E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vademekum për intelektualët e serisë B në panairin e librit

Kur je në errësirën e pafundme një dritë e vockël të duket gjithçka, kur je në dritën e neonit të nevojitet dielli, kurse kur je në dritën e diellit, nuk të nevojitet asgjë. Përveç mendimeve, afërmendsh.

Intelektuali përfaqësonte diellin artificial deri para pak kohësh. Ndërsa sot ai e ka humbur këtë aureolë, po ashtu ai ka humbur interesin dhe kuriozitetin për botën. Po bitiset drejt qenies së tele-komanduar. Intelektuali ka hyrë në një star-sistem, me njëfarë profesioni radichal chic, pa asnjë interes për një entitet që mendon. Nuk ka më klasikë të gjallë, ka veç ripërtypje silazhi tridhjetëvjeçar. Mediokriteti po na mbetet si stampa e kohës tonë. Sindroma e mospasjes së ideve po përparon më shpejt se AH1N1. Kemi pësuar një elektroshok masiv, assesi i dedikohet kryesisht mediokritetit që ka infektuar me shumicë pamphlet-et e asaj llurbe shpëlarjeje trush totalitariste..

Me vdekjen e Claude Levi Strauss ka mbaruar epoka e maîtres-à-penser. Evropa tashmë do të pësojë një bulimi intelektualësh të kategorisë B, inferiore, bij të mospasjes së gjurmimit dhe të dijes, por edhe e kulturës masive, komerciale, inflacionuese, e klonuar.

Mendimi kritik mbaroi, dha shpirt, cofi, dhe veprimi po varfërohet përditë e më shumë si shkretëtira që përpin tokën në Afrikë. Mund të thuhet me plot gojë të palarë se politikanët mbeten të dënuar për mediokritet. Duhet një mea culpa: pa Rusoin, Volterin dhe Encyclopédie, ç’do të bënin protagonistët e revolucionit fFrancez? Pa rrymën romantike dhe skenarin e përgatitur nga Hegeli, do të kishin lindur kombet e Tetëqindtës? Pa Marksin, çfarë do të ishin bërë Lenini, Stalini dhe Enver Hoxha? Me rënien e Murit të Berlinit ra edhe muri i ngritur i intelektualëve. U sheshuan me tabanin, me plebenjtë. Gjatë gjithë shekullit ka pasur kanibalizma nga më të ndryshmet: librin e mbytën gazetat, gazetat u asfiksuan nga radioja, e kjo e fundit thuajse po shuhet nga televizioni, i cili këto kohë ka punë me konkurrencën e internetit... dhe kështu me radhë. Po kështu edhe teatri pati një asfiksim nga Kinemaja dhe kinemaja nga videot dhe muzika rock. Avash-avash, kultura u tërhoq nga ato pozicione që mbante dhe intelektualët u margjinalizuan. Po kthehemi në një masë amorfe, banale dhe tregtare ku idetë dhe kultura nuk kanë më vlerë, malli i shitur mbisundon mendimin, vetiu intelektualët tehuajësohen. Heshtja intelektuale vjen sepse ata s’kanë më asgjë për të thënë, kurse ata që flasin nuk janë intelektualët klasikë, por vç ca intelektualoidë.

Shto ujë e shto miell.

Kuptohet vetiu se, Intelektualoidët e ri janë persona që interpretojnë një rol, që bëjnë gjoja të jenë ata që s’janë. Përdorin mendimet për t’u dukur dhe për të bërë VIP-in, të njohurin, të vizualizuarin, të klikuarin. Bëhet fjalë për personazhe që dolën në skenë para dy dekadash dhe po uzurpojnë postet me rëndësi, sapo kanë kaluar në amshim intelektualët e vërtetë, si Barthes, Derrida a Levi-Strauss, për shembull. Në këtë moment ka figura mendimtarësh, që shumë shpejt dalin si karikatura të të tjerëve. Mania e intelekualoidëve haset kudo, mbase pas dere, por sidomos ato shumohen kur janë në një provincë, në një sanxhak, në Tiranë përshembull. Sot akoma në Evropë ka intelektualë karizmatikë, nuk janë - po themi maître-à-penser, por të paktën ata mendojnë atë që thonë dhe thonë atë që mendojnë. Bile edhe shkruajnë për të marrë vesh seç mendojnë. Nuk ka hipokrizi, ndoshta padituri në disa çështje.

E kuptohet nuk mund të jenë gjithmonë aktivë në temat e mëdha që nxjerr herë pas here koha jonë.

Por prapëseprapë nuk duhet të prekemi nga pesimizmi. Kemi akoma edhe pak oksigjen në qarkullim, por jemi vite dritë nga sistemi normal. Në ekuilibrin e sistemit që kemi krijuar si njerëz post-modernë qarkullojnë disa molekula që përbëjnë anti-korpet e një Evropë të nakatosur, si për shembull Jean Baudrillard, Giorgio Agamben, George Steiner, padyshim Ismail Kadare, në aneks janë Habermas, Veneziani apo Eco.

Nga një vëzhgim panoramizues i sistemit, vërejmë një shterpëzim, i cili është i gjithanshëm dhe duket me sy të lirë, në vijë ajrore dhe tokësore, pa dallim feje, krahine dhe ideje, ekzemplari nuk gjendet më, ai është përdorur nga Pushteti që t’i shërbejë Pushtetit, jo vetëm politik, por edhe ekonomik, social, kulturor e fetar.

Termi intelektual lindi me affaire Dreyfus: që përfaqësonte një grup mendimtarësh që bashkoheshin nga principe të njëjta. Tani nuk ka më grup. Mbeten vetëm çështjet dhe kauzat e mëdha, por intelektuali ecën në shtigje të izoluara, të fragmentuara. Ideja nuk lind më nga një parto-gjenezë. Nevojitet të debatohet, të konfrontohesh, një perspektivë që nuk i intereson më as kulturës dhe as politikës. Përkundrazi, protagonistët kanë pikasur një sërë furriqesh talk-show për të na e banalizuar krejt mendimin.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›