E Diel, 1 Nëntor 2026

PS mbledh grupin, kërkon përjashtimin 30 ditë të Berishës nga Kuvendi

TIRANË, 6 nëntor /ATSH/ Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste ka kërkuar 30 minuta pushim të seancës plenare në Kuvend, pas deklaratave të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha ndaj ambasadorit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato.

Balla, tha se sulmi ndaj ambasadorit Gonzato lidhet me vlerësimet e shkëlqyera të Komisionit Europian për Shqipërinë dhe jo me projektligjin për barazinë gjinore.

“Komisionerja nuk është informuar as nga unë, as nga zotëria, por nga Delegacioni. Ky sulm nuk lidhet me këtë ligj, por me vlerësimet e djeshme të Komisionit për rezultate e shkëlqyera të Shqipërisë”, tha Balla.

“Nuk ka sulmi lidhje me ligjin. Ligji është i qartë. Ai sulm është për vlerësimet e djeshme. Kërkoj 30 minuta pushim për një mbledhje të PS pas kësaj ngjarje të rëndë”, tha Balla.

Sot Partia Socialiste ka kërkuar përjashtimin me 30 ditë nga parlamenti të Sali Berishës. Shkak, sipas kreut të grupit parlamentar të socialistëve, u bënë deklaratat e kreut të demokratëve ndaj ambasadorit të BE-së, Silvio Gonzato.

“Zoti Kryetar i Parlamentit, i jemi drejtuar Komisionit të Etikës për të kërkuar përjashtimin për 30 ditë të deputetit Sali Berisha”, tha Taulant Balla.

Kryetari i PD-së mohoi akuzat dhe tha se nuk ka bërë asnjë fyerje dhe ka shprehur mendimin dhe bindjet e tij.

“Kam kërkuar nga ky parlament dhe jashtë këtij parlamenti nga ambasadori të na tregojë cilën direktivë sepse ai ka mbështetur këtë ligj dhe zonja Marta Kos deklaron se ai ka mbajtur qëndrimin e BE. Cila direktivë e BE-së përdor terminologjinë e përkatësisë së shumëfishtë gjinore?”, tha Berisha.

Këlliçi: Mazhoranca skenar për të kaluar pr/ligjet pa debat

Deputeti i PD-së, Belind Këlliçi në një prononcim për mediet pas ndërprerjes së seancës u shpreh se qëndrimi i mazhorancës është një skenar për të kaluar projektligjet e rëndësishme pa debat.

“Do të shihni një skenë të parapërgatitur nga Taulant Balla, ku do të kërkohet përjashtimi qoftë i zotit Berisha apo i ndonjë deputeti tjetër të PD-së për fyerje ndaj ambasadorit të BE-së, që kjo nuk ka ndodhur, është një inskenim i organizuar qoftë nga ministri Gogu apo qoftë nga Taulant Balla. Do të shikoni justifikime të panumërta për të kaluar seancën direkte në votim. Dhe do të shihni që ligjet e rëndësishme të paraqitura ditën e sotme, projektligjet, do të kalojnë të gjitha pa debat dhe do të kalojnë në votim pasi po priten që të mblidhen deputetët e PS-së. Ky është një skenar i parapërgatitur”, tha Këlliçi.

/gj.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›