PS-ja bojkotoi demokracinë parlamentare
Procesi i votimit për president të Republikës të Shqipërisë pati emocionet e saj të forta. Tërheqja e z. Artan Hoxha nga gara përforcoi idenë e një kandidature politike. Kuptueshëm deputetët e maxhorancës në raundin e IV u mblodhën grusht përreth figurës së z. Bujar Nishani. Procesi i votimit dëshmoi soliditetin e koalicionin qeverisës pa asnjë rrjedhje vote. Ndërsa Opozita u përça thellësisht në qëndrime. Krisja e parë e fortë erdhi nga PBDNJ. Kryetari i kësaj partie z. Vangjel Dule demonstroi një pavarësi totale duke votuar fletë të bardhë si protestë ndaj PS-së, e cila refuzoi të kandidonte liderin historik të saj, Fatos Nano. Partia Socialiste e bojkotoi procesin e votimit edhe pse deputetë e saj qëndronin kokë-ulur në sallën e parlamentit. Ky bojkotim i procesit të votimit i forcës më të madhe opozitare përhapi një emocion tejet negativ. Dëshira për të delegjituar fitoren politike të kryeministrit Berisha u reflektua në poshtërimin që u bëri Rama deputetëve të PS-së me mospjesëmarrje në procesin politik. Vota kundër kandidatit të maxhorancës për president do të kishte nderuar opozitarizmin serioz. Por Edi Rama dëfteu një amatorizëm në gjithë menaxhimin e garës presidenciale. Pastaj refuzimi a-priori i kandidatit konsensual të maxhorancës z. Xhezair Zaganjori për motive të dobëta nga ana e opozitës demonstroi agjendën konfliktuale të saj. Kjo është një çështje në vete.
Megjithatë kreu i opozitës është investuar muajin e fundit në një lojë të rrezikshme për rrëzimin e qeverisë. Me takime natën dhe ditën, me oferta të pafundta për LSI-në, me editoriale kundër kryeministrit Berisha e gjithfarësoj mekanizmash jo parlamentar, Edi Rama humbi në një muaj të gjithë kapitalin fiziologjik opozitar. Rama dukshëm ka qenë i turbullt në strategjinë për të neutralizuar procesin. Ose nuk e ka bërë të qartë atë. Gjithë ato takime e lëvizje për asgjë. Pafuqia intelektuale për të pasur një pozicion të vendosur: çfarë pranon dhe çfarë nuk pranon, ku ishte dakord me ndërkombëtarët dhe ku nuk ishte. Duke ditur dhe njohur njëkohësisht mundësinë që kish maxhoranca për 71 vota pas raundit të III. Pra, kaotik dhe i turbullt.
Sido që të jetë bilanci politik i 7 viteve opozitë me në krye Edi Ramën është tejet negativ. Të gjitha betejat politike kundër kryeministrit Berisha janë minus për kreun e PS-së. Të vetmen betejë që ka fituar gjithë këto vite Edi Rama, dhe është e vetmja që i intereson, është pushteti absolut në parti dhe sado herë të tjera të gabojë, çfarëdo të thotë ose të bëjë, do jetë kryetar i PS.