E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mashtrimi 4 mln euro, Indrit Aliu dënohet me 15 vjet burg

SHKRUAN: Leonard Bakillari 17-03-2011 14:37

Tiranë Ishte vetëm 23 vjeç, kur arriti të mashtrojë, madje deri edhe biznesmenë të njohur në fushën e ndërtimit dhe aktivitete të tjera fitimprurëse. Indrit Aliut, i njohur për mashtrimet e tij spektakolare për dy vite me radhë, tashmë do t’i duhet të qëndrojë për shumë vite në qeli. Ditën e djeshme përfundoi në Gjykatën e Tiranës procesi gjyqësor ndaj 26-vjeçarit vlonjat, i cili u dënua me 15 vjet heqje lirie për akuzën e mashtrimit me pasoja të rënda. Kjo masë dënimi u kërkua edhe nga prokurori i çështjes, i cili tha se Aliu ka konsumuar formën më të rëndë të mashtrimit ndaj të paktën 11 biznesmenëve, apo personave që përgjatë viteve 2008-2009 kanë rënë në kurthin e tij. Skema e mashtrimit ishte mjaft e thjeshtë. Indrit Aliu prezantohej në publik si biznesmen i suksesshëm, me njohjet dhe lidhjet e duhura dhe i gatshëm për të ndihmuar në financimin e zonave rurale. Ka mjaftuar pak publicitet në media dhe disa donacione, që Indrit Aliu të merrte famën që më vonë do t’i shërbente për të mashtruar 11 kompani të njohura në Tiranë, duke përfituar prej tyre rreth 4 milionë euro. Përfundimi i hetimeve ka zbuluar se përveç mashtrimeve me tendera e punë publike, Indrit Aliu kishte marrë përsipër edhe nxjerrje të dënuarish prej burgu. Rasti i dy personave nga qyteti i Lushnjës, të mashtruar nga Aliu, i është bashkangjitur nga Prokuroria të paktën 10 rasteve të tjera të denoncuara për mashtrim në shuma të konsiderueshme parash. Sipas Prokurorisë, ndër të tjera, Indit Aliu ka mashtruar shtetasit Nikoll P. dhe Flora L., të cilëve u ka marrë 8500 euro duke u premtuar nxjerrjen nga burgu të të afërmit të tyre që ishte dënuar me 10 vjet heqje lirie. Sipas Prokurorisë, mësohet se dy personat e mashtruar, teksa ndiqnin gjyqin ndaj të afërmit të tyre, kanë takuar rastësisht një taksist, i cili u ka thënë se njihte një person që mund t’i ndihmonte në zgjidhjen e problemit të tyre. “Pasi janë takuar me Indrit Aliun, ai u ka kërkuar dosjen e të dënuarit, me pretendimin që ta shikonte një miku i tij që punonte në Ministrinë e Drejtësisë. Ai është larguar dhe pasi është kthyer u ka thënë se miku i tij e kishte parë dosjen dhe do ta nxirrte të dënuarin” - thuhet në dosjen e Prokurorisë. Për kryerjen e kësaj pune, Aliu ka kërkuar nga familjarët e të dënuarit shumën prej 7 mijë eurosh, të cilën ata e kanë marrë borxh te disa të njohurit e tyre dhe ia kanë dorëzuar të pandehurit në një lokal pranë Gjykatës së Tiranës. Pas disa ditësh, ata i kanë telefonuar Aliut, i cili u ka thënë se duhet të shkonin të merrnin të afërmin e tyre në burgun e Kosovës më 3 nëntor të vitit 2008. Pasi kanë shkuar pranë burgut të Kosovës në Lushnjë, familjarët e të dënuarit kanë mësuar se atë ditë nuk lirohej asnjë nga qelia, dhe menjëherë kanë kontaktuar sërish Indrit Aliun, i cili u ka thënë se çështja kishte disa probleme, por do të zgjidhej duke u kërkuar edhe 1500 euro të tjera. Edhe pse kanë kaluar disa ditë, i dënuari nuk po lirohej, ndërsa familjarët e tij kanë kontaktuar sërish Indrit Aliun, i cili u ka dhënë shpresë deri ditën që është zhdukur. Duke qenë se gjatë kësaj kohe ai kishte mundur të mashtronte disa biznesmenë, është larguar drejt Greqisë, për t’u arrestuar dhe më pas ekstraduar në Shqipëri, ku iu nënshtrua procesit gjyqësor për akuzën e “mashtrimit me pasoja të rënda” në dëm të 11 personave.

Firma fasadë e mashtrimeve të Indrit Aliut

Në fillimet e “aktivitetit” të tij, në tetor të vitit 2008, Aliu krijon kompaninë “Dejs & Partners Consulting”, që kishte si objekt konsulencën financiare për transferta brenda dhe jashtë vendit, por pa lënë mënjanë edhe aktivitetin e ndërtimit, apo menaxhimin dhe konsulencën e pronave e pasurive të paluajtshme. Kjo kompani e vendosur në disa zyra luksoze, ku punonte edhe një staf i përzgjedhur, krijoi përshtypjen se Indrit Aliu ishte biznesmen i suksesshëm dhe i gatshëm për të bashkëpunuar me biznesmenë të tjerë vendas që operonin kryesisht në sektorin e ndërtimit. Kaq ka qenë e mjaftueshme që për disa muaj Indrit Aliu të krijonte një skemë perfekte mashtrimi, ku u përfshinë disa biznese të njohura në kryeqytet dhe në disa zona rurale, të cilat ai i shfrytëzonte për të shtuar paratë e përfituara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›