E Diel, 1 Nëntor 2026

PS, hapet sot Kongresi i jashtëzakonshëm

Majko dhe Klosi: Diskutimet do t’i japin jetë një ndryshimi të madh

Socialistët do të mbledhin sot në orën 11.00, në Pallatin e Kongreseve, Kongresin e jashtëzakonshëm, i cili do të bëjë ndryshimet statutore dhe do të diskutojë për programin. Grupi i punës do të paraqesë si alternativë një material me propozimet që u bënë si në Asamblenë Kombëtare, ashtu edhe nga baza e partisë, të cilat nuk janë reflektuar në dokumentin që u është shpërndarë delegatëve. Ndryshimet statutore do të miratohen në këtë kongres, ndërsa nuk do të ketë votim për programin e partisë. Për këtë dokument do të pranohen diskutime dhe propozime dhe në ditët në vijim dokumenti do të fillojë të pasurohet zonë më zonë të Shqipërisë me ide të reja, ashtu siç ndodhi edhe me programin elektoral të para zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Fillimisht kongresi do të hapet me fjalën e kryetarit të partisë, Edi Rama, i cili do të bëjë një analizë të situatës politike dhe aksionit opozitar të PS-së. Më pas diskutimet do të përqendrohen rreth temës: "Kriza e demokracisë dhe ekonomisë, roli i PS-së në kapërcimin e saj".

Ndryshimet

Pas hyrjes në fuqi të statutit të ri, forca kryesore e opozitës do të përfshihet nga një proces të zgjeruar zgjedhjesh. Statuti i ri i partisë, i cili i propozohet sot Kongresit, i bën kryetarët e rretheve drejtpërsëdrejti anëtarë të Asamblesë Kombëtare të PS-së, duke i dhënë kështu një forcë më të madhe kësaj Asambleje me përfaqësim direkt nga baza e PS-së. Sekretari organizativ i PS-së, Blendi Klosi, deklaroi dje se “zëri i socialistëve në të gjithë Shqipërinë do të vijë drejtpërsëdrejti nga këta përfaqësues në Asamblenë Kombëtare të PS-së. Kjo natyrisht do të sjellë një ripërtëritje të Asamblesë Kombëtare”. Një etapë e re do të nisë për socialistët në kongresin e sotëm edhe sipas Pandeli Majkos. "Do të ketë edhe një frymë diskutimesh dhe përmbajtjesh, do të ketë dhe një tendencë, e cila funksionon brenda çdo partie. Unë këtë e njoh, e kuptoj dhe mendoj se kjo do të mbyllë një sipar për të hapur një sipar tjetër, po në çdo rast ata që mbeten vlera mbeten vlera, ata që krijojnë probleme do të krijojnë probleme. Aktualisht, që dëshiroj të përsëris, te vetja dhe me shokët e mi, është që sot aktualisht ne kemi për njerëz të cilët nuk marrin nga emri i PS-së, duke bërë diçka, po i japin PS”, tha Pandeli Majko. Me këtë kongres socialistët bëjnë publike për herë të parë pretendimet e tyre për kodin e ri zgjedhor, që është përfshirja e emigrantëve në votimin e zgjedhjeve të ardhshme.

"Zgjedhjet e fundit treguan që do të duhej të kishte ndodhur votimi i emigrantëve shqiptarë, në një mënyrë ose një tjetër, duhej gjetur një zgjidhje", vijoi Klosi. Problemet ekonomike që rëndojnë mbi shqiptarët dhe protestat si reagim opozitar do të jenë kryefjalë e kongresit në hapje të tij”, tha sekretari organizativ, Blendi Klosi. Sipas atyre, çfarë janë vënë re në përgatitjen e këtij kongresi, duket se nuk do të ketë ndonjë nismë që të kërkojë të zyrtarizohet për ndryshime në strukturat drejtuese të partisë. Ndaj duket se lëvizjet do të tentohen të shmangen këtë herë, duke mos dashur të anashkalohet vëmendja e opinionit publik nga protesta e radhës, ajo e 30 prillit në bulevardin kryesor të Tiranës.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›