E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës-Kukës, gati kësti i dytë prej 100 milionë eurosh

29/07/2009  Ministria e Financave

Ministria e Financave ka tërhequr këstin e dytë prej 100 milionë eurosh kredi nga dy banka private. Këto fonde do të përdoren për përfundimin e projektit më të rëndësishëm për momentin, rrugës Durrës-Kukës. Qeveria nënshkroi një marrëveshje me këto dy banka në muajin maj të këtij viti, e cila hasi në kundërshti mjaft të forta nga ana e opozitës, për interesat e larta me të cilat ajo u përftua. Qeveria në atë kohë e vlerësoi si një sukses nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, për vetë periudhën në të cilën u arrit kjo marrëveshje, që përkoi me një moment krize dhe bankat ndërkombëtare e kishin të vështirë të jepnin kredi. Megjithatë, interesi prej 11 për qind është vlerësuar i lartë nga ekspertë të ndryshëm të ekonomisë. Nga ana e saj qeveria ka premtuar se është e gatshme të paguajë një shumë të tillë, për shkak të rritjes së të ardhurave në buxhet. Ky është kësti i dytë i marrë, ndërsa kanë mbetur edhe 50 milionë euro për t’u tërhequr nga shuma prej 250 milionë eurosh. Kredia është marrë me një afat trevjeçar, me të drejtën që në momentin kur tregu ofron norma më të ulëta interesi, pas vitit të parë të prishet kontrata dhe të kthehet kredia pas, pa asnjë lloj penaliteti, as pagim interesash dhe as pagim gjobash a detyrime të tjera për prishje kontrate. Kredia është diskutuar edhe me FMN -në dhe me BB -në.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›