PS kundër Kodit Penal, por voton pro
Maxhoranca dhe opozita kanë miratuar dje ndryshimet në Kodin Penal me 128 vota në Parlament.
Mbledhja e Grupit Parlamentar gjatë seancës ndryshoi qëndrimin.
Parlamenti ka miratuar dje me konsensus pas rreth 5 orësh debate ndryshimet në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë. Përkundër përplasjeve të reflektuara në Komisionin e Ligjeve dhe gjatë debateve në seancën e djeshme, opozita, pas një mbledhjeje grupi të zhvilluar para procesit të votimit, ka vendosur të japë konsensusin e saj për këtë projektligj që kërkonte një shumicë të cilësuar votash. Katër draftet e Kodit Penal kanë qëndruar për rreth 3 vite në sirtarët e Kuvendit, për shkak të ngërçit politik. Demokratët dhe socialistët kanë dhënë plot 126 vota pro ndryshimeve në Kodin Penal. Në seancën djeshme ka rënë në sy mungesa e Kryeministrit Sali Berisha, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Bruksel, kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, nënkryetarit të Kuvendit, Vangjel Tavo, kryetarit të PDIU-së Shpëtim Idrizi, deputetëve të pavarur, Gazmend Oketa, Dritan Prifti dhe Kastriot Islami. Projektligji Për disa shtesa dhe ndryshime në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë fillimisht në parim ka marrë 128 vota pro dhe asnjë kundër. Dy votat që munguan gjatë votimit në tërësi rrodhën nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, pasi dy deputetët, Sajmir Tahiri dhe Arben Ahmetaj, janë larguar gjatë votimit final të Kodit Penal.
Përplasjet
Konsensusi midis palëve është frenuar ditë më parë në Komisionin e Ligjeve, pasi deputetët e opozitës kanë propozuar që në Kodin Penal të vendoset edhe burgimi për falsifikimin e të dhënave statistikore, ndëshkimin me burg të komisionerëve që tentojnë të falsifikojnë rezultatet e listat zgjedhore. Sipas Fatmir Xhafajt, manipulimi me statistikat duhet të sanksionohej në Kod, në mënyrë që ministrat dhe vetë Kryeministri të mos keqpërdorin statistikat zyrtare.

Ruçi e Xhafaj dje ne Parlament
Opozita propozoi një nen për të ndëshkuar jo përgjegjësinë kolegjiale të qeverisë, por përgjegjësinë individuale të Kryeministrit dhe të çdo ministri në inicimin e çdo akti të kundraligjshëm që sjellin pasoja me ndryshimin e statistikave. Kjo është bërë që askush të mos fshihet nesër pas përgjegjësisë kolegjiale të qeverisë, që siç ndëshkohet një zyrtar i vogël i çifligut të qeverisë, të dënohet edhe çifligari, deklaroi nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj. Por, sipas deputetit Viktor Gumi, një propozim i tillë është anti-kushtetues dhe në asnjë rast nuk do të pranohet nga maxhoranca. E drejta e një gjykatë të pavarur nuk është e drejta e ligjvënësit, as e pushtetit gjyqësor. Është e para e shtetasve për të gjykuar me një gjykim të drejtë dhe të pavarur. Me analogji, i ashtuquajturi falsifikimi i statistikave nuk është e drejtë e luftës politike të një force politike, duke e vendosur kusht për konsensus. As e drejtë e një apo disa institucioneve shtetërore. Nuk mund të pranojë formulime abuzive që thyejnë besimin e procesit dhe që kanë formulime anti-kushtetuese deklaroi Viktor Gumi.
Tabela e ligjeve të votuara
Projektligj Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, Për tatimin mbi të ardhurat, të ndryshuar.
Pro: 68
Kundër: 60
Artan Gaci voton dy herë
Kosta Barka voton për Vangjel Tavon
Projektligj Për një ndryshim në ligjin nr. 9180, datë 5.2.2004, Për statistikat zyrtare.
Pro: 68
Kundër: 59
Artan Gaçi voton dy herë
Projektligj Për një ndryshim në ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006, Për prokurimin publik, të ndryshuar.
Pro: 68
Kundër: 59
Artan Gaçi voton dy herë
Kosta Barka voton për Vangjel Tavon
Projektligj Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995 Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar. (4 nisma legjislative) (84 vota)
Pro: 126
Kundër: 0
Artan Gaçi voton dy herë
Arben Ahmetaj dhe Sajmir Tahiri largohen gjatë votimit në tërësi
Shtyrja me dy muaj të afatit të Komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore, kërkuar nga Damian Gjiknuri dhe Ilir Rusmaili
Pro: 121
Kundër: 0
Artan Gaëi voton dy herë
Abstenim: 1 Fatmir Mediu
Munguan në Kuvend
Sali Berisha
Ilir Meta
Vangjel Tavo
Gazmend Oketa
Kastriot Islami
Shpëtim Idrizi
Dritan Prifti
Oketa largohet nga votimi
Pas deklaratës së largimit nga Grupi i Partisë Demokratike, Gazmend Oketa ka munguar në mbledhjen e djeshme të Parlamentit, ku u votuan me konsensus ndryshimet në Kodin Penal. Mungesa e deputetit të pavarur Gazmend Oketa ka rënë në sy, pasi numrat e maxhorancës kanë zbritur në 68 në seancën e djeshme. Oketa ka deklaruar në një intervistë televizive se do të jetë pjesë e partisë së re të Bamir Topit dhe se për momentin do të qëndrojë deputet i pavarur. Ish-deputeti i PD-së theksoi ndërkaq se vota e tij në Kuvend do të jetë pro shumicës deri në muajin korrik, ku do të finalizohet partia Topi.
FATION BINJAKU