E Shtunë, 31 Tetor 2026

Analiza e LDK’së

Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur të analizojë shkaqet lidhur me rezultatin e pakënaqshëm në zgjedhjet e fundit lokale, në mënyrë që të nxjerrë mësime për garën e ardhshme zgjedhore.

Kjo detyrë i është besuar Nënkryetarit Lutfi Haziri, i cili ka qenë Shef i Shtabit Zgjedhor të LDK’së.

Ai tashmë ka dorëzuar në Kryesinë e partisë raportin në të cilin përveç që është analizuar rezultati zgjedhor komunë për komunë, janë dhënë edhe rekomandime.
LDK’ja ka arritur të fitojë më shumë vota në zgjedhjet e nëntorit sesa në vitin 2007, kur humbi primatin e partisë së parë në vend, por nuk ka arritur të kthehet në pushtet në shumicën e komunave.

Anëtarët e Kryesisë janë porositur të mërkurën që raporti të mos rrjedhë në media, ndërkaq komentet për rekomandimet t’i sjellin në mbledhjen e radhës, javën e ardhshme.
Gjakova, Vushtrria, Mitrovica, Peja, Klina dhe Theranda janë disa nga komunat ku LDK’ja nuk arriti të hyjë as në balotazh në zgjedhjet lokale.

Nënkryetari i Parë i LDK’së, Eqrem Kryeziu thotë se rekomandimet e paraqitura nga Haziri do të diskutohen dhe pastaj do të bëhen obligative për strukturat e partisë.
“Po natyrisht në dokumentin e përgatitur janë rekomandimet të cilat janë përgatitur nga Shefi i Shtabit. Këto rekomandime a do të ashpërsohen apo do të zbuten, mbetet të vendoset në Kryesi”, ka thënë Kryeziu, për Express, të premten.

Sipas burimeve të Expressit, LDK’ja do të kërkojë përgjegjësi nga degët dhe liderët lokalë, të cilët kanë pësuar humbje dhe në disa komuna kanë bërë koalicione të “fshehta” me Partinë Demokratike të Kosovës.

Të plotë shkrimin mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës Express.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›