E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teatri, kjo dashuri e përjetshme

Ka interpretuar plot 140 karaktere në teatër e kinematografi. E quan veten të ka mikluar nga fati dhe skena është ajo që e ka mbajtur gjallë dhe i ka dhënë forcë për të ecur përpara. “Mao Ce Dun”, “Parullat”, “I dashur armik”, janë rolet kinematografike që e kanë sjellë së fundmi para publikut, ashtu sikundër edhe një seri shfaqjesh teatrore. Aktori korçar, Marko Bitraku, i cili numëron plot 35 vjet karrierë artistike, vijon të ngjitet në skenë me të njëjtin pasion e dashuri, ashtu si edhe shumë vite më parë
Marko Bitraku

Hapat e çojnë me nxitim drejt skenës, aty ku e pret puna. Duket sikur ka bërë një pakt të përjetshëm me teatrin. Edhe pse në moshën 60-vjeçare, ai është nga të vetmit aktorë të brezit të vet i angazhuar plotësisht me punën, duke pranuar të interpretojë një mori rolesh dhe personazhesh. Edhe pse spikat për karakterin e veçantë dhe formën artistike që i jep një personazhi, modestia nuk e le të pranojë se ndoshta regjisorët shikojnë tek ai natyrën unike, profesionalizmin dhe mjeshtërinë për të krijuar figura që mbahen mend. Po flasim për aktorin Marko Bitraku. Gjatë karrierës së tij artistike, ai numëron plot 140 karaktere të interpretuara në teatër e kinematografi. E quan veten të ka mikluar nga fati dhe skena është ajo që e ka mbajtur gjallë dhe i ka dhënë forcë për të ecur përpara. “Fati në këtë profesion është i rëndësishëm. Siç duket, janë bashkuar tek unë fati dhe puna, pasi edhe puna ime në fakt ka qenë dominuese, duke krijuar njeriun që jam sot”, shprehet aktori. Dhe Marko nuk i refuzon asnjëherë rolet, sepse falë tyre energjia nuk i shteron asnjëherë. Një aktor i ri që ngjitet në skenë, nëse has Markon, është e pamundur të mos ushqehet prej tij me dashurinë dhe përkushtimin për teatrin dhe realizim e figurave artistike me dashuri dhe ndjenjë. Skena zë një vend të rëndësishëm në jetën e tij. është e pranishme edhe në një bisedë mes miqsh, apo edhe në familje. Ka një pamje që nga larg duket e rreptë, figura e tij ndonjëherë tregon një Marko të vrenjtur, kur në të vërtetë është i mbushur me humor dhe energji. Nuk i mungojnë batutat, as kur thotë për veten se “prindërit e tij krijuan këtë lloj soji që quhet Marko dhe që paska talent për të qenë artist”. Me kapelën mbi kokë, syzet dhe mustaqet, Marko i mishëron personazhet duke hyrë nën petkun e tyre. Sapo ka përfunduar me sukses një shfaqje dhe e gjen sërish të angazhuar në teatër si as/regjisor për të sjellë në skenë një tjetër vepër, një komedi me regji të Guri Koços. Pak kohë më parë Marko Bitraku solli për publikun korçar personazhin e Adolfit te komedia franceze “Nina”. Një rol i vështirë, që e mbajti në skenë thuajse pa marrë frymë. Tani është një komedi greke që ka zënë vend në mendimet e tij. Thuajse mistershëm para publikut do të vijë me një shfaqje shumë cilësore, nga ato që publikut i ngelen në mend, dhe për të cilat teatri ka nevojë për vetë nivelin e lartë të veprës. Misteri ka të bëjë me heshtjen për të rrëfyer më shumë mbi çka është duke përgatitur. Do që t’i bëjë një surprizë publikut. “Publiku ka nevojë për vepra të një niveli të lartë artistik. Një të tillë jam duke përgatitur, por nuk mund të zbuloj asgjë për momentin. Dua të garantoj se do të jetë një vepër e mirëfilltë e një cilësie të lartë. Me regjisorin Guri Koço dhe unë si asistent i tij, bashkë me trupën kemi planifikuar që në mes të muajit shkurt të ngjisim në skenë komedinë greke ‘Kurrë mos u dëshpëro’”, shprehet ai, duke u kufizuar në informacionin në lidhje me veprën. 