PS i përgjigjet me protesta thirrjes së Bosch
Partia Socialiste nuk do të tërhiqet nga protesta. Pohimi u bë dje nga kryetari i PS-së, Edi Rama, gjatë bashkëbisedimit me gazetarët. Është e padyshimtë që ne jemi në këtë betejë më të vendosur se kurrë dhe do ta vazhdojmë këtë betejë deri në fund, - ka pohuar ai kur është pyetur për deklaratën e ambasadorit të OSBE-së, Robert Bosch. Rama ka shpërfillur në këtë mënyrë apelin e bërë një ditë më parë nga ambasadori i OSBE-së, i cili i bëri thirrje opozitës të reflektojë se me qëndrimet e saj po pengon seriozisht reformat demokratike dhe procesin e integrimit në tërësi. Megjithatë, ai ka shtuar se është i gatshëm të dialogojë me Kryeministrin Sali Berisha pas ftesës së bërë prej tij nga Brukseli. Asnjëherë nuk kemi qenë as si forcë politike, por as unë personalisht si kryetari i partisë më të madhe në vend, kundër çfarëdo lloj tryeze dhe çfarëdo lloj diskutimi në cilëndo instancë, por ndërkohë, për asnjë çast nuk e kemi ndalur dhe nuk do ta ndalim betejën tonë në rrugën e protestave pa ndalim deri në rivendosjen e demokracisë dhe në vënien në funksion të të gjitha instancave dhe institucioneve demokratike në këtë vend, ku kanë rënë zgjedhjet, ka rënë drejtësia dhe po bie me shpejtësi ekonomia, - pohoi dje Rama. Më tej, kryesocialisti ka ritheksuar problemet ekonomike në vend, të cilat, sipas tij, janë për shkak të prishjes së raportit mes qytetarit dhe të zgjedhurve të tij.