E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështimi me statusin, PD- PS akuzojnë njëra-tjetrën në Kuvend

SHKRUAN: Fejzi Braushi 14-10-2011 11:50

Ndërsa Progres-raporti i fundit i Komisionit Europian pritej të ndërgjegjësonte politikën shqiptare për ta bërë atë më bashkëpunuese, ai duket se ka dhënë efektin e kundërt duke përkeqësuar klimën e debatit mes dy forcave kryesore në vend. Shkëmbimi i akuzave për përgjegjësitë që mban secila palë për këtë dështim, ka bërë që seanca e djeshme plenare të kalojë normat e etikës, pasi në të nuk kanë munguar kërcënimet apo ofendimet personale. Protagonist kësaj here është bërë kryeministri Berisha, i cili për një moment ka replikuar ashpër me deputetët socialistë, ndërsa nuk ka nguruar edhe t’i drejtohet Sajmir Tahirit, duke i thënë se “do ta bëj fytyrën si këpuca”. Ky reagim erdhi pasi Tahiri ndërhyri nga vendi në fjalën e Berishës, duke i thënë se arritjet që ai po rendiste ishin për familjen e tij.

Berisha

Opinioni jopozitiv i dhënë nga KE-ja për Shqipërinë, është kthyer dje në temën e preferuar të dy kampeve politike për të adresuar edhe një herë përgjegjësitë tek njëri- tjetri. Në fillim debatin e ka hapur ministrja e Integrimit, Bregu, e cila ka mohuar rolin negativ që mund të kenë luajtur reformat e ekzekutivit, duke sjellë si shkak kryesor pikërisht kriterin politik. “Shqipëria ka marrë përgjigje negative për statusin e kandidatit. Fatkeqësisht, ishte kronikë e një vendimi të paralajmëruar, dhe kjo jo sepse kemi avancuar më pak se fqinjët, as se jemi mbrapa me reformat, por thjesht dhe vetëm sepse kemi qenë në stanjacion për sa i përket bashkëpunimit politik dhe për shkak të bojkotit të gjatë parlamentar të opozitës”, - tha Bregu. Meksi ka replikuar menjëherë duke sjellë në vëmendje mungesën e vullnetit të qeverisë për të dialoguar me opozitën. “Kur Serbia është në gjendje të bindë BE-në që do nisë dialogun me Kosovën, ne nuk jemi në gjendje të bindim për dialogun tonë brenda”, - tha Meksi. Më pas, fjalën e ka marrë Berisha, i cili në një fjalim të gjatë theksin e vuri tek fakti se rezultatet e raportit erdhën për shkak të mungesës së dëshirës së opozitës për të votuar ligjet me 3/5-at. Ai ka bërë një pasqyrë të të gjitha arritjeve të qeverisë së tij, duke përmendur rritjen e pagave e pensioneve, rritjen e nivelit në arsim, rritjen e investimeve. Më tej, ai ka sulmuar opozitën se në mënyrë sistematike ka votuar kundër apo ka synuar të bllokojë jo vetëm ligjet me 3/5-at por edhe çdo nismë tjetër. Dhe kjo sipas tij, vetëm e vetëm që Shqipëria dhe shqiptarët të qëndrojnë jashtë Europës dhe të mirave që ofron ajo. “Në këtë sallë, si në asnjë vend tjetër në Europë e në botë, e vetëshpallura opozita e miliarderëve voton kundër rritjes së rrogave, kundër rritjes së pensioneve, kundër uljes së taksave, kundër rritjes së ndihmës ekonomike. Shqiptarë, këta zotërinj nuk kanë bllokuar vetëm ligjet me 3/5-at, por kanë votuar kundër të gjitha ligjeve të votuara në këtë sallë”, - tha Berisha ndërsa ka ftuar edhe një herë opozitën që të heqë dorë nga këto praktika, si dhe e ka garantuar atë se do të pranojë çdo propozim të socialistëve që do të ketë marrë më parë pëlqimin e institucioneve të specializuara ndërkombëtare.

