Kosova, situatë e komplikuar ndërkombëtare para takimit të OKB-së
Përpjekjet serbe për të miratuar rezolutën në Kombet e Bashkuara në muajin shtator kanë krijuar një fazë të ndërlikuar në politikën europiane dhe më gjerë. Bashkimi Evropian ka caktuar 9 shtatorin si afatin e fundit për të siguruar unifikimin e të 27 vendeve anëtare mbi projekt/rezolutën për Kosovën, dhe një vendim i tillë do të ndërmerret edhe në qoftë se Spanja dhe katër vendet e tjera evropiane nuk do të bien dakord. Ndërkohë, autoritetet serbe, megjithëse janë deklaruar të hapura për diskutime, kanë këmbëngulur në qëndrimin e mos përfshirjes së vendimit të GJND-së në tekstin e projekt rezolutës së tyre përveç, siç thuhet, marrjes në dijeni të këtij mendimi. Por, në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, nuk përjashtohet mundësia që edhe Shqipëria të paraqesë një draft-rezolutë alternative. Sipas BBC-së, propozimi mund të vijë nga Tirana zyrtare ose ndonjë vend tjetër anëtar i OKB-së
Reagimi i Brukselit
BE-ja thotë se është në dijeni të projekt rezolutës serbe dhe zyrtarë të saj kanë deklaruar se po bëjnë përpjekje për të bashkërenduar qëndrimet me Beogradin zyrtar për ndryshime në përmbajtjen e saj, duke insistuar në njohjen e vendimit të GJND-së dhe hapjen e bisedimeve mes Prishtinës e Beogradit, për çështjet e interesit të përbashkët, por jo edhe të statusit të Kosovës. Qëndrimi i një numri vendesh anëtare të BE-së dhe Uashingtonit zyrtar u është bërë i qartë autoriteteve serbe, pasi vendimi i GJND-së mbyll çështjen e statusit të Kosovës dhe ai, sipas tyre, hap perspektiva të reja për të dyja vendet.
Megjithatë ka zëra që thonë se BE-ja po mundohet të arrijë një pajtueshmëri edhe me të 27 vendet anëtare të saj, që në rast të dështimit të paraqitjes së një qëndrimi të përbashkët me Serbinë, të shtyjë një projektrezolutë të saj, që siç vlerësohet, do të ndërlikonte punimet e vetë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Mediat kosovare thonë se Brukseli kërkon përputhje të qëndrimeve të “pesëshes” me atë të 22 vendeve të tjera që e kanë njohur shtetin e ri. Sipas burimeve, një gjë e tillë do të kishte ndikim të rëndësishëm kur rezoluta e hartuar nga baronesha Kethrin Eshton do të dorëzohet në selinë e OKB-së, në Nju Jork. Mbi të gjitha, shtojnë më tej burimet, është vendi iberik pengesa kryesore në këtë proces që është aq i rëndësishëm për Kosovën.
Shqipëria draft tjetër për Kosovën?
Gjithashtu, mendohet se, në rast të mos arritjes së pajtueshmërisë me Beogradin zyrtar, projekt rezoluta e dytë që do të mund të paraqitej në Asamblenë e Përgjithshme do të ishte ajo e sponsorizuar nga Shqipëria dhe ndonjë vend tjetër anëtar i OKB-së.
Autoritetet në Prishtinë ndërkaq thonë se janë të gatshme për veprime konkrete në prag të mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme, por gjithnjë në bashkërendim me shtetet që tashmë e kanë njohur pavarësinë e saj. Deri më tani, Britania dhe SHBA kanë kërkuar nga Beogradi që të mos ndërmarrë veprime, duke paraqitur dokumentin e saj për Kosovën. Në kohën kur Prishtina zyrtare është e angazhuar për sa më shumë njohje, dhe Beogradi po përpiqet që të bllokojnë nismat e autoriteteve kosovare për shtimin e njohjeve për shtetin e Kosovës, Shqipëria po ushtron një fushatë aktive në këtë verë të nxehtë. Kreu i diplomacisë shqiptare, zoti Ilir Meta ka bërë vizita në disa vende europiane si Spanjë, Qipro, Moldavi, apo Greqi.
