E Diel, 1 Nëntor 2026

PS për ekonominë, Beqja: Vendi vazhdon të vuajë nga keqadministrimi fiskal

Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqja, tha sot se vendi vazhdon të vuajë nga keqadministrimi fiskal. Në një deklaratë për shtyp, ai u shpreh se edhe në muajin prill vazhdon të thellohet deficiti në të hyrat në buxhetin e shtetit. Sipas tij, në katër muajt e parë të vitit 2010 deficiti në mbledhjen e të ardhurave tatimore është rreth 9,9 miliardë lekë. “Individët kanë shtrënguar rripin, biznesi i vogël e familjar vuan, korporatat fitojnë më pak dhe investojnë më pak në makineri e pajisje, ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi se ekonomia do të jetë më keq se një vit më parë. Kjo është Shqipëria nën qeverisjen e Sali Berishës në 4 muajt e parë të vitit 2010”, deklaroi Beqja. Sipas tij, pavarësisht përpjekjeve për të fshehur e manipuluar shifra, ekonomia nuk është propagandë, por realitet, që na prek të gjithëve. Ai tha se lajmi i keq për të gjithë ne nuk është fakti se Saliu mban të fshehur gjendjen reale të ekonomisë se vendit, por fakti se 2010 ka nisur më keq se 2009, dhe se situata vazhdon të përkeqësohet muaj pas muaji.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›