E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS propozon rezolute alternative per ceshtjen came Reagon PDIU

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama prezantoi sot rezolutë alternative për çështjen çame.  Kështu, duke reaguar në një konferencë për shtyp për përplasjen në Komisionin e Ligjeve mes Dules dhe Idrizit, Rama deklaroi se kjo çështje është pjesë e programit të Rilindjes shqiptare Sipas tij, gjuha e mllefit duhet t'i qëndrojë të shkuarës, duke i dhënë fund qasjeve nacionaliste.  “Koha e nacionalizmave primitivë, ekstremistëve është kohë e shkuar. Duhet frymë bashkëjetese. Rama: Partia Socialiste propozon projektrezolutë alternative për çështjen çame, pasi ajo është çështje politike”, u shpreh Rama.

Idrizi apel partive për të miratuar rezolutën çame Pas bërjes publike të një propozimi të tillë ka ardhur dhe reagimi i PDIU-së. Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi konfirmoi se PDIU mbështet të drejtat universale dhe ato të minoriteteve. Për këtë arsye u bëri thirrje të gjitha partive për të miratuar rezolutën çame.  “U bëj thirrje të gjitha partive për të miratuar rezolutën Çame. Në ditët në vijim do të organizojmë një protestë masive kundër zvarritjes së pajustifikueshme të miratimit çështjes çame”, deklaroi Idrizi. 
Ja rezoluta e plotë e propozuar nga PS
Duke u mbështetur në parimet bazë që udhëheqin vizionin tonë për një Shqipëri Europiane në marrëdhëniet ndërkombëtare; normat e gjithëpranuara të së drejtës ndërkombëtare; të mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë ndërmjet kombeve; të respektimit të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, të fqinjësisë së mirë; bashkëpunimit rajonal, dhe solidaritetit ndërkombëtar; Duke vlerësuar se Shqipëria Europiane në marrëdhëniet ndërkombëtare ka në qendër të misionit të saj adresimin e çështjes kombëtare, mbrojtjen e interesave kombëtare, të pavarësisë, lirisë e të sovranitetit të vendit, parandalimin  e  konflikteve dhe kontributin për paqe dhe stabilitet në rajon e më gjerë; Duke e konsideruar të paçmuar mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë në proceset e integrimit euro-atlantik të Shqipërisë, marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy vendeve tona, dhe bashkëpunimin në të gjitha fushat si dy vende fqinjë dhe aleate në strukturat euro-atlantike; Duke njohur rëndësinë e konsolidimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në funksion të adresimit të çështjeve me interes të ndërsjellë dhe krijimit të një modeli bashkëpunimi edhe për vendet e tjera të rajonit; Duke e konsideruar çështjen çame si një çështje të patrajtuar në kuadër të çështjes shqiptare në Ballkan; Duke u mbështetur në frymën e Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë; Ne, përfaqësuesit e popullit në Kuvendin e Shqipërisë, e konsiderojmë çështjen çame, një çështje politike, e cila duhet adresuar në përputhje me normat e gjithëpranuara të së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Për këtë, i kërkojmë Këshillit të Ministrave ta përfshijë si çështje politike në marrëdhëniet diplomatike dypalëshe me Greqinë dhe të raportojë dy here ne vit pranë Kuvendit të Shqipërisë, për ecurinë e kësaj çështje.

Reagimi i Lëvizjes Çame
Lëvizja Çame reagoi menjëherë pas propozimit të Partisë Socialiste lidhur me  Çështjen Çame. Sipas kësaj lëvizje ka ardhur koha që politika shqiptare duhet të krijoj së pari një konsensus të gjerë për mënyrën e trajtimit të kësaj Çështjeje përtej përfitimeve politike, duke u fokusuar gjithmonë në Çështjen Kombëtare Shqiptare dhe vënien në vend të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut të mohuara këtij komuniteti. “Lëvizja Çame shprehet e gatshme të organizojë takime të komunitetit Çam me Partinë Socialiste për të diskutuar mënyrën për aprovimin e Rezolutës për Çështjen Çame dhe gjithashtu të diskutojnë për ndihmën që ky komunitet mund të jap për zbatimin e programit të PS për Çështjen Çame”, thuhet në deklaratën për shtyp të kësaj lëvizje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›