Përsëritja e zgjedhjeve, 10 komunat ku do rivotohet
Të dielën në 10 komuna të vendit do të bëhet rivotim për të zgjedhur kryetarët e rinj të pushtetit vendor. Proces ky që duket se nuk do të ketë asnjë surprizë, pasi gara thjesht do të përsëritet me të njëjtët aktorë dhe me të njëjtët kandidatë. Opozita megjithëse kundërshtoi fort procesin paszgjedhor si ekstraligjor, ka vendosur që të jetë në garën që do të zhvillohet në këto komuna. Burime nga Partia Socialiste, të kontaktuar dje lidhur me këtë çështje, kanë konfirmuar pjesëmarrjen në zgjedhjet e datës 31 korrik, duke argumentuar këtë me faktin se në shumicën e këtyre njësive opozita pretendon fitoren dhe se ripërsëritjen e zgjedhjeve në to e kërkoi pikërisht kjo forcë. Në kushte të tilla ata kanë bërë të ditur se do të ishte alogjike që nga njëra anë të kërkosh ripërsëritjen e zgjedhjeve në pjesën dërmuese të këtyre komunave dhe nga ana tjetër të mos marrësh pjesë në rivotim. Aq më shumë kur bëhet fjalë edhe për interesat e shumë zgjedhësve që shpresojnë se kandidati i së majtës do të fitojë. Në të dhjetë njësitë vendore do votohet në 102 qendra votimi. Më konkretisht në komunën Shllak të Qarku Shkodër do të votohet për herë të parë, për shkak se më 8 Maj nuk u votua, sepse nuk u paraqitën komisionerët e majtë. Në komunën Pishaj të Qarkut të Elbasanit do të votohet gjithashtu për herë të parë, se më 8 maji nuk u votua, sepse kandidati i PD në fletën e votimit ishte me siglën “Aleanca për të ardhmen” dhe anasjelltas. Gjithashtu në komunën Mollas të Qarku Korçë zgjedhësit do të votojnë për herë të parë, se në 8 Maji nuk u votua për këshillin e komunës, sepse kishin shkuar gabimisht fletët e votimit të një komune tjetër. Në të 7 komunat e tjera Shllak, Papër, Zall Dardh, Armen, Shal, Finiq dhe Qëndër-Skrapar do të rivotohet, pasi me kërkesë të subjekteve të ndryshme Kolegji Zgjedhor vendosi pavlefshmëri të zgjedhjeve dhe ripërsëritje të tyre.