
Ervin Gërbi, i dënuar 8 vjet për prodhim dhe shitje lëndësh narkotike;
Sokol Uxhi, dënuar 7 vjet e 4 muaj për prodhim të armeve luftarake;
Hajri Hiraj, i dënuar me 10 vjet për trafikim qeniesh njerëzore;
Jasim Sula i dënuar 9 vjet e 4 muaj për trafik armësh e municionesh;
Lista vazhdon dhe me të paktën 25 të dënuar të tjerë.