PS proteston në Durrës, mungojnë aleatëtNga Tema“Betejë për liritë dhe të drejtat e njeriut” ishte motoja e protestës së djeshme të Partisë Socialiste në Durrës. Në këtë protestë është vënë re mungesa e krerëve të partive aleate të PS. Vala e dytë
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
PS proteston në Durrës, mungojnë aleatëtNga Tema“Betejë për liritë dhe të drejtat e njeriut” ishte motoja e protestës së djeshme të Partisë Socialiste në Durrës. Në këtë protestë është vënë re mungesa e krerëve të partive aleate të PS.
Vala e dytë e protestave opozitare në kërkim të hapjes së kutive të votimit nisi dje në qytetin bregdetar për të vazhduar në qytetet kryesore të vendit deri në protestën e mbylljes më datë 21 dhjetor. Në protestën e djeshme kryetari socialist, Edi Rama, tha se opozita është e bashkuar për ta çuar deri në fund betejën. Kryetari i PS renditi një sërë akuzash për qeverinë Berisha duke iu referuar situatës ekonomike e sociale të vendit.
“Në këtë ngricë ekonomike që ka zënë peng vendin, qeveris një pushtet pa legjitimitet, që përmes parasë së zezë synon të përjetësojë sundimin e vet mbi një Shqipëri të dërrmuar nga varfëria, papunësia, injoranca, dhuna dhe korrupsioni. Pushteti agresiv që e ka kthyer qeverinë e vendit në një regjim për llogari të një familjeje, Familjes së Sali Berishës, rrethuar nga shërbëtorë dhe klientë në një oborr, ku lidhen e zgjidhen fijet e interesave ekonomike të vendit, ku shteti është i organizuar kundër lirisë dhe së drejtës së votës, kundër lirisë dhe së drejtës së konkurrencës, kundër lirisë dhe së drejtës së meritës. Pushtet që i ndan shqiptarët në tanët dhe në të armikut, që i fut njerëzit si kope nëpër autobusë e nëpër trena, për t’i mbledhur në sheshin “Skënderbej” për të treguar se tanët janë më shumë se të armikut”, - tha Rama.
“Nuk e ka fajin opozita që 26 viktimat e Gërdecit kërkojnë drejtësi. Nuk e ka fajin opozita për qindrat e milionat e eurove të popullit shqiptar që janë varrosur nën gërmadhat e tunelit të shembur në Kalimash dhe që kërkojnë drejtësi. Nuk e ka fajin opozita për qindra dhe mijëra hektarët e trojeve të tjetërsuara nga pushteti i Familjes, për të përfituar Familja në pushtet. Nuk e ka fajin opozita për minierat, lumenjtë, fushat, kodrat, ku korrupsioni ka shtrirë kthetrat e veta përmes koncesionesh klienteliste, për të shfrytëzuar barbarisht mjedisin tonë, ashtu si edhe këtu në Durrës, duke shitur të ardhmen e të gjithëve për përfitime të disa njerëzve.”
Protesta
Në protestën e djeshme të opozitës, kryetari i bashkisë së këtij qyteti, u shpreh se qeveria ka zvogëluar buxhetin për qytetin e Durrësit që nga 1 janari i vitit të ardhshëm, dhe këtë qytetarët nuk mund ta durojnë, pasi kjo i prek drejtpërdrejt ata.
Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, tha dje se protesta është e ligjshme, pasi populli nuk lejon dot më padrejtësitë dhe koston e papërballueshme të jetesës. “Protesta ka lindur nga qytetaria, ne jemi shumica, se kështu voton populli, ne nuk kemi frikë nga ky ballafaqim, e drejta është me ne, ata që kanë frikë nga ballafaqimi, qeverisin me votat e pakicës, populli nuk lejon më padrejtësi, nuk duron dot më koston e papërballueshme. Nga data 1 janar si rrjedhim Bashkia e Durrësit do të ketë 30% më pak të ardhura në buxhetin e saj, kjo do të thotë më pak kënde lojërash, më pak kopshte e shkolla, me pak apartamente, më pak parqe publike, 250 persona rrezikojnë të humbin vendin e punës nga politika e mbrapshtë e kësaj qeverisjeje”, - tha dje Dako. Deputeti socialist, Blendi Klosi, përsëriti gjithashtu akuzat ndaj kryeministrit Berisha dhe mazhorancës demokrate, duke theksuar se qeveria Berisha e ka humbur të drejtën të drejtojë vendin, dhe se duhet të hapë kutitë ose të largohet. Klosi tha se është e pafalshme “që interesat e qytetarëve të këtij qyteti të helmohen nga interesat e qeverisë dhe të Familjes, sepse kjo qeveri dhe Sali Berisha nuk dëgjojnë interesat e qytetarëve, por të Fazlliçit”.
