E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbia e Tomisllav Nikoliqit dhe vazhdimësia e rrugës gebelsiane

11-06-2012 / Nga Skënder Mulliqi

Plot 10 vjet zgjati agonia e një shteti I krijuar artificialisht siq ishte ish-Jugosllavia. Dhe kjo krijesë sigurisht që ka mundur të shpërbëhet pa luftë. Por, natyrisht që kështu nuk mendoj vetëm Serbia e cila ishte e interesuar që më luftë të realizoj projektin e kahmotshem shovenist për Serbi te Madhe. Serbia gjeti nje monstrum të quajtur Sllobodan Mllosheviq për t’i realizuar këto projekt  në dëm të popujve jo sllavë.E dihet mirëfilli së si përfundojë e gjithë kjo aventurë e rrezikshme serbe. U vranë me mijëra viktima të pafajshme të përkatësisë myslimane dhe  të shqiptarëve të Kosovës. 12 vjet pasi  kapitulimit të  regjimit shovinist serbë të Millosheviqit, në pushtet u kthyen njerëzit të cilët ishin të lidhur shumë ngushtë me Partine Socialiste të Serbisë. Ish-radikali Tomisllav Nikoliq e mori timonin e shtetit në një garë të ngushtë me Boris Tadiqin. Sigurisht se politika e Tadiqi ishte dinake po shumë e rrezikshme karshi Kosovës, siç ishte njësoj e dëmshme edhe politika e Zoran Gjingjiqit tashmë të vrarë. Të gjithë bashkëpunëtorët e ngushtë të presidentit Tomisllav Nikoliq janë figura politike nga vitet ‘90. Deklaratat e fundit të Nikoliqit kur bëhet fjalë për Kosovën nuk po dallojnë nga deklaratat derisa ai ishte në opozitë. Ende pa krijuar qeverinë, Nikolliq vizitoi Moskën  për të marrë instruksione nga neokomunisti Vladimir Putin. Dhe, nuk ka dyshim se ish çetniku serb, presidenti Tomisllav Nikoliq do të bëjë përpjekje që këto ide antishqiptare edhe t’i zbatojë në praktikë. Deklarata e tij pa fije turpi se në Srebrenicë nuk ka pasur gjenocid, është edhe një tregues më shumë se Serbia me votimin e Nikoliqit për president të saj zgjodhi rrugën gebelsiane. Edhe Doris Pack rikujton se Nikoliqi kaherë është në politikë. Ai ka qenë ndër nacionalistët më të mëdhenj dhe tani po përpiqet ta ndryshojë këtë imazh. "Por tani po e shohim se ai nuk ka ndryshuar", thotë Pack dhe shton: "Duhet të jemi shumë të kujdesshëm në vlerësimet tona. Shpresoj se ai mund të ndryshojë gjërat që i ka bërë Serbisë, sepse Serbisë dhe rajonit i ka shkaktuar shumë viktima, e jo Bashkimit Evropian".
Duhet pasur kujdes në deklaratat për Srebrenicën, Pack pohon se nëse lideri i një vendi shpreh mendime si ato të Nikoliqit për Srebrenicën dhe Vukovarin, atëherë me atë lider duhet pasur shumë kujdes. Ne anën tjetër dihet së Nikoliqi është protagonisti kryesor i barrikadimit të veriut të Kosovës. Ai e dëshmoi këtë gjë këtë të enjte kur pranoi përfaqësuesit e strukturave ilegale serbe, duke u premtuar atyre përkrahje edhe më të madhe. Kriminelet serbë në veri sërish sulmuan strukturën ushtarake të KFOR-it, duke i lënduar pjesëtarët e saj gjatë heqjes së barrikadave të cilat ka kohë që këtë pjesë të vendit po e mbajnë të bllokuar. Investimi që bëri bashkësia evropiane në Tadiqin, nuk solli rezultatin e pritur. Përcaktimi për ish-radikalin Tomisllav Nikoliq është politikë miope e popullit serb, të cilët nuk po lirohen nga mitet e tyre të rreme karshi Kosovës. Nikoliq paralajmëroi konsensus të te gjitha partive politike në Serbi gjoja për zgjedhjen e problemeve në Kosovë. BE-ja shpreson se ndihmat e mëdha financiare dhe premtimet për anëtarësim do të bëjnë që në Serbi të ndryshojë klima politike. Por, është e sigurt se Tomisllav Nikoliq vështirë do të pranojë këtë realitet pa të paktën një formë të ndarjes së veriut të Kosovës. Bоsnjа dhe Hercegovina ende është shtet jo funksional. Marrëveshja e Dejtonit vetëm sa e ka ndërprer luftën. Nuk janë vu themelet e një shteti normal si çdo shtet tjetër. Bosnja përbëhet nga tri entitete e cila po mbahet në këmbë më shumë në saje  të pranisë së bashkësisë ndërkombëtare. Në anën tjetër, Maqedonia është gjithashtu një shtet i ngarkuar me hipotekat e së kaluarës së maqedonasve të paidentitet. Këtë e konfirmojnë edhe vrasjet në vazhdimësi të shqiptareve nga ana e pushtetit sllavo-maqedonas. Edhe shumë të drejta të shqiptarëve kanë mbetur të pa realizuara si e drejtë legjitime në trojet e tyre etnike. Këto situata politike edhe kanë ndikuar për t’i mbajtur gjallë shpresat e Serbisë për ndarjen e Kosovës. Serbia, kjo prodhuese sistematike e krizës në Ballkan me përcaktimin e politikës recidiviste edhe mund të përshkallëzojë situatën edhe ashtu të brishtë në këtë pjesë të Evropës. Nëse Perëndimi mendon për ndonjë autonomi speciale për serbët në veri, atëherë bashkësia ndërkombëtare mund të futet në një udhëtim tepër të vështirë në Ballkan. Prishtina zyrtare me të drejtë kërkon që pushteti i saj të shtrihet edhe në veri, si pjesë integrale dhe e pandashme e Kosovës. Natyrisht që fokus i ardhshëm i negociatave të udhëhequra nga Bashkimi Evropian do të duhet të ishte integrimi i serbëve në shoqërinë e re të Kosovës. Ndarjet e reja në vija etnike  mund të çojnë në një luftë të re në Ballkan. Edhe zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të shtetit, Filip Riker në Sofje, në një tubim për integrimin e rajonit ballkanik, e bëri me dije Serbinë se ajo duhet ta pranojë realitetin e ri në Kosovë. Serbia me politikën e saj ekspansioniste është bërë pengesa kryesore e stabilitetit politik dhe rrjedhave ekonomike në rajon. Situata mund të jetë brengosëse pa një normalitet të plotë politik në Ballkanin Perëndimor. Tek e fundit e ardhmja e çdo shteti ndërtohet jo me ndryshimin e kufijve siç po pretendon Serbia, por me heqjen formale të tyre.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›