Emri, shoqëria civile maqedonase kërkon mbylljen e bisedimeve me Athinën
SHKUP - Dhjetëra organizata maqedonase bëjnë thirrje për ndërprerjen e negociatave me Greqinë për çështjen e emrit, me arsyetimin se askush nuk guxon dhe nuk ka mandat të negociojë për diçka që është e shenjtë për çdo popull, siç është identiteti, gjuha apo ndryshimi i emrit të shtetit. Disa grupe, kryesisht nga diaspora maqedonase e kanë lëshuar një apel të tillë prej kohësh, të cilit i janë bashkuar edhe organizata brenda Maqedonisë, përfshirë së fundi edhe Qendrën maqedonase për Hulumtimin dhe Hartimin e Politikave, si dhe analistë të ndryshëm. Njëri prej tyre është Sllodoban Çashule, ish-ministër i Jashtëm i Maqedonisë. Ai thotë se si rezultat i politikës së marrë, çorientuese dhe zënkave idioteske brenda politikës maqedonase, Greqia ka arritur që të imponojë negociata në vend të bisedimeve vetëm për dallimet rreth emrit, ashtu siç parashikon edhe marrëveshja e përkohshme e vitit 1995. Çashule thotë se është koha për ndërprerjen e menjëhershme të negociatave. “Sipas Kombeve të Bashkuara, marrëveshjes së përkohshme që është arritur edhe me pëlqimin e palës greke, ne duhet të bisedojmë për dallimet, e jo për ndryshimin e emrit. Por, për shkak të marrëzive tona dhe diktatit grek, këto bisedime, Athina arriti t'i shndërrojë në negociata për ndryshimin e emrit”. “Pala greke tani, përveç emrit të shtetit, kërkon ndryshimin edhe të identitetit dhe nëse kjo bëhet, atëherë, sipas saj, gjithçka do të ishte në rregull”, thotë Çashule, duke mbrojtur qëndrimin për ndërprerjen e negociatave me Greqinë. Ai shton se nuk ka forcë politike në Maqedoni që do të pranonte kushtet e vendosura nga pala greke.
Por, vlerësimet e këtilla jo vetëm të ish-shefit të diplomacisë maqedonase, por edhe të organizatave të ndryshme maqedonase kundërshtohen nga shqiptarët.
Ish-diplomati Mahi Nesimi, thotë se kërkesat për ndërprerjen e bisedimeve nuk i sjellin asgjë të mirë Maqedonisë, përkundrazi. “Ndërprerja e bisedimeve do të ishte vdekjeprurëse për Maqedoninë. Nëse ndërpriten bisedimet, e hidhëruar nga kjo, Greqia mund ta pengojë fillimin e bisedimeve të Maqedonisë me Bashkimin Evropian, në çdo moment tjetër, jo lidhur me kontestin rreth emrit, por për shkaqe tjera, të cilat mund të jenë në numër të madh”. Kryeministri Nikolla Gruevski pak ditë më parë deklaroi se qeveria nuk mendon t’i ndërpresë negociatat me Greqinë, por tha se do të jetë shumë e kujdesshme që bisedimet të mos i dëmtojnë interesat shtetërore e nacionale të Maqedonisë.
Analistët: Ndarja e kufijve, rrezik për Ballkanin
PRISHTINË - Analistët dhe njohësit e zhvillimeve në Maqedoni dhe rajon kanë komentuar kërkesën e zëvendëskryeministrit serb, Ivica Daçiç për një marrëveshje të re në Ballkan, e cila parashikon ndarje dhe shkëmbim territoresh. Analisti politik, Albert Musliu thotë se ndarja eventuale e Kosovës do të ishte e tmerrshme për Maqedoninë dhe katastrofike për Bosnjë Hercegovinën.
