E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli dhe Meta: Forcim dialogut politik Shqipëri-Rusi

Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, pritën dje ambasadorin e Federatës Ruse në Tiranë, z. Leonid Abramov, të cilin e njohën me zhvillimet politike dhe ekonomike të vendit. Z. Meta gjithashtu bëri të qartë vullnetin e qeverisë shqiptare për forcimin e dialogut politik dhe zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. Zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Meta, më tej u ndal edhe në rolin dhe kontributin e qeverisë shqiptare për forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon. Nga ana e tij, ambasadori i Federatës Ruse, z. Leonid Abramov, shprehu kënaqësinë për pritjen e rezervuar dhe e njohu z. Meta me angazhimin që qeveria ruse tregon ndaj Shqipërisë si një vend i një rëndësie të veçantë në rajonin e Ballkanit. Ai gjeti rastin të përsëriste edhe një herë ftesën e bërë nga ministri Lavrov për zv.kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, z. Meta, për të zhvilluar një vizitë në Federatën Ruse në një kohë të përshtatshme. Por në takimin me kryetaren e Kuvendit, ambasadori Abramov deklaroi: Shqipëria dhe Rusia kanë mundësi të pafundme bashkëpunimi. Kryetarja e Kuvendit shprehu bindjen se diplomacia dypalëshe do të njohë një perspektivë të re, duke theksuar se marrëdhëniet tona duhet të shohin nga e ardhmja. Parlamenti është baza e marrëdhënieve mes vendeve dhe popujve, - tha ambasadori rus. Ai theksoi angazhimin e tij personal për të rritur bashkëpunimin parlamentar mes Dumës ruse dhe Kuvendit të Shqipërisë. Kryetarja e Kuvendit nënvizoi se në këtë kohë globalizmi, diplomacia parlamentare është një faktor thelbësor bashkëpunimi duke shprehur interes për koordinimin e një axhende të shkëmbimeve parlamentare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›