PS lançon nesër Frontin për Shqipërinë, grupimi i ri i opozitës
Në këtë bashkim, edhe Ngjela e Ndoka, si shoqata të ish-pronarëve
Lideri i opozitës, Edi Rama, do të zyrtarizojë nesër grupimin më të ri dhe më të madh të krijuar deri tani, që do të quhet “Fronti për Shqipërinë. Sipas axhendës së përcaktuar më parë, ditën e nesërme është caktuar mbledhja e tryezës së aleatëve, e cila do të zgjerohet me grupe interesi, që, të paktën publikisht, kanë qenë në qendër të vëmendjes së opozitës gjatë zgjedhjeve të fundit.Ish-pronarë, pensionistë, ish-ushtarakë, minatorë do t'i bashkohen një fronti më të gjerë, që Edi Rama dje në Durrës e cilësoi “Fronti për Shqipërinë”. “Përshkallëzimi i protestës ka zgjeruar frontin e aleancës sonë mes partish, ka zgjeruar edhe frontin edhe me përfaqësues të shoqërisë, shoqata apo persona dhe shumë shpejt ky front i ri për Shqipërinë do të jetë publik përtej partive politike, përtej çdo kufiri që na ndan në kushte normale, por nuk ekziston në kushtet kur duhet të garantojë liri dhe demokraci për të gjithë”, u shpreh Rama. Zyrtarisht funksionimi i këtij fronti do të bëhet i ditur në ditët në vijim. Fronti synon bashkimin e të gjithë segmenteve të opozitës, të majtë e të djathtë. Nga selia rozë bëjnë të ditur se ky front është zgjerimi i idesë së federatës së majtë, e cila qarkullonte prej kohësh sidomos mes aleatëve të vegjël të socialistëve. Këtij bashkimi opozitar do t’i bashkohen edhe Spartak Ngjela dhe Nard Ndoka, si dhe sindikatat e organizatat e tjera shoqërore e politike. Ndërkaq, ende nuk dihet se si do të funksionojë ky grupim, si një aleancë që do të drejtohet vertikalisht nga kreu i partisë më të madhe, Edi Rama, apo do të marrë modelin e vitit 1997 të “Forumit për Demokraci”, ku edhe pse PS-ja ishte organizatorja e saj, ai drejtohej nga intelektualët Fatos Lubonja dhe Daut Gumeni. “Forumi për Shqipërinë pritet që të jetë një bashkim politik për të zgjeruar edhe më shumë spektrin e përfaqësimit të qytetarëve dhe, sipas të gjitha gjasave, nuk do të jetë aleancë elektorale në zgjedhjet lokale apo të përgjithshme që do të zhvillohen në të ardhmen. Megjithatë sipas të gjitha gjasave, ky bashkëpunim nuk mund të mos krijojë një precedent në të ardhmen. Vetë lideri socialist, Edi Rama, e theksoi qartë se ky bashkim përmban parti dhe grupime që në kushte normale i ndan programi apo përfaqësimi politik, ndaj ky koalicion funksionon në kushtet aktuale. “Fronti për Shqipërinë” pritet të jetë edhe autori dhe organizatori i protestave apo edhe kërkesave politike të opozitës ndaj qeverisë. Kjo manovër politike e Ramës bëhet për ta zgjeruar edhe më shumë këndvështrimin dhe veprimin opozitar ndaj qeverisë për kërkesën tashmë të kërkuar prej mbylljes së zgjedhjeve të 28 qershorit për hapjen e kutive. Ditën e nesërme do të bëhen publike dhe strukturat organizatore të këtij organizmi të ri politik, i cili, sipas të gjitha gjasave, një nga drejtuesit dhe zëdhënësit politik do të ketë avokat, Spartak Ngjelën. “Fronti për Shqipërinë” pritet të ketë edhe një program të përbashkët për funksionimin e tij dhe, sipas të gjitha gjasave, do të përgatitet një dokument që do të firmoset nga të gjithë me kërkesat politike imediate drejtuar qeverisë.
#