E Enjte, 5 Nëntor 2026

PS për zgjedhjen e Presidentit të ri: Do bisedojmë vetëm me grupet parlamentare për emrin

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, në një prononcim për mediat u shpreh se në mbledhjen e këtij grupi ditën e sotme, është diskutuar  për nisjen e procesit të zgjedhjes së Presidentit të ardhshëm.

Balla deklaroi se përveç tij, PS ka mandatuar edhe Elisa Spiropalin dhe Damian Gjiknurin për të zhvilluar konstultime me grupet e tjera parlamentare në kuadër të procesit të zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës.

“Çdo deputet i PS gjatë fundjavës duhet të jetë prezent në territor dhe për të marrë vendimet që lidhen me angazhimet që lidhen me javën pasardhëse. Në 31 mars është seanca e radhës e Kuvendit, kemi diskutuar për çështjet e rendit të ditës. Po afron dita që në konferencën e kryetareve duhet të ketë një kalendar për zgjedhjen e presidentit. 

Në mbledhjen e grupit kemi diskutuar se po afron dita që kuvendi duhet të ketë një kalendar që çon në zgjedhjen e presidentit të republikës. Jo më vonë se 24 maj duhet të ketë vazhduar procesi i  zgjedhjes së presidentit. Kuvendi do marrë kohën e duhur për të zhvilluar këtë proces. PS ka udhëheqësinë e këtij procesi. Do zhvillojmë një proces i cili do jetë i hapur konsultimesh brenda suazës së Kuvendit.

Tashmë me mua do jetë dhe kolegia Elisa Spiropali dhe Gjiknuri  si të mandatuar nga grupi parlamentar për t’u konsultuar me grupet e tjera parlamentare për të instucionalizuar një dialog konstruktiv për zgjedhjen e presidentit. Konsultimet kanë filluar brenda grupit parlamentar ku deputetëve u është kërkuar të vijnë me propozime konkrete që ne të kemi një short listë të atyre që mund të jenë kandidatura të mundshme.”, tha Balla.

Balla deklaroi se vendi në këto momente ka nevojë për një President diametralisht të kundërt me atë që ka përfaqësuar Ilir Meta.

“Shqipëria sot më shumë se kurrë ka nevojë për një president normal, dhe natyrshëm duke qenë se nuk kemi pasur një president mbi palët por palë e palëve të opozitës. Ne na duhet që Shqipëria në vitin 2022 të zgjedhë një president në aspektin diametralisht të kundërt me atë që ka përfaqësuar Ilir Meta. Shqipëria do të ketë një president ose presidente shumë më të mirë dhe të pakrahasueshëm me Metën”, tha Balla.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›