E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festa e PD, administrata merr pjesë me urdhër

TIRANË - Më shumë se festë, manifestimi i djeshëm i organizuar nga qeveria me rastin e 1 majit ka qenë një përmbushje detyre për pjesëtarët e administratës publike. Qindra pjesëmarrës në "festën" e djeshme të qeverisë kryesisht nga administrata janë sjellë të detyruar nga eprorët në
Tiranë nën presionin e firmave. Korrespondentët e "Shekullit" në rrethe raportojnë në lidhje me mënyrën se si janë sjellë në Tiranë punonjës të sektorit të shëndetësisë, si infermierë, mjekë, ndihmës mjekë, sanitare, etj., por edhe arsimtarë. Urdhri për pjesëmarrje në mitingun e datës 1 maj
fillimisht ka dalë nga Drejtoritë Rajonale të Arsimit apo Shëndetësisë. Për sa i përket kësaj të fundit, urdhri për dërgimin e vartësve në protestë i është dhënë shefave të pavijoneve apo drejtuesve të Qendrave Shëndetësore kur bëhet fjalë për Komunat. Këta të fundit ia kanë transmetuar thirrjen
që i bënte qeveria vartësve të tyre bashkë me paralajmërimin se pjesëmarrja do të bëhej me listë. Dërgimi në Tiranë është kryer me autobusë apo furgona të organizuar. Pjesëmarrësit duhet të firmosnin përbri emrit të tyre në momentin e nisjes dhe përsëri kur të ktheheshin në mënyrë
që organizatorët të siguroheshin që ata kishin marrë pjesë në miting. Për sa i përket atyre që kishin deklaruar se do të vinin me automjetin e tyre u janë marrë targat, të cilat, sipas urdhrit, do të verifikoheshin. Thuajse e njëjta praktikë është ndjekur edhe me arsimtarët, të cilët janë ftuar prej drejtorëve të shkollave për të marrë pjesë në festë shoqëruar edhe me paralajmërimin se prezenca ishte me listë.

Sipas korrespondentëve, gjatë të ditës së djeshme, nga Elbasani janë nisur në mënyrë të organizuar rreth 20 autobusë dhe dhjetëra furgonë që transportonin pjesëmarrësit në miting. Për sa i përket atyre që kanë deklaruar se do të udhëtojnë me automjetin e tyre është ofruar karburant falas. Për shkak të afërsisë më Tiranën mësohet se nga Durrësi nuk ka pasur nisje të organizuar, por shumica e tyre janë nisur edhe me tren. Për sa i përket Vlorës, nga qyteti bregdetar ditën e djeshme janë nisur mbi 40 autobusë dhe 30 furgonë me militantë dhe punonjës të administratës publike. Madje, nga Vlora janë nisur edhe nxënës të shkollave të mesme "Ali Demi" dhe "Halim Xhelo" të organizuar nga Drejtorët e Shkollave dhe mësuesit kujdestar. Nga qarku i Shkodrës janë nisur plot 8 autobusë, ndërsa nga Qarku i Fierit mbi 10 të tillë. Një mësymje në mënyrë të organizuar ka pasur edhe Gjirokastra, ku që me natë, punonjës të administratës janë nisur për në Tiranë. Dërgimi nëpërmjet presionit i administratës publike në mitingjet e qeverisë është kthyer
në makth për këta të fundit, të cilët në rast mospjesëmarrje paralajmërohen me humbjen e vendit e punës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›