Ai thekson se skenari i zyrtarit të lartë serb është vetëm një ide e cila nuk ka gjasa të realizohet. “Ndarja e Kosovës do ta destabilizonte Ballkanin, kurse në Maqedoni do të sillte disa ide dhe mundësi për ndarjen ose federalizmin e vendit”, pohon Musliu për agjencinë e lajmeve “INA”. Ndërkaq, Stevo Pendarovski, ish-këshilltar për politikën e jashtme dhe sigurinë në qeverinë maqedonase vlerëson se, për stabilitetin e rajonit dhe Maqedoninë do të kishte qenë më keq nëse vendimi i GJND-së do të shpallej në favor të Serbisë.
Zjarret, smogu i tymit bukos Moskën
MOSKË - Zyrtarët rusë kanë paralajmëruar popullin në Moskë të qëndrojë brenda dhe të shmangë lodhjen fizike për shkak të smogut më të tmerrshëm që ka mbuluar qytetin. Një organizatë ndërkombëtare mjekësore në Rusi ka paralajmëruar njerëzit që udhëtojnë për në Rusi të mos shkojnë në Moskë për shkak të nivelit të lartë të ndotjes. Kryetari i klinikës International SOS, Dr Doug Stevens, thotë se kushtet janë tepër të rrezikshme sidomos për personat në moshë, fëmijët dhe gratë shtatzëna, të cilët duhet të konsiderojnë largimin nga Moska, thotë ai. Moska është e mbuluar me një shtresë të trashë smogu pas zjarreve të egra që vazhdojnë të digjen në pyjet jashtë kryeqytetit. Niveli i dioksidit të karbonit është 6 herë me i lartë se niveli normal dhe në disa zona është edhe më i lartë.
Ministria ruse e emergjencave ka thëne se 52 vetë kishin humbur jetën deri tani si rezultat i zjarreve që kanë prekur disa pjesë të vendit në kushtet e temperaturave të larta.
Zyrtarët thonë se ka të paktën 500 vatra aktive zjarri, por shtojnë se po arrijnë të shuajnë një pjesë të mirë të zjarreve. Nga zjarret është prekur një sipërfaqe rreth 5 mijë kilometra katrorë. Sipas zyrtarëve rusë, një pjesë e këtyre zjarreve janë shkaktuar nga hedhja e bishtave të cigareve.
Kapen 2 tonë cigare kontrabandë në Itali
ATHINË/ROMË- Më tepër se dy tonë cigare kontrabandë me prejardhje nga Moldavia janë sekuestruar dje nga Policia Financiare italiane. Cigaret kontrabandë me vlerë 600 mijë euro, ishin fshehur në bidonë detergjentesh larës. Cigaret u ndaluan në momentin kur po shkarkoheshin nga një kamion qe vinte nga Greqia, në një depo të provincës qendrore italiane të Peruxhas. Në pranga përfunduan 4 shtetas moldavë. Sipas policisë, një rrjeti kontrabande i përbërë nga shtetas moldavë operonin me sasi të mëdha cigaresh drejt Evropës.
Francë, nis dëbimi i komuniteti rom nga kampet
PARIS - Në Francë ka nisur çmontimi i kampeve ilegale të romëve, pas një urdhri të presidentit Sarkozi për heqjen e qindra kampeve të tilla. Ditën e premte rreth 100 persona u lëvizën pasi policia boshatisi një kamp në qendër të qytetit Sant Etien. Popullsia rome jetonte aty me kasolle të improvizuara dhe tenda të ngritura që prej muajit maj. Ky është aksioni i parë që zhvillohet kundër tyre që kur presidenti Sarkozi njoftoi një javë më parë planin për të mbyllur 300 kampe ilegale në tre muajt e ardhshëm. Presidenti deklaroi gjithashtu se anëtarët e komunitetit rom që janë përfshirë në prishje të rendit publik do të dëbohen menjëherë nga vendi. Urdhri i pallatit Elize u dha si kundërpërgjigje ndaj sulmit që u bë muajin e kaluar ndaj një stacioni policie në qytetit Lugina Lërua, nga një grup romësh.
9 Gusht 2010