E Diel, 1 Nëntor 2026

PS po përdor politikisht çështjen e Fierit, ka vetëm një vendim të Gjykatës së Lartë dhe ai i ka dhënë të drejtë PD-së

10-11-2012 / Gazeta 55

Flet drejtori i kabinetit të Kryeministrit, Oerd Bylykbashi

Drejtori i kabinetit të kryeministrit, Oerd Bylykbashi, tha se situata po përdoret politikisht dhe se realisht në terren është dhënë prej kohësh një zgjidhje ligjore që respekton në çdo rast vendimet e gjykatave. Bëhet fjalë për të paktën 13 procese gjyqësore, prej shkallës së parë në atë të lartë.
 Bylykbashi thotë se, “Këshilli i Qarkut të Fierit pasqyron realitetin e ri të krijuar me ndryshimin e balancave në disa Këshilla të bashkive dhe komunave që përfaqësohen me anëtarë në Këshillin e Qarkut Fier. Kjo ka ndodhur në Qarkun e Fierit. Në disa prej komunave dhe bashkive kanë ndryshuar mazhorancat dhe këto mazhoranca të reja kanë vendosur të rimandatojnë përfaqësuesit sepse ata që ishin në këshillin e qarkut nuk përfaqësonin vullnetin e këtyre mazhorancave. Kjo mund të ndodhë në çdo moment”, u shpreh Bylykbashi. Sipas tij, mocionet e besimit si procedurë ligjore, u zbatuan pikërisht në momentet kur këto ekuilibra ndryshuan në të paktën tetë këshilla komunash e bashkish. Në shtatë, Partia Demokratike doli forcë në mazhorancë. Në komunën Bubullinë, Partia Socialiste zbatoi mocionin e besimit, duke ndërruar përfaqësimin në këshillin e Qarkut Fier pikërisht se fitoi në një moment të caktuar mazhorancën në Këshillin e Komunës. Partia Demokratike nuk e çoi këtë rast në gjykatë, sepse e konsideroi procedurë ligjore të cilën e zbatoi në shtatë njësi të tjera të qeverisë vendore. “Kjo është një e vërtetë e fortë, por që PS-së nuk i leverdis ta thotë sepse do të tregonte menjëherë qëndrimin e saj të gënjeshtërt dhe mashtrues. Vetë Partia Socialiste në Komunën e Bubullimës, ndryshoi mazhorancën në këshillin e komunës. Ka votëbesuar përfaqësuesit e zgjedhur nga mazhoranca e djathtë, i ka shkarkuar ata dhe ka emëruar një përfaqësi të re. Gjë që Partia Demokratike nuk e ka kontestuar dhe mbetet në fuqi”, shpjegoi Bylykbashi.

Sipas tij, selia rozë qëllimisht po dezinformon publikun në atë çfarë kanë konkluduar gjykatat me vendimet e tyre. Në asnjë rast, siç thotë ai, gjykatat nuk kanë rrëzuar praktikën e mocionit të ndjekur në këshillat e komunave dhe të bashkive pasi ligji është i qartë në këtë drejtim. “Vendimet e gjykatave, kanë shfuqizuar akte individuale dhe në asnjë rast nuk ka pasur nevojë gjykata të interpretojë ligjin, sepse ai ishte i paqartë. Jo. Ligji është i qartë si kristal. Janë marrë vendimet e gjykatave që kanë marrë formë të prerë, në shkallë të parë ose apel, janë zbatuar në këshillat përkatës të komunës apo të bashkisë dhe janë rimandatuar. Ky akt i dytë individual për rimandatim sot e kësaj dite, në të gjitha rastet është i pacenuar nga PS në gjykatë. Unë dua të qartësoj se në këtë situatë në Qarkun e Fierit ka vetëm një vendim të Gjykatës së Lartë. Dhe në atë rast i vetmi vendim sot, i dhënë nga Gjykata e Lartë, i ka dhënë të drejtë Partisë Demokratike”, shtoi Bylykbashi. Megjithëse zgjidhja është e qartë, PD ofron një formulë kompromisi që diktohet edhe prej afateve që ngushtohen drejt vendimmarrjes evropiane për statusin. PD propozon që këshillat e bashkive dhe të komunave t’i nënshtrohen formulës së mocionit, e cila të krijojë përbërjen e këshillit të Qarkut të Fierit. “Është një zgjidhje e cila përpiqet të kombinojë të drejtën ligjore që kanë këshillat, situatën e krijuar nga vendimet e gjykatave dhe një afat që është shumë i qartë, 20 nëntori. Është një zgjidhje e mirë sepse na jep të gjithë ne, zgjidhjen e një problemi absurd, lidhjen e Këshillit të Qarkut Fier me integrimin e Shqipërisë, i cili është një vendim që do t’i vlejë shqiptarëve. I marrë në 100-vjetorin e Pavarësisë së tyre, do t’i vlejë ndoshta edhe për një 100 vjetor tjetër”, theksoi Bylykbashi.

Nga ana tjetër, ai sqaroi edhe një moment që sipas tij keqpërdoret qëllimisht nga PS. Bylykbashi tha se në asnjë rast nuk kërkohet që të hiqet ndonjë mandat këshilltari komune apo bashkie, i fituar për shkak të zgjedhjeve. Mocioni do të ndryshojë, nëse ndodh, vetëm delegimin e tyre në Këshillin e Qarkut Fier. “Heqja e mandatit të një këshilltari të qarkut nuk cenon në mënyrë absolute mandatin e këshilltarit përkatës, si këshilltar i komunës apo i bashkisë. Kushtetuta edhe ligji thonë, se këta persona do të përfaqësojnë njësinë përkatëse, për sa kohë do njësia ta mbajë. Por edhe sikur ta humbasin mandatin e qarkut, ky person nuk humbet mandatin që ka si këshilltar i njësisë bazë, bashki apo komunë”, deklaroi Bylykbashi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›