E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS përfundon verifikimin e listave zgjedhore më 25 shkurt

22/02/2011  Socialistët ndërpresin protestat qytetare deri në mars

Verifikimi i listave zgjedhore është një nga çështje kyçe ku është përqendruar puna e strukturave drejtuese të Partisë Socialiste në të gjithë vendin. Kështu, në funksion të përgatitjeve për zgjedhjet lokale të 8 majit, grupet e punës, përgjegjëse për mbarëvajtjen e procesit parapërgatitor, po verifikojnë dhe kontrollojnë të gjitha listat e zgjedhësve, me qëllim pastrimin e tyre nga parregullsitë e ndryshme. Një proces i tillë duhet të përfundojë më 25 shkurt. Nga ana tjetër, kupola rozë ka vendosur të stopojë organizimin e protestave deri në muajin e ardhshëm, kur pritet të mblidhet dhe Asambleja Kombëtare e PS-së, e cila do të miratojë kriteret për përzgjedhjen e kandidaturave për garën elektorale të 8 majit. Njëkohësisht ky forum do të vendosë dhe mbi qëndrimin e ardhshëm të kësaj partie.

Listat zgjedhore

Deri më 25 shkurt sistemi i patronazhit, i ngritur nga qendra në bazë nga Partia Socialiste, duhet të përfundojë verifikimin e listave zgjedhore. Kështu, sipas manualit drejtuesi shpërndarë nga lidershipi socialist për të gjitha strukturat drejtuese vendore, ky proces duhej të kishte përfunduar që në mesin e muajit janar, por për shkak të zhvillimeve politike një proces i tillë është tyre. Tani duhet që brenda kësaj jave të mbarojë verifikimi i listave zgjedhore përmes kontrollit nga njësia teknike dhe verifikimit derë më derë me sistemin e patronazhit. Përfundimi i një procesi të tillë do ti hapë rrugë një tjetër hallke të këtij sistemi parapërgatitor për fushatën zgjedhore të 8 majit, e konkretisht realizimit të procesit të identifikimit të votuesve të majtë për çdo bashki dhe komunë përmes sistemit të patronazhit.

Protestat qytetare

Demonstrata e organizuar në 18 shkurt nga Partia Socialiste shënoi tubimin e fundit për këtë muaj. Burime pranë selisë rozë bënë me dije se nuk do të ketë më protesta deri muajin e ardhshëm, ku pritet të mblidhet dhe Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste. Kështu ky forum do të diskutojë veç të tjerash dhe lidhur me situatën politike të krijuar pas 21 janarit. Në këtë mënyrë, pritet që të jetë asambleja ajo që të formatizojë në mënyrë përfundimtare qëndrimin e PS-së përkundrejt mazhorancës qeverisëse, por ndërkohë të zyrtarizojë dhe vendimin për pjesëmarrjen e kësaj force politike në zgjedhjet lokale të 8 majit.

Kreu socialist komenton mitingun e PD-së më 20 shkurt

Rama: Ja lista e arsyeve për të cilat duhet të largohet Berisha

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, listoi dje një sërë arsyesh për të cilat kryeministri Sali Berisha duhet të japë dorëheqjen. Kështu, në një deklaratë për shtyp kryetari socialist i mëshoi me forcë faktit se tashmë kampi opozitar do të vijojë me organizimin e demonstratave deri në largimin e qeverisë “Berisha”. Por duke u ndalur në listën e arsyeve që duhet të sjellin një zhvillim të tillë, Rama vuri në krye të saj pikërisht modelin që serveri kryeministri Berisha dy ditë më parë në mitingun e 20-vjetorit të rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha. “Në 20 shkurtin e njëzetë pas rrëzimit të monumentit të diktatorit komunist Shqipëria pa mitingun e radhës të pushtetit kundër opozitës dhe dëgjoi të sharat e radhës që një njeri i diktaturës së vjetër të komunizmit u bëri opozitarëve në emër të diktaturës së re të korrupsionit. Njësoj si njëzet vjet më parë. Edhe për këtë Saliu duhet të largohet. Ja pse demonstratat do të vazhdojnë edhe më të fuqishme. Paqësisht, por vendosmërisht”, - theksoi Rama lidhur me një çështje të tillë. Qëndruar po në këtë miting kreu socialist shtoi dhe një tjetër arsye për të cilën Berisha duhet të largohet. “Pasi vodhi zgjedhjet për të vjedhur Shqipërinë dhe vrau për të vazhduar të vjedhë, Saliu i këndoi dje dhunës së regjimit të kusarisë përpara një turme të mbledhur nga të katër anët e vendit me listat e administratës shtetërore. Njësoj si njëzet vjet më parë. Edhe për këtë Saliu duhet të largohet. Ja pse demonstratat popullore do të vazhdojnë edhe më të fuqishme. Paqësisht, por vendosmërisht”, - vlerësoi Rama.

Po kështu në kundërvënien e tij kreu socialist u përqendrua sërish te manifestimi i 20 shkurtit. “I frikur deri në palcë nga zullumi që ka trashur duke vjedhur e duke vrarë për të vazhduar të vjedhë, Saliu bërtiti dje përsëri pa thënë dot asgjë tjetër përveç kërcënimeve që i bën opozitës për ti dëgjuar vetë dhe marrë kurajë për të ndenjur më këmbë. Njësoj si njëzet vjet më parë. Edhe për këtë Saliu duhet të largohet. Ja pse demonstratat popullore do të vazhdojnë edhe më të fuqishme. Paqësisht, por vendosmërisht”, - deklaroi Rama. Njëkohësisht, sipas tij, Berisha duhet të largohet sepse njëzet vjet pas rënies së monumentit të diktatorit të vjetër pushteti i tij është një monument i dhunës, kusarisë e presionit, që e pengon Shqipërinë të zhvillohet dhe varfëron e papunëson përditë shqiptarët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›