E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taksa e sheshtë, debat PD-PS në Kuvend

Parlamenti miraton projektligjin e deklarimit të të ardhurave personale, INSTAT-n dhe Prokurimet Publike.

Kodheli: Do ta heqim. Bode: Na mbajti jashtë krizës, doni monopolet.

Parlamenti u përfshi dje në debate të ashpra për tri nismat e qeverisë, projektligjin për ndryshimin e deklarimit të të ardhurave personale, kalimin e INSTAT-it dhe Prokurimeve Publike nga Këshilli i Ministrave në varësi të kreut të ekzekutivit. Seanca e Kuvendit ka nisur rreth orës 10:30 dhe debati për këto projektligje ka zgjatur deri në orën 15:00. Të tria nismat ligjore janë miratuar vetëm me votat e maxhorancës dhe me një shumicë të thjeshtë në Parlament. Projektligji i INSTAT-it, Prokurimeve Publike dhe deklarimit të të ardhurave kanë marrë 68 vota pro të të djathtëve dhe 59 vota kundër të opozitës.
Të ardhurat
Deputetët e opozitës e kanë cilësuar si të dështuar sistemin e deklarimit të të ardhurave personale, gjithashtu dhe taksimin e sheshtë që qeveria u bën pagave të punonjësve. Deputetja socialiste, Mimi Kodheli, theksoi se kur PS të vijë në pushtet do ta ndryshojë rrënjësisht sistemin fiskal, duke kaluar në një taksim progresiv. Ne si deputetë pranojmë të paguajmë më shumë të ardhura nga taksa progresive. Ne, me ardhjen në pushtet do të heqim taksen e sheshtë që qeveria mburret kaq shumë, dhe do të vendosin taksimin progresiv që do të eliminojë ngarkesën tatimore që kanë qytetarët mbi supe, deklaroi Kodheli. Gjatë replikës, ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi dje se qeveria i ka bërë politikat sociale jo me taksat, por përmes shpenzimeve. A e dini që ju bënit rishpërndarje për shtresat e ekspozuara përmes buxhetit, në vitin 2005 vetëm 53 miliardë lekë? A e dini se në buxhetin e këtij viti kemi në proces rishpërndarje për shtresat në nevojë jo 53 miliardë, por 142 miliardë lekë? A e dini që sot në buxhet kemi nga 6.7 që kishit ju në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, 10.3 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto?, deklaroi Bode. Ndryshimet e reja në ligjin për tatimin mbi të ardhurat detyrojnë individët që fitojnë më shumë se 2 milionë lekë në vit të deklarojnë të ardhurat te Tatimet.
INSTAT dhe Prokurimet
Kalimi i varësisë së INSTAT-it dhe Prokurimeve Publike nga Këshilli i Ministrave në përgjegjësi të Kryeministrit Sali Berisha ka ngjallur debate të ashpra në Parlament. Deputetët socialistë deklaruan se vendosja e INSTAT-it në duart e Kryeministrit bie ndesh me kërkesat e Komisionit Europian dhe progres-raportin e këtij viti. Të majtët janë shprehur se INSTAT dhe Prokurimet Publike duhet të kalojnë në varësi të Parlamentit dhe larg pushtetit të ekzekutivit. Por ministri i Inovacionit, Genc Pollo, deklaroi se ligjet në fjalë synojnë të arrijnë një proces administrativ më eficient të punës së këtyre institucioneve. Ligji aktual për statistikat shqiptare është një bazë e fortë ligjore për prodhimin e statistikave, ndërkohë që mbështesim planifikimin e rishikimit të ligjit për të forcuar statusin e drejtorit të Përgjithshëm të INSTAT-it, me parimet e pavarësisë profesionale dhe konfidencialitetit statistikor, që janë zbatuar, deklaroi Pollo.

