E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me sytë nga Amerika

22/02/2011  QNK “Arbnori” boton librin “Historia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”

“Për një vend si Shqipëria, e cila shpesh zhytet në kriza dhe konflikte ciklike, duke vënë përpara provash vendimmarrëse jo vetëm udhëheqjen e saj politike, por dhe popullin e saj, historia e Amerikës është një model i mbijetesës së demokracisë parimore, që ushqehet nga një popull i përkushtuar ndaj lirisë dhe mbrohet nga udhëheqës të sprovuar në besnikërinë ndaj kombit.”

Qendra Ndërkombëtare e Kulturës “Arbnori” ka botuar këto ditë librin “Historia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tekst i autorizuar. Leximi i “Historisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës” është një mundësi e papërsëritshme për çdo njeri dhe veçanërisht për të rinjtë shqiptarë, për të parë se si brez pas brezi amerikanët kanë shpalosur pa reshtur idealet më të larta të lirisë, për të konstatuar se si udhëheqësit amerikanë kanë punuar dhe punojnë për vendin e tyre, se si ata dalin mbi interesat partiake, mbi interesat private për ti shërbyer gjithë kombit. Për një vend si Shqipëria, e cila shpesh zhytet në kriza dhe konflikte ciklike, duke vënë përpara provash vendimmarrëse jo vetëm udhëheqjen e saj politike, por dhe popullin e saj, historia e Amerikës është një model i mbijetesës së demokracisë parimore, që ushqehet nga një popull i përkushtuar ndaj lirisë dhe mbrohet nga udhëheqës të sprovuar në besnikërinë ndaj kombit. Libri na jep një rast ne të gjithëve për të parë atë që konstaton edhe prof. Robert J. Lieber, i Universitetit të Xhorxhtaunit se “si ndër shekuj presidentët amerikanë jo vetëm e kanë parë lirinë dhe demokracinë si shembull për popujt e tjerë, por edhe kanë nxitur dhe mbështetur ata që vuajnë nga shtypja dhe kërkojnë të çlirohen”. Ne shqiptarët, që kemi varur shumë shpresa te një vend mik si SHBA-të, gjejmë në historinë e këtij kombi të madh përgjigjet e shumë pyetjeve dhe së pari se pse vendin e Shqiponjave e kanë vizituar kaq shpesh pushtimet e gjata, copëtimet, diktuarat dhe regjimet autokratike. Rrënjët e arsyes se pse Amerika mbron me kaq dinjitet aspiratën e shqiptarëve për liri dhe integrim, si një ndjesi e një kombi të vogël me ideale të mëdha të lirisë dhe shërbime të shumta ndaj kulturës së njerëzimit. Mësojmë se nëpërkëmbja e kombit tonë më shumë i ka ardhur nga mercenarizmi i udhëheqësve të vetëshpallur, që kanë bërë tramp me idealet kombit pa vrarë mendjen se për shekuj varrosen ëndrrën e shqiptarëve për të pasur një pozitë të merituar në familjen e popujve të zhvilluar europianë sesa nga fati i keq SHBA-të, siç thotë Roland Regan, “si një qytet i shndritshëm mbi kodër”, i ka dhënë kombit tonë shpresën për të ndërtuar ëndrrën e lirisë edhe atëherë kur ajo ka qenë gati duke u shuar. Presidenti Uillson, presidenti Regan, Xh.H.Bush, presidenti Klinton, presidenti Xh.W. Bush dhe tani presidenti Obama kanë marrë vendimet me të rëndësishme për historinë e kombit shqiptar, për të ardhmen e tij në liri. Pasi, siç ka thënë presidenti Bush, “vetë politika e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është kërkimi dhe mbështetja e rritjes së lëvizjeve dhe institucioneve demokratike në çdo vend dhe kulturë, duke pasur si synim të mbramë dhënien fund tiranisë në botën tonë”. Ky formulim mishëron në vetvete një kuptim kyç: demokracitë e vërteta nuk u shpallin luftë demokracive të tjera, as nuk ushqejnë terroristë. Në kohë trazirash politike shqiptarët kanë pyetur shpesh vetën se çfarë nuk funksionon në demokracinë shqiptare, që shkon çdo dhjetë vjet deri në zgrip të shuarjes. Në kohë dilemash ne të gjithë kemi pyetur vetën se pse shqiptarët në Tiranë, Shkup, Prishtinë e gjetkë vazhdojnë të jenë të kërcënuar nga pasiguria e ligjit dhe paaftësia për të gjetur dhe dertuar kompromise politike, të cilat do të spetonin institucionet nga rrënimi dhe autoritetin e ligjit nga nëpërkëmbja. Gjithnjë kemi pyetur nëse është duke prodhuar demokracia shqiptare shtratin e nevojshëm për begatinë e qytetarëve dhe realizimin e objektivave kombëtare të konkurrimit në arkitekturën e re europiane të sigurisë dhe të së ardhmes.

