Leskaj: “Konflikti i Berishës me mediat, hapa mbrapa për integrimin e vendit”
Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, njëkohësisht kryetare e Komisionit për Median në Kuvendin e Shqipërisë, Valentina Leskaj, kritikoi konfliktin e kryeministrit Berisha me median e lirë në Shqipëri. Duke iu referuar masave penalizuese që qeveria urdhëroi nëpërmjet KKRT-së ndaj televizioneve që transmetuan spotin kritikues të G99-s ndaj Berishës, Leskaj tha se ky ishte një gabim shumë trashanik i kryeministrit Berisha. Kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së tha se sulmet e qeverisë ndaj mediave përveçse shprehin abuzime me pushtetin, përbëjnë hedhjen e hapave mbrapa në proceset integruese të vendit. “Risjellja e çështjes së lirive të medias dhe lirive e të drejtave të njeriut është një kosto e madhe për proceset integruese. Ndërkohë që partnerët tanë ndërkombëtarë po përpiqen të përshpejtojnë procesin e ratifikimit për anëtarësimin e vendit në NATO, mesazh që unë e kam marrë edhe në takimet që kam pasur ditët e fundit në Departamentin Amerikan të Shtetit, qeveria, në vend që të kontribuojë në këtë kahje, jep mesazhe që shkojnë në kahje të kundërt. Ne i bëjmë edhe njëherë thirrje maxhorancës të mos provokojë konflikt për këtë çështje, por të zbatojë ligjin”, - tha Leskaj. Duke u nisur edhe nga situata konfliktuale, por edhe nga propozimet e bëra nga kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, Leskaj tha se Grupi Parlamentar i PS-së do të propozojë hartimin e një ligji të ri integral për mediat, i cili do të përputhet me standardet ndërkombëtare. “Kryetari i PS-së bëri disa propozime që mund të bëhen pjesë e ligjit në proces, që saktësojnë qartë kur dhe se si subjektet politike, institucionet apo OJF-të mund të transmetojnë spote. Në fakt jemi të befasuar nga justifikimet qesharake të zëdhënësve të Këshillit të Ministrave, që fajin për abuzimin e Këshillit të Ministrave me ligjin dhe lekët e shqiptarëve ia hedhin opozitës. Si kryetare e Komisionit Parlamentar për Mediat, jam ndër nismëtaret dhe nxitëset për të hartuar një ligj integral për mediat elektronike, duke rakorduar me BE-në dhe Këshillin e Europës për standardet e ligjit”, u shpreh Leskaj.
6 Shtator 2008