PS proteston me grev urie, PD feston me koncert

Kryetari socialist Edi Rama deklaroi se bashkë me protestuesit nga e gjithë Shqipëria, opozita nuk do të tërhiqet nga qëndrimi i saj për të vendosur lirinë e zgjedhjeve dhe të drejtën e transparencës në themelin e bashkëjetesës demokratike në Shqipëri.
Duke iu kërkuar qytetarëve që të vijojnë protestat e tyre në cdo qytet të vendit, Rama theksoi rikthimin së shpejti në bulevardin 'Dëshmorët e Kombi', më të shumtë në numër, përballë një qeverie që nuk pranon të dëgjojë zërin ndryshe.
Duke folur për manifestimin e mazhorancës në sheshin "Nënë Tereza", Rama e cilësoi atë si shprehjen e mendësisë së vjetër komuniste, ndërsa theksoi se shumë njerëz të thjeshtë janë sjellë me detyrim, me kërcënimin e humbjes së vendit të punës.
"Ky koncërt është fasada më e shëmtuar dhe më e turpshme e një Shqipërie që lëngon ekonomikisht, e zhytur në borxhe dhe drejt rrënimit të plotë financiar", u shpreh Rama.
Kreu socialist e vlerësoi grevën e urisë, si akt sakrifice për një kauzë të drejtë.
Mazhoranca, në festë
Ndersa disa dhjetra metra me larg per gati 90 minuta u zhvillua nje koncert festiv per Shqiperine ne Europe dhe reformat, disi i sforcuar, nga mazhoranca.
Kryeministri Sali Berisha shfrytëzoi manifestimin, për të falenderuar shqiptarët dhe për t'i vlerësuar ata për kontributin e dhënë për progresin e vendit."Shqipëria sot është Shqipëria anëtare e NATO-s, e vendimeve historike, e celjes së portave për lëvizjen e lirë dhe integrimit të vendit", u shpreh Berisha, para simpatizantëve, mbështetësve dhe qytetarëve të thjeshtë të pranishëm në sheshin 'Nënë Tereza'.
Kryeministri theksoi se të gjithë janë të pranishëm në shesh për të nderuar njëri-tjetrin dhe kontributin e gjithësecilit në ndërtimin e Shqipërisë europiane.
"Sot festojmë më të sigurtë se kurrë drejt idealit tonë europian, të ardhmen tonë dhe të brezave që vijnë pas", u shpreh Berisha.