Debatet në Kuvend për INSTAT dhe Prokurimet
Florian Mima:
Rritet nga 200 mijë lekë në 2 milionë lekë kufiri për deklarimin e të ardhurave. Deklarimi bëhet i detyrueshëm vetëm për individët që realizojnë të ardhura vjetore bruto të barabarta ose më të larta se 2 milionë lekë. Rritet nga 800 mijë në 1 milion e 50 mijë lekë kufiri i të ardhurave vjetore të deklaruesve që përfitojnë nga shpenzimet e zdritshme. Ndryshimet i japin të drejtë tatimpaguesit ta korrigjojë deklaratën dy herë brenda 3 muajve pa paguar penalitete, ndërsa pakësohet dokumentacioni që i bashkëlidhet deklaratës vjetore të të ardhurave. Për vitin 2011, afati i dorëzimit të deklaratës dhe i pagesës së tatimit shtyhet deri në datën 30 shtator 2012. Kreditimi i shpenzimeve të zdritshme bëhet brenda datës 31 dhjetor për vitin 2011, ndërsa për vitet e tjera deri më 30 prill.
Mimi Kodheli: Sot në Shqipëri numërohen 36 mijë deklarime të papërpunuara, ndërsa me ndryshimet që propozohen në këtë ligj do tu shtohen edhe 1.6 milionë deklarime të tjera. Imagjinoni kohën që i duhet administratës tatimore shqiptare, kur nuk kemi një sistem teknologjie për përpunimin e të dhënave, edhe pse jemi në moshën e internetit. 6 ligjet bazë të administrimit tatimor janë ndryshuar plot 65 herë nga kjo maxhorancë, dhe këto ndryshime të shpeshta vlerësohen nga të gjitha institucionet ndërkombëtare të dëmshme për qytetarin dhe biznesin. Paratë që paguajnë dhe koha që harxhojnë për tu përditësuar janë në top-listën e problemeve të tyre.
Ridvan Bode: Keni armiqësi me interesat tuaja të fshehta. Taksa e sheshtë na mbajti jashtë krizës. I qëndruam krizës, sepse ne ndërmorëm një politikë fiskale që na bëri ti qëndrojmë goditjeve të ardhura nga jashtë. Ju kërkoni të riktheni politikën e monopoleve. Ky ishte modeli juaj. Ju doni të shkatërroni ekonominë e vendit, doni të riktheni konjukturat që nuk favorizojnë transparencën dhe konkurrencën. Ju keni armiqësi ndaj tregut në tërësi. Nuk është e vërtetë se Shqipëria ka barrën fiskale më të lartë në rajon. Por, ka një sërë ligjesh që kërkojnë 2/3-tat, p.sh. Kodi i Punës, që na penalizon në sistemin e taksave dhe në tregun e punës. Në Shqipëri paguajmë kontributin e sigurimeve shoqërore 15 % nga biznesi dhe 11 % nga të punësuarit. Më gjeni një vend në rajon që të ketë barrën e kontributit të punës nga dyja palët nën 39 %.
Erjon Braçe: Në raport-progresin e KE-së të 2010-s thuhet se sistemi i statistikave në Shqipëri ka nevojë për përmirësim thelbësor, pasi statistikat e hartuara ende nuk janë të harmonizuara në mënyrë të kënaqshme me standardet e BE-së dhe pavarësia profesionale e INSTAT nuk është mjaftueshëm e garantuar me ligj. Pavarësisht se kërkohet qartë ti jepet INSTAT-it një pavarësi profesionale jashtë qeverisë, ju vazhdoni ta fusni atë brenda qeverisë dhe brenda zyrës së Kryeministrit.
Genc Pollo: Kryetari i PS-së, Rama, deklaroi se në Shqipëri ka 1 milion të papunë. Përveç retorikës nihiliste, arsyeja e kësaj deklarate mund të jetë edhe mangësi informimi, pasi INSTAT raporton se është ulur numri i të papunëve. Ligji aktual për statistikat shqiptare është një bazë e fortë ligjore për prodhimin e statistikave, ndërkohë që mbështesim planifikimin e rishikimit të ligjit për të forcuar statusin e drejtorit të Përgjithshëm të INSTAT-it me parimet e pavarësisë profesionale dhe konfidencialitetit statistikor, që janë zbatuar praktikisht nga INSTAT-i.

Reforma Zgjedhore, edhe dy muaj kohë, abstenon Mediu
Parlamenti miratoi dje me konsensus kërkesën për shtyrjen me dy muaj të afatit të Komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore, e kërkuar nga dy bashkëkryetarët, Damian Gjiknurit dhe Ilir Rusmalit. Kërkesa për të shtyrë afatin e plotësimit të reformës elektorale është miratuar me 121 vota pro, asnjë kundër dhe një votë abstenim. Vota abstenuese erdhi nga kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, njëherësh ministër i Mjedisit. Mediu ka shprehur në vazhdimësi në media pakënaqësitë e tij për qëndrimin e dy partive, PD-së dhe PS-së, për të mos lejuar ndryshimin e sistemit zgjedhor, në sistem proporcional dhe proporcional me korrektim kombëtar të votës. Gjatë procesit të votimit ra në sy fakti se deputeti i PS-së, Artan Gaçi, ka votuar dy herë edhe për kolegun që mungonte.

Integrimi, Fule: Plotësoni 12 rekomandimet
Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule, renditi dje në një komunikatë për shtyp mesazhet kryesore të përcjella gjatë drekës së punës që zhvilloi në Bruksel me ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto. Një dia

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›