PS koalicion me 24 parti në “Opozitën e Bashkuar”
Dy partitë e mëdha e kanë filluar betejën elektorale nga koalicionet me të cilat do të dalin në zgjedhjet e ardhshme vendore. Duke qenë e bindur se sistemi elektoral favorizon koalicionet, opozita sfidon mazhorancën dhe pesëfishon grupim e saj e saj elektoral në krahasim me atë që u paraqit në zgjedhjet parlamentare të 2009-s. Megjithëse jo në mënyrë përfundimtare, koalicioni i majtë që me shumë gjasa do emërtohet “Opozita e Bashkuar”, do të ketë rreth 25 parti politike, pra tre më shumë se sa do të ketë ai i së djathtës.
Koalicioni
Brenda së hënës PS-ja pritet të nënshkruajë marrëveshjen e bashkëpunimit me partitë të cilat do t’i ketë aleate në zgjedhjet e ardhshme vendore që do të zhvillohen më 8 Maj. Pavarësisht dyshimeve mbi standardet e këtyre zgjedhjeve, socialistët, ashtu si edhe demokratët në anën tjetër, po punojnë fort për të patur një koalicion sa më të gjerë partish me të cilin do të konkurrojnë në këto zgjedhje. Burime pranë selisë rozë kanë bërë të ditur dje se, për finalizimin e këtij koalicioni po punojnë prej kohësh ish-deputeti i kësaj force Ndre Legisi dhe sekretari i Asamblesë Kombëtare të PS-së, Armando Subashi. Kështu, Legisi po punon për gjetjen dhe afrimin e forcave të cilat janë të gatshme të jenë në krah të socialistëve në këto zgjedhje, ndërsa Subashi po negocion kokë më kokë me krerët e këtyre forcave për modalitetet e këtij bashkëpunimi, duke përfshirë edhe çështjen e ndarjes së njësive të lira për aleatët. Të njëjtat burime kanë konfirmuar se deri më tani numri i partive të cilat kanë rënë dakord të konkurrojnë së bashku me PS-në ka arritur në 24. Por nga i gjithë ky numër i madh partish mësohet se vetëm pak subjekte mund të konsiderohen parti të mirëfillta ose “parti tryeze” siç konsiderohen në PS, pasi pjesa dërrmuese njihen si “parti sigle”, pra pa ndonjë mbështetje të veçantë. Madje, një pjesë e këtyre forcave edhe kanë firmosur një marrëveshje paraprake bashkëpunimi me PS-në, ndërkohë që nga burime të tjera pranë selisë rozë bëhet e ditur se po diskutohet edhe për emrin që do të marrë ky koalicion dhe se deri më tani janë trajtuar tre variante të ndryshme. Megjithatë, emri më i mundshëm mësohet se do të jetë ai që ky koalicion ka dhe aktualisht, pra “Opozita e Bashkuar”.
Marrëveshja
Të gjitha partitë e tjera që nuk kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit do kenë mundësi ta bëjnë këtë brenda ditës së hënë. Faktikisht bëhet fjalë për dy marrëveshje të ndryshme, një të përgjithshme, ku do jenë emrat e të gjitha partive dhe ku do shprehet vullneti për t’u bashkuar në një koalicion; dhe një tjetër që ka të bëjë me specifikat e këtij bashkëpunimi për çdo forcë, pra duke përcaktuar dhe njësitë apo vendet e lira që do t’u lihen në këshillat e komunave apo bashkive. Partitë kryesore të këtij koalicioni, si PSD, PDS, PBDNJ, PDK, PSV91 apo G99 mësohet se në kërkesat e tyre kanë paraqitur interes, përveç komunave, edhe për një numër të konsiderueshëm bashkish të niveleve të dyta dhe të treta. Më të vështira mësohet se janë paraqitur bisedimet me PSD-në, e cila ka paraqitur një listë të gjatë bashkish dhe komunash, duke përfshirë Librazhdin, Gramshin, Peshkopinë, Ballshin, Koplikun, Rrogozhinën, Bilishtin, Shëngjinin apo dhe Përmetin. Duke u nisur nga problematika e lindur gjatë këtyre negociatave, socialdemokratët i kanë paraqitur socialistëve dhe një projekt-marrëveshje të veçantë, duke i bërë të ditur dhe synimet e tyre. Ndërkohë që PDS mësohet se ka kërkuar bashkitë e Roskovecit, Gramshit, Këlcyrës, Manzës dhe Bilishtin, ndërsa PDK Shkodrën, Lezhën, Rrëshenin, Kurbin dhe një komunë me popullsi katolike në Sarandë. Përsa i përket PBDNJ-së, dihen tashmë pretendimet e saj për Himarën dhe një sërë komunash me popullsi minoritare në jug. Të pakta kanë qenë pretendimet e PSV91, e cila, siç mësohet, ka shprehur interes për një bashki dhe rreth 6 komuna në gjithë vendin. Ndërkohë që shumica dërrmuese e këtij koalicioni duket se ka kërkuar vetëm favorizim nga PS për anëtarë në këshillat bashkiak dhe komunal.