E Diel, 1 Nëntor 2026

PS-ja zhvendoset në rrethe, fut në filtër kandidatët për zgjedhjet lokale



TIRANË – Partia Socialiste e zhvendos aktivitetin e saj nga Tirana në rrethe ku po përpunohet strategjia që do të ndjekë për zgjedhjet vendore të vitit 2011. Me urdhrin e kreut të PS-së, thuajse të gjithë deputetët janë dërguar në komuna dhe bashki të ndryshme të vendit për të studiuar gjendjen në terren vetëm pak muaj para zhvillimit të betejës së ardhshme lokale. Sipas burimeve për gazetën, pritet të futen në filtër kandidatët e mundshëm të maxhorancës, aleancat mes aleatëve në pushtet, funksionimi i strukturave partiake, deri te kriteret selektive për zgjedhjen e emrave që do të garojnë në zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm. Prej disa ditësh daljet e PS-së në selinë qendrore janë të rralla, duke u fokusuar kryesisht në raste korrupsioni te maxhoranca, ndërkohë që kreu i qeverisë po e gërsheton aktivitetin e tij politik me takime informale në zonat turistike.

Strategjia

Partia Socialiste nuk do të lejojë që zgjedhjet vendore të bëhen pjesë e manipulimeve të ulëta të Partisë Demokratike. Për këtë, kreu i selisë rozë ka përcaktuar një axhendë pune për të gjithë deputetët dhe drejtuesit e lartë të PS-së, të cilët janë shpërndarë në rrethe. Edhe pse data për zgjedhjet vendore do të caktohet në muajin shtator, të dyja partitë e mëdha politike kanë nisur konsultimet për përgatitjen e listave të “kalorësve të betejës” për zgjedhjet e vitit 2011. Rama i ka porositur kandidatët që të bëjnë analizën e zonave të tyre elektorale dhe më pas të organizohen të gjithë së bashku për të shkuar derë më derë të elektoratit, për t'u sqaruar atyre gjendjen aktuale ku ndodhet Shqipëria. Ata do të mbajnë shënime edhe për problemet më thelbësore që i shqetësojnë qytetarët dhe do t‘u premtojnë atyre zgjidhjen e problemeve.

Kandidatët
Bashkia e Tiranës mbetet të jetë “torta” e gjithë procesit të zgjedhjeve vendore si për Partinë Socialiste, ashtu dhe për Partinë Demokratike. Kryeministri Sali Berisha është shumë i interesuar ta përqendrojë në pushtetin e tij këtë bashki. Dhe për këtë atij do t’i duhet të luajë me një kandidat të fortë dhe të ruajë aleancën me LSI-në për të garantuar një fitore në zgjedhjet e ardhme për pushtetin vendor. Ende nuk dihet nëse Rama do të garojë edhe për një mandat të katërt për Bashkinë e kryeqytetit. Ndërkaq, ministri i Brendshëm, zoti Lulzim Basha, ka shprehur më shumë se një herë dëshirën për të kandiduar për zgjedhjet e ardhshme vendore.
Një tjetër përballje e fortë është ajo e Durrësit, ku LSI-ja i ka kërkuar aleates më të madhe në qeverisje, PD-së, që të dalë me kandidatin e saj. Në këto ditë mediat kanë filluar të lakojnë edhe emra për bashkitë kryesore të vendit, ndërsa PS-ja ende nuk ka vendosur se çfarë strategjie do të ndjekë përsa i përket reformës zgjedhore, kur nuk ka nisur ende puna për hetimin e zgjedhjeve të kaluara. PS-ja po bën luftë për më shumë se një vit që të hapen kutitë në mënyrë që të bëhet transparenca e plotë e zgjedhjeve të 28 qershorit. Ndërkaq, socialistët nuk po rrinë duarkryq, kur kanë mbetur vetëm pak muaj nga përballja e radhës mes PD-së dhe PS-së, e cila pritet të përcaktojë edhe të ardhmen politike të zotit Rama në krye të Partisë Socialiste.

10 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›