E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria siguron përkushtimin e KE-së për heqjen e vizave 6-mujorin e parë ët 2010-ës

Parlamenti Evropian voton raportin e eurodeputetes Fajon për liberalizimin e lëvizjes së shqiptarëve në “Shengen”

Parlamenti Evropian miraton me shumicë votash rezolutën e eurodeputetes sllovene Tanja Fajon, për futjen e Shqipërisë dhe Bonjës në vazon  e vendeve që presin të përfitojnë nga lëvizja e lirë. PE inkurajon qeverinë për realizimin e kushteve në mënyrë që edhe vendi ynë të bëhet pjesë e zonës “Shengen”, në një datë të pacaktuar, mjafton konstatimi pozitiv për ecurinë e detyrave

Parlamenti Evropian i ka thënë “po”, projektit të europarlamentares Tanja Fajon, që parashikon futjen e Shqipërisë dhe Bosnjës në një nivel më pranë liberalizmi të vizave, krahas vendeve të tjera të Ballkanit perëndimor si, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia. Më këtë akt ligjërues të PE, Shqipëria është një hap më pranë liberalizimit të plotë të vizave.
Rezoluta e miratuar në PE, i bën thirrje Brukselit që vizat me Shqipërinë dhe Bosnjën të hiqen sa më shpejt që të jetë e mundur, menjëherë pas përmbushjes së kushteve të udhërrëfyesit. Pas kësaj pritet që Komisioni Evropian t’i propozojë Këshillit të Evropës heqjen e vizave me Shqipërinë sapo të vlerësojë se është përmbushur edhe pjesa e mbetur e kërkesave të udhërrëfyesit.
Eurodeputetja sllovene Fajon tha se vendimi për futjen e Shqipërisë dhe Bosnjës në këtë rekomandim është historik.
“Nuk është e drejtë që këto dy vende të mbeten jashtë këtij regjimi, dhe për këtë kam mbështetjen e shumicës së eurodeputetëve. Përfshirja e këtyre vendeve në listën e bardhë të ‘Shengenit’ do të thotë se sapo ato të përmbushin kushtet, do të arrijnë pa vonesë tre vendet e tjera”, u shpreh Fajon.
Ajo shtoi gjithashtu se “ramë dakord me Këshillin dhe KE për një deklaratë të veçantë ku ofrojmë përkushtimin tonë që të sigurohemi se nuk do të ketë asnjë vonesë në hyrjen e Shqipërisë dhe Bosnjës në këtë regjim të liberalizimit të vizave. Dëshiroj që qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjës të udhëtojnë pa viza duke nisur nga korriku i vitit të ardhshëm. Ky është objektivi ynë, por varet edhe nga politikanët e këtyre vendeve për të përmbushur kushtet. Gjatë këtij viti KE, do të dërgojë një mision ekspertësh në këto vende, ku do të vlerësohet puna e kryer. Shqipëria është në rrugë të mbarë në përmbushjen e standardeve teknike. Dhe besoj që deri në korrikun e vitit të ardhshëm do të përmbushë kushtet e duhura teknike”, deklaroi Fajon.
Ndërkaq, Komisioni Evropian thekson se vendi ynë ka bërë përparim të mëtejshëm në pak muaj që nga koha e raport-progresit të fundit. Në këtë drejtim, Brukseli nxit Shqipërinë dhe Bosnjën që të arrijnë tre vendet e tjera të Ballkanit në përmbushjen e reformave brenda muajve të parë të vitit 2010, kohë kur Komisioni Evropian do të raportojë mbi përparimin e tyre. Kjo do të thotë se në rast se Tirana zyrtare plotëson kushtet e udhërrëfyesit brenda këtij afati kohor atëherë përfiton menjëherë liberalizimin e vizave.
Për sa u takon tre vendeve të tjera të Ballkanit, eurodeputetja sllovene, sqaroi se vizat me Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi do të hiqen para Krishtlindjeve.
Parlamenti Evropian ka kërkuar gjithashtu nisjen e dialogut të vizave me Kosovën, krijimin e një plani udhërrëfyes për lehtësimin e vizave dhe liberalizimin, një proces i ngjashëm me ato të vendosura për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Politika e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor, siç është përcaktuar në axhendën e Samitit të Selanikut, e cilëson liberalizimin e vizave si një hap drejt anëtarësimit përfundimtar në BE. Negociatat për liberalizimin e vizave me këto vende nisën në 2008, kohe kur u parashtruan nivelet e përparimit të tyre ku përfshihej: Futja e pasaportave biometrike, të cilat qytetarët duhet t’i zotërojnë në mënyrë që të kualifikohen për programin e heqjes së vizave. Rezoluta, që në vetvete është një rekomandim politik do të merret në shqyrtim nga Këshilli Evropian i Ministrave më 30 nëntor ku dhe do të ndërmerret edhe vendimi përfundimtar.

Ministrat e BE deklarojnë në unison

Ballkani Perëndimor në BE,
prioriteti madhor i Brukselit

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian deklarojnë njëzëri se Ballkani Perëndimor do të integrohet i gjithi në Union dhe ky do të jetë prioriteti optimal i Brukselit për vitet në vijim. Kësisoj, ministrat e jashtëm të Italisë, Rumanisë dhe Hungarisë janë angazhuar për integrimin e të gjitha vendeve të Ballkanit perëndimor në Bashkimin Evropian.
“Asnjë vend i Ballkanit perëndimor nuk duhet të mbetet jashtë Bashkimit Evropian dhe integrimi i gjithë Ballkanit perëndimor duhet të jetë prioritet”, u shpreh ministri i Jashtëm italian Franco Frattini.
Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Balash, gjithashtu ka thënë se synim kryesor i Iniciativës së Evropës Qendrore duhet të jetë integrimi i vendeve të Ballkanit perëndimor në BE.
Edhe shefi i diplomacisë së Rumanisë, Katalin Predoju, ka mbështetur integrimin në BE të vendeve të Ballkanit perëndimor.
Këto komente janë bërë dje në takimin e ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të Iniciativës së Evropës Qendrore që po mbahet në Bukuresht.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›