Përfaqësuesi ligjor i PD, Ivi Kaso
“Kolegji të rrëzojë padinë e PS-së, është jashtë afatit për pavlefshmëri”
Përfaqësuesi i Partisë Demokratike Ivi Kaso ka kërkuar dje nga Kolegji të rrëzojë kërkesën e Partisë Socialiste për pavlefshmëri të zgjedhjeve në 284 qendra votimi në kryeqytet. Duke folur në seancën e Kolegjit Kaso ka theksuar se nuk ka shkaqe që zgjedhjet të cilësohen të pavlefshme. Sipas tij, beteja e Partisë Socialiste është për rezultatin e zgjedhjeve dhe jo për pavlefshmërinë e tyre.
Ndërkohë në kërkesën e depozituar në 2 korrik, Partia Socialiste kërkon nga Kolegji që të urdhërojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të marrë në shqyrtim kërkesën e bërë prej saj ku kërkohet të shpallet i pavlefshëm vendimi i cili shpalli fitues kandidatit demokrat Lulzim Basha me 93 vota. Kësisoj, për Partinë Demokratike socialistët janë jashtë afatit të padisë dhe afateve për pavlefshmëri. Pavlefshmëria sipas juristit Kaso, duhet të ishte kërkuar ditën e zgjedhjeve bazuar në dispozitat e Kodit Zgjedhor, ndaj ai i kërkoi trupit gjykues rrëzimin e kërkesës me objekt shtesë. Mbi të njëjtin argument ligjor u mbështet edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmes drejtoreshën Juridike Dëshira Pasko. Pasi administroi provat e socialistëve, Gjykata vendosi të shprehet të premten (sot) për vendimin lidhur me padinë e juristëve të selisë rozë.
Por kush janë variantet mbi të cilat mund të shprehet të premten trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Sashenka Jonuzi?
Në këtë rast juristët argumentojnë se gjykata mund të rrëzojë padinë e socialistëve, duke lënë në fuqi vendimin e KQZ-së dhe për pasojë gara për Tiranën konsiderohet e mbyllur, duke u shpallur fitues Lulzim Basha me 93 vota më shumë. Ndërsa varianti i dytë sipas juristëve ka të bëjë me faktin se Kolegji mund të pranojë padinë e socialistëve dhe të urdhërojë KQZ-në që të shqyrtojë kërkesën ankimore për pavlefshmëri të zgjedhjeve në 284 qendra votimi në kryeqytet.
Më pas socialistëve u lind e drejta për të ankimuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kolegjin Zgjedhor të Apelit. Dhe varianti i tretë sipas juristëve shkon përtej ligjit. Sipas tyre, Kolegji mund të pranojë shqyrtimin e shtesës së padisë së PS për të shqyrtuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Tiranë, por kjo në shkelje të hapur me ligjin.