Ruçi

Në reagimin e tij, kreu i grupit socialist ka mohuar përgjegjësitë e opozitës në të paktën 10 nga 12 pikat e parealizuara nga Shqipëria, ndërsa ka shprehur bindjen se në një situatë të tillë, të paktën ministrja e Integrimit dhe kryeministri duhet të kishin dhënë dorëheqjen. “Është për të ardhur keq që ministrja e Integrimit nuk flet si një ministre e vërtetë, që minimumi kishte vetëm një fjali, atë të dorëheqjes. U pasua nga një fjalim i kryeministrit, që sipas tij përfaqëson qeverinë e integrimit, por që për herë të dytë bëhet e ç’integrimit, i cili edhe ai duhet ta pasonte, në qoftë se kishte një përgjegjësi sadopak morale, politike, institucionale dhe kombëtare, me dorëheqje për paaftësinë e tij dhe përgjegjësinë e tij që ka ndaj integrimit të vendit”, - tha Ruçi. Më tej, ai ka theksuar se vendimi për vendin tonë ishte i pritshëm për shkak të një sërë zhvillimesh jo pozitive që kanë ndodhur në vendin tonë në vite, duke filluar që nga ngjarja e Gërdecit dhe për të përfunduar te 21 janari dhe 8 maji. Megjithatë, për të analizuar më me hollësi shkaqet por edhe për të nxjerrë përgjegjësitë, Ruçi në mënyrë publike ka kërkuar një mocion me debat për çështjen e integrimit.

Replikat e plota të Berishës

me Tahirin, Ballën dhe Ruçin

Berisha-Tahirit: Ta bëj fytyrën të zezë si këpuca

Majlinda Bregu: A është kjo opozitë që ende po vazhdon të vërë kushte për 12 kushtet e KE-së, që vazhdon me bojkotin e kartonit, edhe pse ka ndërprerë më 5 shtator bojkotin e Parlamentit? Përgjegjësia për drejtimin e vendit është e mazhorancës. Përgjegjësia për bllokimin e vendit është e opozitës. Ne të gjithë sot ndjehemi ligsht se ju, opozita, vendosët të na bllokoni me dhunën e Bllokut.

Ermelinda Meksi: Refuzim i pritshëm dhe fatkeqësisht i merituar. Gjuha që BE-ja përdor është e moderuar, dhe është e tepërt të them që në paragraf ky parlament nuk funksionon.

Sali Berisha: Është unike në historinë e vendit e të Europës që një opozitë lufton nga mëngjesi deri në darkë për të bllokuar vizat. Një ditë, në tempullin e Brukselit, një personalitet i shquar do të më thoshte: mirë ai, zotëri, se është kaq antishqiptar, po ata që e ndjekin në këtë mënyrë, çfarë janë? Përgjigjja ime ishte se edhe ai, edhe ata janë shqiptarë, sepse atë që i kanë bërë shqiptarët, Shqipërisë, nuk ia ka bërë asnjë barbar. Atë që i ka bërë Enver Hoxha Shqipërisë, nuk ia kanë bërë të gjitha pushtimet. Atë që i kanë bërë Toptanët dhe Haxhiqamilët Shqipërisë, nuk ia kanë bërë të gjithë okupatorët. Kur unë u deklarova një herë se këta jemi ne, shqiptarët, me këtë desha të them se unë nuk ju përjashtoj dot, ju jeni shqiptarë, jeni pjesë e këtij vendi, pjesë e këtij kombi. Ju nënshtroheni si skllevër.

Eduard Shalsi: Po sepse vrave katër qytetarë në mes të bulevardit...?

Berisha: Po, Ëikileaks-in e ka me ju. Për këtë lexoni kabllin e tmerrshëm (i drejtohet Shega Ligorit pas ndërhyrjeve të saj nga vendi). Rri zonjë, se nuk e di ti kabllin e tmerrshëm, e di vetë ai. Jam i bindur se ju nuk mundeni, sepse nuk ju lë zotëria e tij, i cili, në psikologjinë e etërve nuk ka asnjë interes tjetër përveç ideologjisë atërore. Në mënyrë të përsëritur kam deklaruar se bllokmenizmi është ulur këmbëkryq në këtë anë. Unë nuk kam asgjë me asnjë nga fëmijët, por kur fëmijët manifestojnë nga mëngjesi deri në darkë vetëm trashëgiminë e etërve, vetëm se, ndërkohë që etërit tuaj bërtisnin ‘Poshtë imperializmi amerikan’, ‘Poshtë Europa’, sot kryetari juaj nuk bërtet këtë, por i thotë gjithë botës ‘jo’ dhe ju e dini vetë se cili është fjalori i tij ndaj miqve e aleatëve të Shqipërisë, dhe më pas bën letra nga më të pështirosurat që mund të ekzistojnë.

