E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja, si litari i beterrit të fshatit

Ashtu si dikur beterri i fshatit pat porositur fshatarët, që pas vdekjes si shpagim për bëmat që u kishte bërë ta lidhnin me një litar në fyt, duke ia nxjerrë 2m mbi varr, ashtu veproi edhe diktatori komunist Ramiz Alia, kur partisë së tij, si rezultat i levizjes demokratike, që sa vinte e zgjerohej - pas shembjes së murit të Berlinit dhe ngjarjeve në Rumani - po i vinte fundi e po vdiste, siç po vdisnin tërë partitë si motra në vendet e tjera të Europës Perendimore. Diktatori Alia po vepron si beterri i fshatit, që edhe pas vdekjes, nuk po e lë rehat fshatin. Shqiptarë po e pësojnë ende nga bëmat e tmerrshme të komunistëve, të cilët një populli të tërë tentuan ta shndërroin në hajdut, spiun, të pafe, pa pronë, të izoluar nga bota e qytetëruar perëndimore për ta shtypur e për ta shfrytëzuar më lehtë. PP u shndërrua në PS, duke na e lënë litarin e vuajtjeve 50 vjeçare jashtë.

Populli, ashtu si fshatarët e fshatit të dikurshëm, që u zhgënjyen se pandehën se shpëtuan kur e varrosën beterrin e fshatit, por e pësuan akoma më shumë pasë vdekjes së tij, ashtu u zhgënjye shpejtë nga PS, që nuk ishte as më pak, por më shumë se PP.

Në ndryshim nga PD që nga Levizje Demokratike e fillimviteve ‘90, po shndërrohet gjithnjë e më tepër në parti progresiste e hapur, kurse PS po shndërrohet në një forcë të mbyllur regresive, përfaqësuese e një shtrese të pakët në numër, që nëpërmjet rrugës radikale, si dikur paraarëdhësit e tyre, me pushkë synojnë të marrin pushtetin; pra rruga e tyre është rruga e dhunës së rrugës, jo rruga e ballafaqimit në institucione juridike.

Kauza e PS, ashtu si e PK-së dhe e PP-së, pasuese e denjë e tyre, është “shpif, shpif se diçka do të mbetet”. Me një gurë ata synojnë të arrijnë disa qëllime, së pari të nëpërkëmbë institucionet pluraliste, duke zhvlerësuar albitrin e zgjedhjeve, KQZ dhe Kolegjin Zgjedhor; së dyti synojnë të çojnë vendin drejt anarkisë nëpërmjet levizjeve populiste, si karikatura e pritshme e 20 Nëntorit.

Nuk ka shpjegim tjetër që pinjollët e diktaturës i shohim sot këmbëkryq në këto protesta, duke u prirë turmave, se ata e kanë kuptuar tani më mirë se kurrë, se privilegjet e tyre mund t`i ruanin dhe t`i zgjeronin jo me rrugë demokratike, se kjo rrugë i shërben shumicës së populit, por me dhunë revolucionare, që mund ta organizojnë, shumë të kamufluar, në kushte të reja, kur vendi është anëtar i NATO-s. Ata duhet të dinë, se në këto protesta kanë kauzë të dobët, parandaj edhe ato janë protesta të sforcuara... Shqiptarët e dinë se asgjë e mirë nuk u ka ardhur, kur i ka prirë PK apo PP (PS). Në sytë e zgjedhësve, PS dhe liderët e saj po zhvlerësohen gjithnjë e më tepër, kur shikojnë se si ata ngazëllehen sa herë ndodh ndonjë fatëkeqësi.

Nuk do zgjatesha shumë për të trajtuar këmbimin e emrave, që ndërmorën majtistët - punistë, po të mos më shqetësonte fakti se në PS, “nuse plakë” u përfshinë shumë intelektualë të ndershëm që me idetë e tyre majtiste donin ta shndërronin PS në parti eurosocialiste; por ata u gabuan, se PS mbeti përfaqësuese e shtresave elitare komuniste, me pasuri përrallore të grubulluara në vite, që s’i lidh asgjë me shtresat në nevojë. Kjo është edhe arsyeja, që lideri i PS po i flak tutje si limonë të shtrydhur një e nga një këta intelektualë. Në këto kushte, këta intelektualë nuk mund të mbeten si Han Karriqi në mes dy rremave, por të shkëputen nga PS, pjella e diktaturës komuniste, instrument për t`u shërbyer atyre, dhe me idetë e tyre majtiste evolucioniste të kontribuojnë në demokracinë pluraliste, në parti të majta progresiste, që të jenë në funksion të shtresave në nevojë. Mendoj se elektorati i majtë do të ndërgjegjësohet dhe nuk do përdoret, si mish për top, nga punisto-socialistët, këta milarderë barknginjur, që s’i lidh asgjë me shtresat në nevojë. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›