E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, ekzekutohet ish-atleti Hasan Rakipi

Një tjetër vrasje trondit Shqipërinë. Policia ngre disa pista për ngjarjen

Një tjetër vrasje me armë zjarri ka tronditur vendin tonë pasditen e djeshme. Një ish-sportist, atlet, me emrin Hasan Rakipi, është vrarë dje rreth orës 18:00 pranë fushave të sportit në Kamzë, në periferi të Tiranës. 56-vjeçari është qëlluar me armë zjarri pistoletë, ndërsa ndodhej brenda automjetit të tij. Sipas dëshmitarëve okularë, viktima ndodhej në automjetin me targa të kryeqytetit 6534N, kur disa persona e qëlluan për vdekje.
Policia mbërriti në vendin e ngjarjes dhe ka marrë në pyetje dëshmitarët për të zbuluar autorët dhe arsyet e vrasjes. Ata kanë shpjeguar se viktima sapo kishte hipur në automjet, pasi më parë kishte qëndruar në një lokal në afërsi të fushës së sportit në Kamzë. Ish-atleti vazhdonte të merrej me sport dhe së fundmi kishte organizuar edhe një maratonë.
Trupi i viktimës ka qëndruar për rreth një orë në automjetin e tij, derisa policia ka bërë ekspertizën dhe ka marrë shenjat e lëna në vendin e ngjarjes nga autorët. Policia, pas ngjarjes, ka ngritur postblloqe për të bërë të mundur kapjen e autorëve, si dhe ka marrë në pyetje familjarët e viktimës, për të mësuar nëse ai kishte konflikte.
Më pas, trupi i pajetë është përcjellë në morgun e spitalit “Nënë Tereza”. Policia ka shkuar në banesën e të ndjerit në lagjen e “Brrakës” në Tiranë, ku ka marrë të tjera deponime të familjarëve. Ata kanë shpjeguar se Hasani ishte një person pa probleme dhe nuk ka pasur ndonjë konflikt. Familjarët kanë dyshuar te puna që kryente 56-vjeçari, trajner atletësh, ndërkohë policia po heton të gjitha pistat. Në lidhje me vendin e ngjarjes, policia deklaron se autorët mendohet të kenë qenë dy dhe janë larguar me një automjet në drejtim të veriut të Shqipërisë. Policia e Tiranës tha se ka kryer krehjen e zonës pranë vendit të ngjarjes.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›