“Shkurtimet në buxhet garantojnë rritjen ekonomike dhe stabilizojnë borxhin publik”

Ministri i Financave Ridvan Bode
Kreu i Financave shprehet se shkurtimi i buxheti të shtetit me një vlerë prej 18.3 miliardë lekë, i miratuar në parim nga Kuvendit i Shqipërisë, nuk cenon rritjen ekonomike dhe nuk vë në rrezik rritjen e borxhit. Bode ka dhënë garanci se rritja ekonomike do të jetë sipas parashikimeve, në masën 5 % dhe se borxhi nuk do të rritet, pasi do të jetë i kontrolluar nga qeveria
Ministri i Financave Ridvan Bode mbrojti dje në Kuvend shkurtimet në buxhetin e këtij viti, duke deklaruar se prioritet do t’i jepet investimeve infrastrukturore si dhe rritjes së pagave e pensioneve. Nga shkurtimi i shpenzimeve pritet të arkëtohen në buxhetin e shtetit plot 18.3 miliardë lekë më shumë, të cilat do i vihen ekonomisë në dispozicion, për realizimin e planit të investimeve për vitin 2011.
Ministri Bode tha se rishikimi i buxhetit të vitit 2011 synon së pari të përshtatë zhvillimet në financat publike, me atë ç’ka ndodhi dhe u përjetua në ekonominë reale në periudhën e 6 mujorit parë të vitit dhe së dyti për të reflektuar një sërë masash dhe reformash të ndërmarra nga ana e qeverisë, në fushën e financave publike por edhe në shumë sektorë te ekonomisë reale apo asaj financiare. Ai thekson se ekonomia shqiptare, vlerësohet si ekonomia me ecurinë më pozitive përgjatë periudhës së krizës.
“Viti 2010 u mbyll me një rritje ekonomike prej rreth 4 %, që përbën dhe rritjen më të madhe në rajon. Po ashtu edhe zhvillimet përgjatë vitit 2010 ishin tërësisht pozitive”, tha Bode.
Po ashtu ai vuri theksin edhe tek rritja e eksporteve shqiptare gjatë vitit 2010, të cilat sipas tij vazhduan me të njëjtat ritme edhe gjatë vitit 2011.
“Një faktor tjetër i rëndësishëm ishte edhe rritja e vëllimit të depozitave me rreth 19 % dhe rritja e nivelit të kredive me 10 %, të cilat shërbyen si mbështetës për të krijuar dhe për të rihyrë në fazën e vlerësimeve të ekonomisë shqiptare, për të vlerësuar kërkesën e brendshme dhe atë konsumatore”, ka pohuar Bode.
Për sa i përket pritshmërisë së një sërë aktivitetesh ekonomike për vitin 2011, ministri i Financave tha se këto pritshmëri ishin të bazuar në skenarë optimistë që ofroi Europa dhe institucionet financiare ndërkombëtare në vjeshtën e vitit 2010.
Më tej, Bode shprehet optimist përsa i përket zhvillimeve ekonomike të vitit 2011 duke theksuar se ato vërehen të jenë pozitive. Ai tha se rritja ekonomike nga 3.4% që ishte 3 – mujorin e parë, do arrijë në shifrën 5% deri në fund të këtij viti. Bode tha se objektivi i qeverisë shqiptare mbetet rritja ekonomike prej 6% në vit.
“Në tremujorin e parë të vitit 2011, u konfirmua një rritje prej 3.4 % në terma pozitivë,duke përvijuar një rritje më të mirë në dy vitet e fundit dhe një shpresë për t’u rikthyer gradualisht në rritjen tonë normale prej 6 %, por që duket se edhe për këtë vit nuk do jetë e mundur”.
Po ashtu ministri i Financave bën me dije se pasurimi i importeve, të të mirave kapitale është mbi 30 % për 6 mujorin e parë të këtij viti, gjë që dëshmon se Shqipëria është në fazën e kryerjes së investimeve të konsiderueshme në ekonominë reale.
“Edhe rritja rreth 40% gjatë 5 muajve të parë të vitit e kredisë për ekonominë, është një rritje e kreditimit për investime në sektorin privat. Gjithashtu edhe Stabiliteti i kursit të këmbimit të lekut në raport me valutat e huaja përbën dëshminë më të qartë të vitalitetit që ka ekonomia shqiptare përgjatë kësaj periudhe”, konfirmoi Bode.
Në këtë prezantim të ndryshimeve në buxhetin e vitit 2011, Bode tha gjithashtu se ekonomia shqiptare ka një treng pozitiv porsa i takon punësimit. Sipas tij, përgjatë vitit 2010, ndryshe nga vendet evropiane të cilat shkurtuan mijëra vende pune, në Shqipëri u punësuan 16 mijë persona.
“Përgjatë vitit 2010, ndryshe nga sa ndodhi në ekonomitë e vendeve të rajonit, u punësuan rreth 16 mijë persona, duke ulur nivelin e papunësisë në 13.5 % në fund të vitit 2010. Tremujori i parë i vitit 2010 flet gjithashtu për një dinamikë pozitive në tregun e punës. Rreth 3500 persona të rinj janë punësuar krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2010 dhe norma e papunësisë arriti në 13.43. Këto zhvillime pozitive na bëjnë optimistë, për të mbështetur skenarin e një ekonomie me rritje pozitive dhe me një pritshmëri që do të çojë në një rritje prej 5% e të ardhurave të buxhetit dhe rritjen e buxhetit në tërësi për gjatë vitit 2011. Rritje kjo e cila do të ishte dhe më e larta në rajon dhe në nivel evropian”, ka vënë në dukje ministri Bode.
Më tej ai ka theksuar se ky projektligj konsiston në uljen vëllimit të shpenzimeve të programuara dhe afrimin e të ardhurave në përputhje me këtë projektligj.
“Ne duhet t’i përmbahemi parimit të prosperitetit financiar që ndërmorëm vitin e kaluar, dhe duhet që konsolidimi financiar të jetë objektivi thelbësor i masave dhe reformave të ndërmarra, dhe i praktikave tona në menaxhimin e financave publike. Për stabilizimin e mëtejshëm të borxhit publik qeveria vjen me një paketë propozimesh që reflektojnë nevojën për konsolidim të mëtejshëm financiar të vendit, të buxhetit në radhë të parë, dhe për mundësi më të mëdha për t’i garantuar hapësira më të gjëra ekonomisë private dhe biznesit”, tha më tej Bode, duke kërkuar votën e ligjvënësve.
Përsa i përket sektorit të telekomunikacioneve, ministri i Financave tha se ato kanë pësuar rënie për dy arsye:
“Së pari për vetë faktin e uljes së vazhdueshme të tarifave, të kostove, të çmimeve të shërbimit që ata bëjnë për qytetarët, që do të thotë një vëllim qarkullimi në vlerë më i ulët, dhe një vëllim qarkullimi në natyrë më i madh dhe nga kjo një rritje ekonomike më e ulët, dhe një kontribut më i ulët ose negativ në buxhetin e shtetit në taksa e tatime. Dhe së dyti për faktin se në këtë treg po zhvillohen tashmë investime nga dy kompani të reja private, të cilat operojnë rreth 30% – 40 % të këtij tregu, e të cilat vijojnë të mos jenë kontributore në tatime e taksa, por të ndodhen në fazën e kryerjes së investimeve për funksionimin e tyre”, ka deklaruar dje në Kuvend kreu i Financave, Ridvan Bode.
Pas diskutimit në parim të buxhetit të vitit 2011, buxheti do të rikthehet sërish në Komisionet Parlamentare për diskutimin nen për nen.