“Transporti publik në Tiranë, jashtë çdo standardi”
Reagimi, PD: Qytetarëve s’u ofrohen as kushtet më minimale
Deputeti demokrat Gerti Bogdani akuzoi dje bashkinë e Tiranës se në katër vitet e fundit nuk ka hapur asnjë linjë të re autobusi, gjë që ka shkaktuar mbivendosjen e linjave të transportit urban dhe vështirësimin e trafikut. Bogdani i bëri i bëri thirrje kryeqytetasve se për të përmirësuar jetën e përditshme duhet të zgjedhin një kryebashkiak që të merret me të gjitha problemet e qytetarëve dhe jo një kryebashkiak që është fokusuar vetëm tek politika kombëtare. Duke u fokusuar te një ndër problematikat e jetës së përditshme në Tiranë, tek transporti urban deputeti i PD-së, Bogdani theksoi se “një situatë e tillë, me automjete të shkatërruara dhe të papërshtatshme për udhëtim, e bën transportin publik, një mjet të papërshtatshëm për sigurinë e shëndetit dhe situatën e udhëtimit, krejtësisht të pa suportueshme. Ai ka shtuar me tej se Tirana ka nevojë për një kryebashkiak që është i fokusuar te politikat për qytetin dhe qytetarin. Në emër të Partisë Demokratike Bogdani denoncoi skamjen dhe katrahurën që ka krijuar Bashkia e Tiranës me shërbimin e transportit publik në kryeqytet. Deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, nënvizoi se shumica e mjeteve të transportit janë në kushte mizerable, automjete të amortizuara dhe të papërshtatshme për këtë funksion, jo vetëm që nuk lahen çdo ditë, por për pastrimin e tyre nuk përdoren as detergjente dhe as iu vihen në dispozicion personelit të tyre as mjetet më elementare të pastrimit. Sipas deputetit demokrat, një situatë e tillë e bën transportin publik të udhëtarëve një mjet të papërshtatshëm për sigurinë e shëndetit dhe situatën e udhëtimit, krejtësisht të pasuportueshme. “Në Tiranë çdo ditë përdorin transportin urban minimalisht 225.000 persona me status paguesi të biletës apo abone, të cilët udhëtojnë në kushte krejtësisht të pa përshtatshme. Në katër vitet e fundit bashkia e Tiranës nuk ka hapur asnjë linjë të re autobusi. Linjat e transportit urban në Tiranë mbivendosen duke vështirësuar trafikun. Ka mbivendosje të linjave ku dy linja operojnë 50-60 për qind të itinerarit se bashku. Sipas një studimi të Zyrës së Mbrojtjes së Konsumatorëve për transportin urban të udhëtarëve në Tiranë, rezulton se gjendja fizike teknike e mjeteve të transportit është shumë e keqe. Përveç disa autobusëve të rinj, shumica e mjeteve janë të amortizuara, çka demonstron se janë blerë me çmim shumë të ulët. Kushtet e higjienës dhe pastërtia (vend-uljet, mbajtëset në të cilat mbahen pasagjerët) janë në gjendje skandaloze. Automjetet jo vetëm që nuk lahen çdo ditë, por për pastrimin e tyre nuk përdoren as detergjente dhe as iu vihen në dispozicion personelit të tyre as mjetet më elementare të pastrimit. Frekuenca e ndalesave në stacione është jashtë çdo norme dhe parashikimi kontraktor. Shërbimi i ajrimit dhe kondicionimi i temperaturës së ajrit është jashtë funksionit. Këto e bëjnë mjetin e transportit të udhëtarëve një mjet të papërshtatshëm për sigurinë e shëndetit publik dhe situatën e udhëtimit, krejtësisht të pa suportueshme”, u shpreh përmes kësaj deklarate për mediat Bogdani. Me tej deputeti demokrat iu referua të dhënave të studimit të ZMK-së, ku shtoi se, nëse do të përmirësohej cilësia e shërbimit urban në Tiranë, do të mund të rritej me 50 për qind numri i udhëtarëve duke kapur shifrën prej mbi 310.000 personash me status paguesi. “Kjo rritje prej 50 për qind e numrit të udhëtarëve do të sillte edhe një rritje të normës së fitimit në nivele jashtëzakonisht të larta. Numri i paktë i linjave, shtrirja e tyre në pjesët më të populluara, infrastruktura e papërshtatshme e udhëtimit, trafiku i rënduar, vonesat e gjata nëpër stacione, bëjnë që kushtet e udhëtimit me autobusët urbanë të jenë jashtë standardeve”, deklaroi me tej deputeti i Partisë Demokratike Bogdani. Duke përfunduar këtë deklaratë, Bogdani tha se, “Tiranës i duhet një kryebashkiak që të merret me problemet e qytetarëve të Tiranës, dhe jo një kryebashkiak që është fokusuar vetëm tek politika kombëtare. Tirana ka nevojë për një kryebashkiak që të merret me të gjitha problemet tona, në mënyrë që të përmirësojë jetën tonë të përditshme”.
...