Në këtë libër do të mësoni se interesat jetike, idealet dhe siguria mbeten të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën dhe përcaktojnë qartë të ardhmen. Se nuk ka rrugë tjetër për tiu përgjigjur sfidave dhe kërcënimeve si komb, vetëm duke u bashkuar në rrugën e lirisë dhe demokracisë. Në këtë libër do të mësoni rolin udhëheqës të Amerikës në botë, do të njiheni me mendimet e ish-presidentëve Bush, Udrou Uillson, Xhon Kenedi, Frenklin Ruzvellt dhe Ronald Regan, të cilët përballuan dy luftërat botërore dhe Luftën e Ftohtë. Tani përballë rreziqeve të reja të terrorizmit, me qëndrimin e Amerikës nën drejtimin e Presidentit Barak Obama, si një rishpallje e guximshme e idealeve Amerikane brenda dhe jashtë vendit. Ato meritojnë të kuptohen dhe të vlerësohen për atë që vërtetë përfaqësojnë. Në të vërtetë, të gjithë presidentët amerikanë e kanë bërë të qartë se “... synimi ynë është të ndihmojmë të tjerët të gjejnë vetveten, të fitojnë lirinë dhe të ecin në rrugën e zgjedhur”. Universaliteti i këtij mesazhi duket qartë në fjalët: “Amerika nuk pret që disidentët e burgosur të zgjedhin zinxhirët, as që gratë të mirëpresin poshtërimin dhe skllavërinë, as që qeniet njerëzore të jetojnë në mëshirën e xhahilëve”. Këto bindje pasqyrojnë papërsëritshmërinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndryshe nga shumica e popujve të botës, amerikanët janë emigrantë ose pasardhës emigrantësh, të cilët nuk i bashkon as etnia e përbashkët, as raca e përbashkët, as prejardhja kombëtare e përbashkët. Përkundrazi, të jesh amerikan do të thotë ti përmbahesh besimit në demokraci dhe në liri, të mishëruar në Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë, në Kushtetutë dhe në Ligjin për të Drejtat. Objektivi i madh i SHBA-ve ka qenë dhe është “për ti dhënë fund tiranisë”, si një detyrë afatgjatë dhe si “punë e pareshtur e disa brezave”. Siç del edhe në këtë libër, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX e deri tani Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë luajtur rol të domosdoshëm në nxitjen ose në ndihmesën e të tjerëve që të çlirohen, të krijojnë ose të konsolidojnë institucionet e lira dhe shtetin ligjor. Këtu futen vende që u përkasin shumë rajoneve, duke përfshirë mes të tjerash Gjermaninë, Japoninë, Italinë, Korenë e Jugut, Filipinet, pjesë të Azisë dhe të Afrikës, pjesën më të madhe të Evropës Lindore, një pjesë të mirë të Amerikës Latine dhe kohët e fundit Irakun dhe Afganistanin. SHBA-të luajtën një rol të rëndësishëm për rënien regjimit komunist në Shqipëri dhe ardhjen në pushtet të forcave të reja demokratike, që instaluan në vend një regjim pluralist të bazuar tek ekonomia e tregut dhe respektimi i lirive dhe të të drejtave themelore të njeriut. Amerika loboi fuqishëm për pranimin e Shqipërisë në NATO. Në kujtesën historike të shqiptarëve ka mbetur roli udhëheqës i SHBA-ve për çlirimin e gjysmës së kombit shqiptar nga pushtuesit serbë në pranverë të vitit 1999, ku pas 78 ditë sulmesh ajrore ushtria serbe u detyrua të largohej e poshtëruar nga Kosova. SHBA-të bënë të mundur përgatitjen dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës si dhe gjetjen brenda parimeve të të drejtës ndërkombëtare të kësaj pavarësie. Ky libër na mëson atë që shpreh thoshte ish-presidenti Xh.W. Bush: “Të gjithë ata që jetojnë në tirani dhe në gjendje të pashpresë duhet ta dinë një gjë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shpërfillin shtypjen, as nuk do ti falin shtypësit tuaj. Sa herë të ngriheni për liri, ne na keni në anën tuaj. Reformatorët e demokracisë, që përballen me shtypjen, burgosjen ose dëbimin, duhet ta dinë një gjë: Amerika ju sheh ashtu siç jeni, prijësit e ardhshëm të vendeve tuaja të lira. Sundimtarët e regjimeve të paligjshme duhet ta dinë se ne ende besojmë në atë që ka thënë Abraham Linkolni : Ata që u mohojnë lirinë të tjerëve, nuk e meritojnë atë për vete dhe sa të sundojë drejtësia e Perëndisë nuk mund ta mbajnë atë gjatë”.Udhëheqësit e qeverive me shprehi të ngulitura kontrollimi kanë nevojë të dinë një gjë: që tu shërbeni popujve tuaj, duhet të mësoni tu besoni atyre. Niseni këtë udhëtim drejt përparimit dhe drejtësisë dhe Amerika do tju mbështesë.”

Ky është teksti i parë i historisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në gjuhën shqipe dhe ka për qellim ti drejtohet një audience të gjerë lexuesish. Botimi i tij përveçse një mirënjohje për këtë vend mik të shqiptarëve, është edhe një ndihmesë direkte për mijëra nxënës, studentë, gazetarë, studiues, politikanë, akademikë dhe qytetarë të interesuar për të mësuar më shumë rreth historisë së këtij vendi, udhëheqës i lirisë dhe demokracisë në botë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›