PS kërkon pavlefshmëri, Kolegji administron provat
Sot pritet të marrë fund dilema për kryetarin e ri të Bashkisë Tiranë. Kolegji Zgjedhor, pasi ka dëgjuar argumentet e palëve në debat, duke dalë jashtë natyrës së punës së vet, ku vendimet i jep brenda ditës, ka marrë kohë deri sot në orën 10:00 për të shpallur verdiktin mbi kërkesën e Partisë Socialiste, objekti i së cilës ka të bëjë tashmë jo vetëm me atë që paraqitej në mënyrë të shkruar, pra detyrimin e KQZ-së të marrë në shqyrtim kërkesën e tyre, por edhe me një pikë të dytë të shtuar dje verbalisht (me gojë) për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në kryeqytet. Një shtesë kjo që ka sjellë kundërshtimin e palës së interesuar Partia Demokratike, e cila ka cilësuar atë si të paligjshme, për shkak se është jashtë objektit të kërkesës së shkruar, dhe mbi të gjitha jashtë afateve. Pavarësisht kësaj, Kolegji ka pranuar të marrë në shqyrtim provat e paraqitura nga socialistët, përfshi këtu edhe ato që u servirën në funksion të kërkesës për pavlefshmëri, një shenjë kjo që është interpretuar nga socialistët, si marrje në konsideratë edhe të kërkesës së re gojore.
Seanca
Ndryshe nga një ditë më parë, seanca e djeshme ka nisur pa ndonjë surprizë, përsa i përket kërkesave procedurale, ndërsa trupi gjykues ka ftuar palët të prezantojnë qëndrimet e tyre. E përfaqësuar me 4 avokatë, PS ka nisur të prezantojë kërkesën e vet nëpërmjet deputetit Damian Gjiknuri. Ai e ka nisur mbrojtjen e tij, duke u marrë me legjitimitetin në tre aspekte, atë si subjekt, kohor dhe në përmbajtje. Pra ndërsa në aspektet e para, pra legjitimimi si subjekt dhe kohor kishte të bënte me objektin e çështjes që trajtonte kërkesa e shkruar e PS-së, Gjiknuri ka kapërcyer me argumentet e veta dhe ka folur për legjitimitetin e materies, pra të përmbajtjes apo themelin e gjithë debatit për zgjedhjet. Një lëvizje kjo që ka nxjerrë zbuluar lëvizjen e një dite më parë, ku ata u tërhoqën nga kërkesa për pavlefshmëri, e cila qartazi duket se ka pasur të bëjë me mosbesimin e PS ndaj trupës gjykuese. “Për arsye të mospërmbushjes nga KQZ-ja të këtyre detyrimeve ligjore dhe kushtetuese, i drejtohemi Kolegjit Zgjedhor të zgjidh përfundimisht mosmarrëveshjen e krijuar, duke shpallur pavlefshmërinë e zgjedhjeve”, - tha Gjiknuri. E për të bindur trupën gjykuese për këtë kërkesë, PS ka paraqitur në sallë me anë të një stende, disa raste ku sipas saj falë ndërhyrjes së KQZ-së në procesin e numërimit dhe vlerësimit të votave u krijuan parregullsi dhe mosrakordim shifrash mes numrit të votuesve që kishim marrë pjesë në zgjedhje dhe numrit të votave të gjendura në kuti. Avokati Eridian Salianji ka ilustruar njëri pas tjetrit rastet e evidentuara nga PS si problematike dhe që në total, sipas tij, shkon në 284 qendra votimi, të cilat në total krijojnë diferencë prej 870 votash më shumë. Megjithatë, kjo kërkesë e re nuk ka bërë që socialistët t’i përmbahen edhe objektit zyrtar të kërkesës së depozituar në datën 2 korrik dhe që ka të bëjë me detyrimin e KQZ, për të marrë në shqyrtim kërkesën për pavlefshmëri. Gjiknuri ka shpjeguar se argumentat e dhëna nga KQZ për moskompetencë dhe afatet nuk qëndrojnë. Sipas tij kërkesa ishte në afat, pasi deri në datën 25 qershor nuk kishte pasur tabelë përfundimtare të rezultatit për shkak se ajo e miratuar me vendimin 711 ishte rëzuar nga Kolegji Zgjedhor. Një gjë e tillë me insistmin e avokatit Eno Bushi është pranuar gjatë seancës së djeshme edhe nga drejtoresha juridike e KQZ-së Dëshira Pasko, e cila ka deklaruar se vendimi 711 ishte rrëzuar nga Kolegji.
Demokratët
Palën e interesuar, Partia Demokratike, në këtë seancë e ka përfaqësuar avokati Ivi Kaso, i cili që në fillim të parashtrimeve të veta ka theksuar faktin se kërkesa për pavlefshmëri është jashtë objektit dhe për pasojë nuk mund të pranohet nga gjykata. Për këtë, ai ka argumentuar se nuk ka procedurë gjyqësore që ta pranojë një kalim të tillë, nga kërkesa për të detyruar KQZ-në, në kërkesën për pavlefshmëri. Gjithashtu, ai ka prurë në vëmendje të gjykatës se në mënyrën sesi e prezantuan socialistët kërkesën e tyre, ata bien në kontraditë me veten e vet, pasi nuk bëjnë të qartë nëse pavlefshmërinë tani ia kërkojnë KQZ-së apo kolegjit. “Dua të sqaroj se ne thamë se shkeljet e ligjit ditën e zgjedhjeve sjellin pavlefshmëri, ndërsa shkeljet e tjera janë të matshme dhe jo më kot legjislatori thotë pavlefshmëri të zgjedhjeve dhe jo të rezultatit. Kjo sepse rezultati ka të bëjë me pjesën e pasvotimit dhe që mund të zgjidhet me hetim administrativ”, - tha Kaso. Ndërkohë, përsa i përket objektit të kërkesës zyrtare, asaj për të detyruar KQZ-në që të marrë vendim për kërkesën e socialistëve, PD është shprehur se kjo është antiligjore, pasi ky institucion ka marrë vendim dhe nuk mund të detyrohet të rimarrë një vendim të dytë për të njëjtën çështje. Në përfundim, gjykata ka ftuar palët për të dhënë prapësimet e fundit si dhe kërkesat përfundimtare.