E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trefazorëshi i Edi Ramës nuk interesohet për energjinë, por për destabilizimin...

Edi Rama nuk është më lajm, por një fenomen i përditshëm me kosto tejet të lartë për shëndetin mendor të familjeve shqiptare. Po përdor çdo kapsollë sociale për të bërë politikë. Inkursioni i fundit mediatik i kryetarit të PS ishte një vetë-tryezë e partisë, në të cilën fliste për koston e energjisë elektrike dhe faturat aforfe. Padyshim, të dy mikro-tema-t i hasin në rrashtë xhepat e qytetarëve. Nuk është surprizë se KESH është shprehur pro rritjes së çmimit të energjisë elektrike, duke e argumentuar këtë me shitjen nën kosto të energjisë. Të mos përmendim pastaj faktin se në sistem ka vjedhje të papara. Vetëm në një kontroll kampioni të bërë një javë më parë nga CEZ në Tiranë në 3000 familje të evidentuara kishte 900 prej tyre që kishin bërë ndërhyrje në rrjet. Siç dihet, ne kemi pak probleme me shtetin ligjor, por po punohet që të vihet gjithçka në shinat e legalitetit... Ndoshta jemi pak prapa, por po punohet.

Mirëpo qëllimi i pathënë i Edi Ramës nuk është sesa u kushton taksapaguesve shqiptarë fatura e energjisë elektrike, por për të përgatitur terrenin për një thirrje anti-ligjore që ai me bashkëpunëtorët e rinj kanë menduar. Jo shumë pak kohë më parë në një talk-show, ai, ashtu - duke qeshur - hodhi idenë se radikalizimi i protestës do të vinte edhe me thirrjen për mos-pagimin e taksave. Nuk e di sesa është përfolur në squkën e socialistëve, por vetë deklarimi i një aksioni të tillë tregon për një kulturë anti-ligjore nga politika e re e atyre që Rama i ka investuar në politikë. Papërgjegjshmëria e tyre vjen kryesisht nga seleksionimi që po i bëhet elitës së majtë shqiptare, sipas një loje me servilë e vasalë pa personalitet, të tjetërsuar, apatikë e krejt të bindshme. Gjithçka sipas skicës- karakteristikë të vlerave që Edi Rama ka përfaqësuar në politikë. Afërmendsh nuk është e

vështirë për t’u kuptuar se kemi të bëjmë më një tentativë destabilizimi të shtetit ligjor. Edhe pse është në hapat e para, Edi Rama po kërkon ta përgatisë terrenin. Duke minuar në mënyrë konstante të gjithë punët e qeverisë, ai pret të kalërojë pakënaqësitë fiziologjike që ka një qeveri me koalicion të gjerë. Përpos se të presë, ai po kërkon induktimin e një klime tensioni artificial për të përligjur angazhimin e tij destruktiv. Nuk është hera e parë që një lider politik minon fushën e lojës në vend që të japë alternativa. Kurrsesi këto, në këtë momente mund të priten nga një lider i hapur si Edi Rama. Deri më 20 do të provokojë, baltosë e hedhë dyshime, bile do të kërkojë kushte radikalizuese për të përfituar diçka nga legjitimimi i mazhorancës së re. Kjo s’ka gjasa të ndodhë, edhe pse ajo po kërkohet.

Shembulli për t’u lexuar ishte shfaqja groteske e politikanit të ri dhe njëkohësisht anakronik Namik Dokle në Tunelin e Thirrës, më një hipokrizi shumëvjeçare, zevzeke e perverse, pasi ai mbetet njëri nga “sabotatorët” edvinistë të rrugës Durrës-Prishtinë, është njëri nga protagonistët që nuk patën dëshirën, qejfin e inatin ta bënin Rrugën kur ishin në pushtet. Dikush (grimcë edviniste) tha seriozisht se kishte shkuar në Thirrë për qëllime speleologjike, për të parë se sa është shembur tuneli. Dikush tjetër ngulte këmbë se Opozita u ndalua të filmonte më kamerat e shtëpisë mediatike brendësinë e tunelit. Por si gjithmonë ngatërruan përveçse tunelin e gabuar, por edhe momentin për të prodhuar politikë. Nejse, se nuk kanë edhe faj siç janë të mësuar të bëjnë politikë me fatkeqësitë. Mbahet mend kur politikanë si hienat bënin safari në Gërdec, në night-et ku bëjnë kick-boxing njerëz ordinerë, për kapriçio të një nate pa punë vjeshte.

Mos kujtoni se Edi Ramës i intereson kostoja e energjisë elektrike apo faturat aforfe. Përveç interesit për të shitur trojet publike, sheshe ndërtimi, leje dhe licenca të ndryshme nuk ka asgjë tjetër në mendje. Jemi i vetmi komb që kemi dy data ku mund të gëzohemi e të hidhërohemi. Kjo datë është 17 shkurti. Gëzimi na vjen vetiu kur me 17 shkurt të 2008. kurse hidhërimi për qytetarët e Tiranës i vjen tre vjet më përpara, më 17 shkurt të 2005 ku Këshilli Bashkiat i Tiranës, mori vendimin e padrejtë më votën e Mero B. për t’ia shitur hapësirë e gjelbër publike një biznesmeni, i cili ngriti “eko-monstrën” e betonit me emrin Tajvan. Veç këto shitje i interesojnë sheikut të Bashkisë. Asgjë tjetër.  

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›