“Shqipëria, transformime të mëdha falë reformave të qeverisë

Jozefina Topalli vijon prezantimin e kandidaturave të “Aleancës për Qytetarin” në komunat dhe bashkitë e qarkut të Shkodrës
Në vijim të fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 8 majit Kryetarja e Kuvendit, njëkohësisht Nënkryetare e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli zhvilloi takime intensive në fshatra, komuna dhe bashki të qarkut të Shkodrës. Kryetarja e Kuvendit, njëherësh Nënkryetarja e Partisë Demokratike Jozefina Topalli ka prezantuar kandidaturat e “Aleancës për Qytetarin” në komunat dhe bashkitë e qarkut të Shkodrës, duke u bërë thirrje banorëve të kryeqendrës së veriut të votojnë kandidatët e kësaj aleance në zgjedhjet e 8 majit. Kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli prezantoi kandidatët për kryetar komune në Hajmel, Lekë Bibaj, në Mnel Vig Pjetër Lleshi, në bashkinë e Vaut të Dejës Gjon Marku, në komunën Ana e Malit Arben Ceni, në komunën Dajç Arben Gjuraj, si dhe në bashkinë Velipojë Nikollë Marku. Në të gjitha takimet e zhvilluara Kryetarja e Kuvendit evidentoi arritjet e këtyre viteve dhe transformimet e mëdha që këto komuna, ashtu si pothuajse e gjithë Shqipëria, kanë përjetuar falë reformave të suksesshme që qeveria Berisha dhe mazhoranca kanë çuar përpara. “Para pak vitesh, tha Kryetarja Topalli, këtu në Velipojë s’kishte dritë, s’kishte ujë, s’kishte rrugë, s’kishte ujësjellës, s’kishte kanalizime, s’kishte argjinaturë, s’kishte perspektivë, s’kishte turizëm, s’kishte rrugë që të sillnin atë që ka sjellë Rruga e Kombit. Jo vetëm këtu në Velipojë, por në fakt kudo, në çdo cep të Shqipërisë që unë shkoj, në çdo fshat, në çdo komunë, në çdo qytet, në çdo bashki, unë gjej një Shqipëri ndryshe. Ne prekim një Shqipëri ndryshe. Ne kemi bërë një Shqipëri ndryshe. Ne kemi transformuar vendin tonë. Ne i kemi dhënë perspektivë vendit tonë. Ne i kemi dhënë zhvillim vendit tonë. Ne i kemi dhënë rritje ekonomike vendit tonë. Ne u kemi dhënë rritje pagash qytetarëve tanë. Ne u kemi dhënë rritje pensionesh qytetarëve tanë. Ne kemi bërë shkolla të mira, moderne, me kompjuterë, me internet për fëmijët tanë, për vajzat tona, për djemtë tanë. Nga veriu deri në jug, në çdo cep të Shqipërisë kemi bërë të mundur të ketë infrastrukturë moderne. Ne kemi bërë të mundur që të dyfishojmë buxhetin. Ne kemi bërë të mundur që të jemi anëtarë të NATO-s, kemi bërë të mundur lëvizjen pa viza. Ne kemi bërë të mundur që të shpresojmë që në 2017-ën Shqipëria të jetë një vend i zhvilluar”, u shpreh kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
...