E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja konfirmon angazhimin kundër investimeve të huaja

23-08-2012 / Gazeta 55

Sulmet ndaj sipërmarrjes së lirë, si një refleks i kushtëzuar i opozitës
 
Në një tentativë për të vënë vetullat, Partia Socialiste nxori sytë, me konferencën për shtyp të ish-deputetit Ilir Beqja, i cili konfirmoi se nëse opozita vjen në pushtet ajo do të shfuqizojë të gjitha kontratat e lidhura nga investitorët e huaj në Shqipëri pas 2005.
Dalja në konferencë e sekretarit për programin e PS, Ilir Beqja, erdhi si reagim ndaj deklaratës së kryeministrit Berisha se PS-ja po kërcënon biznesin e huaj në vend jo vetëm me taksa të larta, por dhe me heqje të liçensave të punës.
“Do të rishikojmë të gjitha kontratat në dëm të shqiptarëve të lidhura për interesa të oborrit të Saliut, qoftë familjar, qoftë politik”, ka rikonfirmuar për të gjithë ata që kishin dyshime se partia Socialiste nuk do t’i cenonte investimet e huaja.
Ndërkohë investimet e huaja direkte janë një burim shumë i rëndësishëm i flukseve të kapitalit dhe zhvillimit të një ekonomie. Investimet e huaja direkte, janë një tregues i rëndësishëm i besimit të investitorëve të huaj në një vend, dhe ato ulen në kushtet e krizave ekonomike dhe politike, dhe rriten në kushtet e përmirësimit të ambientit ekonomik dhe politik. Duhet të kuptojmë një herë e mirë se investimet e huaja janë të rëndësishme për vende si SHBA-të, jo më për Shqipërinë. Mjafton vetëm të kujtojmë faktin që investitorët arabë në Amerike kanë rreth 600 miliard dollarë të investuara, apo investimet kolosale të oligarkëve rusë në Angli për të kuptuar se dalja kundër investimeve të huaja a-priori është një çmenduri me theks marksist.
Sulmi në bllok kundër investimeve të huaja dhe iniciativës së lirë është jashtëzakonisht kundër produktiv për vetë opozitën, por nuk është i mirë edhe për vendin. Këto sulme janë edhe si një refleks i kushtëzuar i opozitës që sa herë i hapet rrugë sipërmarrjes së lirë dhe konkurrencës të deklarojë se kur do të vijë në pushtet do të anulojë e sekuestrojë pasuritë, do të shtetëzojë privatizimet dhe do të pezullojë punën.
Në të gjithë Europën në vështirësi ekonomike, fjalëkalimi është të punojmë “së bashku”, duke qenë çdonjëri i përgjegjshëm për t’i dhënë prosperitet qytetarëve, një bazament mundësish për brezat e ardhshëm. Por në Shqipëri, opozita jo vetëm që është pa një vizion sesi Shqipëria të klasifikohet së shpejti një vend i zhvilluar, por kryen akte publike kërcënuese.
Sidoqoftë rikonfirmimi me deklarata publike se do të kalohen në sitë të gjitha kontratat e investitorëve të huaj sapo të hipin në pushtet është sa një gjest i papërgjegjshëm për një politikan të nivelit të lartë dhe po aq një gjest i frikshëm politik që dëften rrezikshmërinë e një opozite anti-liberaliste. Sepse krijimi i një klime jo miqësore për investitorët do të thotë më pak vende pune. Po ashtu kërcënimi i investitorëve të huaj se do të taksohen shumë më shumë largon investimet direkte në vend dhe penalizon rritjen ekonomike.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›