35 vite karrierë nuk e kanë shuar ende atë dashuri të madhe që ka për skenën. “është një eksperiencë vërtet e gjatë, por unë vazhdoj të jem i dashuruar me tetarin. Ka qenë kështu qysh në vegjëli. Ndihem mirë, se ende vazhdoj të jem i angazhuar në profesionin tim si aktor. Asnjëherë nuk kam vuajtur për role, madje ndonjëherë mendoj se kam pasur ngarkesë më shumë se ç’duhet. Megjithatë them se produkti final e mënjanon çdo lodhje”, thotë Markoja. E ndërsa flet për rolet, e ka të vështirë të zgjedhë dhe të flasë për ndonjërin prej tyre. Për Markon secili personazh e secila vepër ka specifikën dhe karakteristikat e veta. “Nëse ne do të bëjmë diferencime për rolet, them se nuk bëjmë mirë, sepse mendoj se në elementët e teatrit nuk ka rol të madh apo rol të vogël. Roli është rol, do angazhimin e vet, përkushtimin total të aktorit për të krijuar një figurë artistike që i është besuar. Një vepër është e mirë, një tjetër më pak e mirë ose e dobët, por sidoqoftë personazhi është detyrë e aktorit për ta ndërtuar si figurë artistike. Në këtë kuptim e kam të vështirë të dalloj mes personazheve që kam interpretuar”, vëren ai. E megjithatë mes tyre, aktorit korçar i kujtohet mjaft mirë roli i parë që i është besuar. Ka qenë në veprën “Stuhi në prill” të Skënder Luarasit, në teatrin “çajupi” të Korçës. Më shumë se sa roli, Markos i ka mbetur në mendje se si punohen në teatrin e Korçës. Kishte një dashuri e përkushtim të madh për teatrin dhe atë e përcillnin më së miri te të rinjtë, siç ishte Markoja atëherë, aktorë të mëdhenj si Pandi Raidhi, Stavri Shkurti, Thimi Filipi etj. “Ata vërtet nuk kishin shkollën e duhur profesionale, por kishin talentin, përkushtimin dhe një disiplinë artistike në punë, që të linte të befasuar në çdo rol që merrnin përsipër të interpretonin”, kujton Marko Bitraku. E duke kujtuar fillimet e tij, pasionin me të cilin interpretonin kolegët dhe ai vetë, Marko Bitraku gjen rastin të flasë edhe për realitetin e sotëm e për çfarë ka më shumë nevojë teatri. “Teatri për mua është akoma në krizë, pasi si pjesë e infrastrukturës së tërë shoqërisë shqiptare, nuk jemi as larg dhe as jashtë kësaj atmosfere sociale. Jemi të ndërgjegjshëm që Shqipëria ka problemet e veta në kuptimin shoqëror, ekonomik e politik. As kjo fushë siç është teatri nuk mbetet jashtë. Ka përpjekje për të dalë nga kjo krizë, si nga teatri kombëtar, ashtu edhe nga teatrot e tjera në rrethe. Unë mendoj se është detyrë e teatrit, është detyrë e artit, është mision i tij që të udhëheqë shoqërinë, dhe për fat të keq ne nuk e kemi ende këtë status”, vëren ai. Marko Bitraku, që u dashurua me teatrin e aktrimin qysh fëmijë, njihet nga publiku përmes interpretimeve të ndryshme në filmat “Mësonjëtorja”, ku veshi petkun e Gjon Turkut; te “Gjeneral Gramafoni” në rolin e Cufes; apo në filmat e pas viteve ‘90 si “Slogan”, “Mao Ce Dun”, “I dashur armik” etj. Së shpejti Marko Bitraku do të jetë në Francë me shfaqjen “Berberi i Seviljes”, me një ftesë të regjisorit francez, Eric Vinje, pas suksesit që shfaqja ka pasur në Tiranë.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›