E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohet vendimi për shpronësimin e trojeve ku kalon Unaza e Madhe

23-08-2012 / Gazeta 55

“Sheshi ‘Skënderbej’, Rama tu kërkojë ndjesë qytetarëve për bllokimin 2 vjeçar”
 
Kryeministri Berisha tha dje gjatë mbledhjes së Qeverisë se ish kryetari i bashkisë së Tiranës, Edi Rama duhet tu kërkojë ndjesë qytetarëve për bllokimin 2 vjeçar që i bëri qendrës së Tiranës, sheshit “Skënderbej”, duke paralizuar tej skajshmërisht trafikun në kryeqytet.
“Se si e dënoi dy vjet, qytetarin, ish kryetari i bashkisë, me sheshin, nuk flet kush gjë. Të dalin nga mëngjesi në darkë për të fantazuar çdo gjë, e bëjnë, por t’u kërkojnë falje qytetarëve të Tiranës, të cilëve u bllokoi dy vjet sheshin kryesor dhe i la në kulmin e vështirësive për të kaluar nga një rrugë në tjetrën, apo për të arritur në punë, këtë nuk e bëjnë. Sikur ka inatin me ta! Por kjo nuk është çështje inati. Ke bërë gabim, kërkon të falur! Nuk ka njeri që nuk gabon, por njeriu e njeh gabimin e vet. U bllokoi dy vjet sheshin kryesor qytetarëve të Tiranës dhe i bëri të heqin të zitë e ullirit të trafik. Nuk them se tani, ai është i përsosur, por është krejt tjetër. Shtoi edhe faktin se sheshi ka marrë dimensione njerëzore. Ashtu siç ishte, një masiv betoni, ishte lemeri. Njeriu dilte mikroskopik. Ndërsa tani sheh njerëz nga të katër anët dhe sheshi merr dimensionin e qytetarit. Nuk e di si do të jetë projekti për qendrën, por tani, ai jo vetëm u zhbllokua, por mori përmasa njerëzore”, tha Berisha.
Në këndvështrimin e kreut të qeverisë, trafiku në qytet është lehtësuar ndjeshëm, ndërsa garantoi se Qeveria është e vendosur të mbështesë ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës. Për realizimin e këtij projekti, Këshilli i Ministrave mori dje vendimin për shpronësimin e trojeve ku kalon Unaza e Madhe e Tiranës. Berisha theksoi se qeveria do ta financojë ndërtimin e këtij segmenti shumë të rëndësishëm, në mënyrë që t’i japë frymëmarrje trafikut në Tiranë.
“Qeveria do ta financojë ndërtimin e kësaj vepre, në mënyrë që t’i japë frymëmarrje trafikut, ndonëse ai ka një lehtësim të madh”, tha më tej ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›