E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja në dilemë për betimin e Bashës, ja emrat që do të zgjidhen nga e majta

SHKRUAN: Fejzi Braushi 25-07-2011 10:29

Lulëzim Basha betohet sot si kryetari i ri Bashkisë së Tiranës për një mandat 4-vjeçar. Tashmë çdo gjë është gati, dhe sot në orën 10.00 pritet të konstiuohet Këshilli i ri Bashkiak, para të cilit Basha do bëjë betimin, si një hap formal para se të marrë zyrtarisht detyrën e tij të re si qytetar i parë i Tiranës. Ndërkohë që numrat me të cilat dy kampet politike do të përfaqësohen në këtë këshill (28 anëtarë mazhoranca dhe 27 opozita) premtojnë një betejë të fortë në debatet që pritet të nisin që nga dita e sotme, ku natyrisht të majtët kanë vendosur që të jenë të pranishëm. Por para se të paraqiten në këtë mbledhje të parë, këshilltarët e majtë janë thirrur në një takim nga kryetari Edi Rama, për të përcaktuar ndoshta dhe strategjinë që do të ndjekin, jo vetëm sot por edhe në vijim. Kështu, nga burime pranë këshilltarëve socialistë, mësohet se nuk është përcaktuar ende nëse ata do të qëndrojnë në mbledhjen e këshillit pas betimit.

Mbledhja

Mbledhjen e parë për shkak të moshës më të madhe do ta drejtojë përfaqësuesi i PRe në këtë këshill, Maksim Begeja, kjo si një detyrim ligjor. Begeja do të drejtojë seancën me një rend dite të përcaktuar, ku së pari do të zgjidhet komisioni i verifikimit të mandateve për secilin nga këshilltarët. Për shkak se kjo është një procedurë formale nuk priten as surpriza dhe menjëherë pas mbledhjes, komisioni do ti paraqesë Këshillit Bashkiak një raport për konstatimet e nxjerra nga verifikimi i mandateve. Pas këtij hapi, Këshilli do të hyjë në pikën e tretë të rendit të ditës, që është ajo e betimit të këshilltarëve, çka përbën dhe momentin e dhënies fuqi ligjore e mandatit të tyre si këshilltar.

Votimi

Më pas Këshilli do të hyjë në procesin e votimit të strukturave drejtuese të tij, kryetarit, zëvendëskryetarëve, sekretarit, si dhe votimin e propozimeve për kryetar të grupeve të këshilltarëve. Megjithëse e djathta ka shumicën në këshillë dhe ajo mund të diktojë zgjedhjen e organeve drejtuese të saj, ligji nuk ia mohon të drejtën as opozitës që të bëjë propozime për çdo post drejtues në këshill. Ndaj nga sa mësohet nga burime pranë grupit të këshilltarëve socialistë, gjatë mbledhjes së sotme ata do të propozojnë Mimoza Hafizin për postin e kryetarit të këshillit dhe Adriana Berberin për postin e zëvendëskryetarit. Ndërkohë që postin e kryetarit të grupit të majtët duket se do t’i besojnë kryeredaktorit të gazetës “ZP”, Aldrin Dalipi. Pas zgjedhjes së organeve drejtuese të këshillit dhe grupeve të këshilltarëve, Këshilli do të kalojë në pikën 6, zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Qarkut. Dhe vetëm në fund, pra në pikën 7, do të bëhet shqyrtimi i vlefshmërisë së mandatit të kryetarit të Bashkisë, Lulëzim Basha, dhe më pas dhe betimi i tij. Nuk dihet nëse të majtët do të jenë prezent në këtë pikë, pasi siç dihet tashmë ata e kanë konsideruar mandatin e Bashës si të grabitur në tryezën e KQZ-së dhe atë të Kolegjit Zgjedhor. Por çdo gjë duket se do të vendoset sot në mbledhjen e orës 9.00 që këshilltarët e majtë do të zhvillojnë me kryetarin e PS-së, Edi Rama. Siç bëhet e ditur nga burime pranë grupit socialist, deri dje në mbrëmje nuk ishte marrë asnjë vendim për këtë çështje, pasi kreu socialist në komunikimet që ka patur me eksponentë të këshilltarëve të tij në bashki, u ka kërkuar atyre që gjatë takimit të sotëm të bëjnë propozime për atë që duhet të bëjnë në mbledhjen e parë të këshillit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›