E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, përshkallëzohet lëvizja anti-Rama

Përshkallëzohet lëvizja anti-Rama në Partinë Socialiste. Pas humbjes së PS-së në zgjedhjet e 28-qershorit, një grup anëtarësh të forumeve drejtuese të kësaj partie dhe deputetë të saj, kanë kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës nga kreu i kësaj partie. Në këtë grup, shquhen emrat e Ben Blushit, Arben Malajt, Kastriot Islamit, Andis Harasanit, Marko Bellos, etj.
Edi Rama ka refuzuar të japë dorëheqjen, për shkak të asaj që ai e quan manipulim të zgjedhjeve nga PD dhe Kryeministri Berisha dhe ka kushtëzuar rikthimin e deputetëve nga PS në parlament, me 8 kushte.
Për këtë, ditën e premte, 11 shtator 2009, ora 18:00 në sallën e Akademisë së Arteve deputetët kritikë të Edi Ramës, Ben Blushi dhe Arben Malaj do të organizojnë një takim me socialistët e thjeshtë të bazës. Disa nga çështjet që pritet të trajtohen janë reformimi i PS, ndryshimet statutore të kësaj partie, bashkimi i të majtës dhe qëndrimi kundër bojkotit të Parlamentit nga ana e PS.
Në të njëjtën orë, Edi Rama dhe Maqo Lakrori, dy kandidatët zyrtarë për kreun e PS, do jenë në një ballafaqim me socialistët e Durrësit. Kongresi i Jashtëzakonshëm i PS që u mbajt në 29 gusht 2009, vendosi që në datën 26 shtator, socialistët të zgjedhin Kryetarin e ri të PS, sipas parimit "një anëtar, një votë".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›