Shalsi: Për çfarë etërish flet, ti je vetë si ata....

Berisha: Ju vazhdoni tuajën dhe unë do të vazhdoj reformat, me të gjithë forcën time. Unë do të bëj gjithçka me mazhorancën dhe qeverinë time ......

Sajmir Tahiri: Për familjen tënde....

Sali Berisha: Unë nuk po hyj këtu për akuza personale, se e vërteta është se ti që flet nga vendi mund të ta bëj fytyrën më të zezë se lëkura e këpucës, sepse të njoh që nga fëmijëria e gjeri më sot. Ti e di mirë që unë të njoh mirë ty, të njoh mirë unë ty si je rrit, ku je rrit, çfarë fëmijërie ke pas dhe cila është pasaporta jote. Këto i di ti, këtu në këta deputetë, për fatin tënd të keq, ti je ai që më ka rastisur të të njoh më mirë, në çdo rrethanë të jetës tënde.

Taulant Balla: Ik o plak matuf se nuk bën më dot gjë ti…

Berisha: Qeveria është e vendosur së pari, të ofrojë konsensus të plotë në komisionin e reformës zgjedhore, të punojmë me konsensus të plotë për reformën dhe, në qoftë se nuk doni këtë, hartoni të gjitha amendamentet, i dërgoni në Komisionin e Venecias dhe ODIHR dhe mazhoranca do t’i votojë një për një, ashtu si t’i sjellin ata. Së dyti, nëse doni të shqyrtoni rregulloren e Parlamentit, të ulemi që nesër, me cilindo komision të doni, të marrim e të shohim rregulloren e Parlamentit Europian. Nëse doni të bëheni zëdhënës të Presidentit, bëhuni, por ne jemi shumica sovrane e popullit shqiptar dhe do t’i përmbahemi sovranitetit. Ju vazhdoni të bërtisni ‘rroftë kryetari’.

Gramoz Ruçi: Raporti refuzon dhënien e statusit për 3 arsye, jo për ato të cilat numëron ministri dhe kryeministri. E para politike, e dyta ekonomike dhe e treta institucionale, pikërisht për atë arsye se Shqipëria, nga 12 rekomandimet e Komisionit Europian nuk ka realizuar asnjë. E pra, zotërinj të nderuar të mazhorancës, z.kryeministër në ikje, zonja ministre që llomotit këtu jo si ministre e Integrimit, këto janë pikat që ju duhet të jepni llogari e mbi të gjitha duhet të jepni llogari për dy gjëra themelore. E para që keni humbur, keni dëmtuar dhe shkatërruar në sytë e opinionit ndërkombëtar kredibilitetin e vendit. Këtë s’do t’jua falin kurrë shqiptarët. Minimumi, veçanërisht ata që janë në pushtet duhet të mbanin kokën ulur, duhet t’u kërkonin falje shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve. E dyta, do të thosha që shpesh na etiketoi kryeministri se kryetari apo ne jemi shqiptarë e më keq se kaq askush s’i ka bërë këtij vendi. Z. kryeministër, shqiptar je dhe ti, por këtë që i ke bërë këtij vendi dhe këtij populli do ta kishte zili ta bënte çdo pushtues i tij. Për këtë, ti duhet të japësh llogari, për këtë ti duhet të japësh dorëheqjen.

Pirro Lutaj: Kryeministri iu drejtua njërit prej kolegëve të mi, në mos mua, duke iu thënë se të bëj fytyrën më të zezë se këpuca. Në fakt, vetëm sot ky kryeministër i papërgjegjshëm mund t’ia nxijë gjithkujt fytyrën, por të paktën sot ai nuk mund t’ia nxijë e t’ia bëjë më të zezë askujt sesa fytyrën e tij, sepse është përgjegjësi kryesor që për herë të dytë i la shqiptarët larg dyerve të Evropës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›