E Diel, 1 Nëntor 2026

Pollo: Detyrim i Shqipërisë në kuadër të MSA-së, sulmojnë ata që kemi votuar

08-07-2011 / Gazeta 55

“Censusi 2011”, Kuvendi miraton projektligjin

Kuvendi miratoi dje me 71 vota “pro” dhe dy abstenime disa ndryshime në ligjin “Për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë dhe banesave”, një proces ky i zyrtarizuar me emrin “census”.
Projektligji, që parashikon amendim të ligjit të miratuar në vitin 2000, synon të zgjidhë nevojat imediate për një përmirësim të kuadrit ligjor në procesin e regjistrimit të popullsisë dhe banesave, që do të nisë në muajin tetor. Ministri për Inovacionin, Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimin, Genc Pollo, duke mbrojtur nismën e qeverisë në Kuvend, tha se ndryshimet në këtë ligj janë një detyrim i qeverisë shqiptare në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Sipas tij, p/ligji ka të bëjë me adoptimin e legjislacionit europian në fushën e mbrojtjes të të dhënave personale, e cila parashikohet të ruhet me rregulla të përcaktuara. Ministri Pollo tha para ligjvënësve se projektligji i paraqitur i shërben modernizimit të bazës ligjore për zhvillimin e censusit në Shqipëri.
Projektligji abrogon anomalitë e ligjit të vitit 2000, vendos ndëshkime të arsyeshme për cilindo që nuk respekton rregullat e censusit dhe nuk tregon korrektesën e detyrueshme ndaj tij, mbron të dhënat personale, siç e lyp ligji kombëtar dhe ligji evropian. Ky projektligj i votuar në Kuvend do të bëjë të mundur që censusi i vjeshtës të jetë cilësor, i besueshëm, i vlefshëm dhe krejt i krahasueshëm me të ngjashmit e tij, me censuset e mbajtura në vendet e BE-së.
“Shpreh keqardhje, vijoi ministri Pollo, për denigrimin veresie që i bënë këtij projektligji zyrtarë, të cilët Kuvendi, përfshi edhe mua, i ka votuar pak vite më parë; dhe qysh atëherë ne rrimë e vështrojmë se si ata degradojnë ofiqin e tyre, madje nuk u mjafton as kjo por tentojnë ndotjen edhe në çështjet e të tjerëve. Por gjërat me kohë do të ecin në rrjedhën e tyre e problemet do të ndreqen”, u shpreh ministri Pollo.
Ndër amendamentet e miratuara dje në ligj vlen për t’u përmendur përshtatja e terminologjisë, duke zëvendësuar termin “regjistrim” me fjalën “census”, për t’i dhënë procesit një identitet të unifikuar, në përputhje me fjalorin e gjuhës shqipe.
Një element tjetër i rëndësishëm, që u amendua, ishte shfuqizimi i pikës 3 të nenit 1, të ligjit të vitit 2000. Nëpërmjet këtij ndryshimi synohet të theksohet fakti se të dhënat e mbledhura nga censusi nuk do të përdoren për hartimin e listave zgjedhore si dhe për pasurimin e regjistrave të gjendjes civile. Projektligji riformulon gjithashtu konceptin për detyrimin ligjor të individëve për t’u përgjigjur. Pra të gjithë shtetasit shqiptarë dhe të huaj, të cilët në momentin e censusit ndodhen në territorin e Shqipërisë, janë të detyruar të japin në mënyrë të plotë, të saktë dhe të besueshme informacionin e përcaktuar si të detyrueshëm në pyetësorët e censusit të popullsisë, të miratuar nga Komisioni Qendror i Censusit. Projektligji propozoi edhe një rregullim në vendosjen e sanksioneve (gjobave) për kundërvajtjet administrative që ndodhin gjatë procesit të censusit, duke u nisur edhe nga ligjet mbi censusin e popullsisë dhe banesave të vendeve anëtare, apo edhe kandidate të Bashkimit Evropian si Çeki, Slloveni e Kroaci, etj.
Një amendim i ligjit ekzistues zgjidh nevojat imediate për një përmirësim të kuadrit aktual ligjor, por në mënyrë që të krijohet një bazë e konsoliduar dhe e plotë ligjore për procesin e censusit të popullsisë dhe banesave dhe për të minimizuar efektet negative në praktikë, në vjeshtë, mendohet hartimi i një ligji të ri për censusin e popullsisë dhe banesave. Një ligj i ri për censusin do të ndihmonte në përcaktimin e një procedure edhe më transparente për censusin, mekanizma institucionale me kompetenca dhe detyra të ndara qartë, duke përmirësuar ndjeshëm marrëdhënien midis tyre, me qëllim kryesor zbatimin me efiçencë të dispozitave të ligjit.
Për hartimin e projektligjit, Qeveria shqiptare është asistuar nga ekspertë të huaj dhe vendas, të cilët kanë dhënë edhe rekomandimet përkatëse, duke pasur në konsideratë standardet dhe rekomandimet ndërkombëtare të BE-së dhe EUROSTAT në këtë fushë, si dhe legjislacionin dhe eksperiencën e vendeve të tjera për çështjet e censusit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›