Ndërsa Edison Konomi, kryetar i PS, dega Durrës, tha se qytetarëve po iu mohohet e drejta për të jetuar në standarde minimale.
“Qytetarët do paguajnë faturë më të shtrenjtë energjie nga fillimi i vitit që vjen, biznesi i Durrësit dhe gjithë Shqipërisë po cenohet nga ligjet e mbrapshta të kësaj qeverie. Fatura më e shtrenjtë që do paguhet në 2010, do paguhet nga gjithë shqiptarët.”
Në protestën e djeshme kanë folur edhe deputetë të tjerë të PS dhe zyrtarë të kësaj partie për Durrësin. Protesta e sotshme e opozitës do të zhvillohet në qytetin e Beratit.
Rama: Kriza sociale ka kapluar vendin
“Fatura mujore e familjes shqiptare do të rritet në janar me çmimin e ri të energjisë, si fillim ky çmim bën zero rritjen e rrogave dhe pensioneve të këtij viti. I papërballueshëm! Bizneset e vogla familjare kanosen nga 1 janari me TVSH dhe tatim-fitimi, falimentim i sigurt për shumicën, rritje e pashmangshme çmimesh në dyqanet që do mbijetojnë. Punësimi zero, papunësia dhe varfëria do të vazhdojnë të rriten dorë për dore. Të papërballueshme vizitat në spitale, për 800 mijë shqiptarë të pasiguruar, të cilët prej dy muajsh duhet të paguajnë cash 4-5 herë më shumë. Të papërballueshme edhe kostot e arsimimit të fëmijëve për familjet e varfra. 30 mijë familje të reja hyjnë në skemën e ndihmës ekonomike. Por, ndihma ekonomike ka filluar të pritet arbitrarisht, fillimisht duke mos u dhënë asgjë prej muajsh invalidëve në shumë zona të vendit edhe këtu në Durrës, prej muajsh nuk paguhen as mësuesit me kontratë, skllevërit e dispozicionit në arsim, të cilët, nga frika se humbin edhe shpresën e vetme për t’u punësuar një ditë, vazhdojnë të heshtin, ndërkohë leku i mezi mbajtur në këmbë së fundmi, do të vazhdojë të zhvlerësohet tamam si një taksë e fshehtë që shteron fuqitë blerëse të familjeve të zakonshme. Nga ana tjetër do të vazhdojë rënia e dërgesave të emigrantëve, që mbajnë prej vitesh gjallë ekonominë shqiptare, sidomos ekonominë e familjeve në fshat.”
“Duke mos hapur kutitë, Berisha ka zgjedhur të largohet”
Gjykata Kushtetuese e ka gjetur si antiligjor vendimin për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për hetimin e punës së kryebashkiakut Rama. Komisioni u ngrit gjatë fushatës elektorale për të faktuar atë që mazhoranca e quajti “skandal me lejet e ndërtimit.”
Duke folur pas vendimit të Kushtetueses, kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, tha se Berisha nuk ka të ndaluar në iniciativat e tij antikushtetuese.
“Pra, e gjithë furia e shpifjeve të nxjerra nga një palo-hetim parlamentar, me qëllim elektoral, ato që mbushën ekranet e gazetat përpara zgjedhjeve me lejet e ndërtimit të Bashkisë së Tiranës, është konsideruar nga Gjykata Kushtetuese shkelje lirish e të drejtash kushtetuese. Por, ndërkohë, Sali Berisha ka ndërmarrë një tjetër nismë antikushtetuese, madje në shkelje të plotë të një vendimi që vetë Gjykata Kushtetuese nxori pas shembjes kriminale të nënkalimit të “Zogut të Zi”, për të cilën qeveria e Sali Berishës i detyrohet sot e gjithë ditën Bashkisë së Tiranës pagesën e dëmit.
Në vend të pagesës së dëmit që na detyrohet, për shkak të cenimit të autonomisë e të ligjit, Sali Berisha ka vendosur së fundmi t’i japë vetes një bazë ligjore, përsëri antikushtetuese, për të shtrirë atë që ai paturpësisht e quan operacion “antimafie” në Tiranë, por që në fakt është një operacion mafioz i pushtetit të tij, kundër sipërmarrësve të listuar nga Sali Berisha si mafiozë, vetëm e vetëm sepse financojnë medie kritike ndaj qeverisë apo thjesht nuk financojnë oborrin e Familjes së tij”, - tha Rama.
“I kapur mat mbi kutitë e mbyllura forcërisht të 28 qershorit dhe i alarmuar nga frika e protestës popullore, e cila pa asnjë dyshim do të përshkallëzohet më tej, në pamundësi për t’iu ofruar shqiptarëve paqe, zhvillim e mirëqenie, Sali Berisha ka shpallur opozitën rrezik kombëtar dhe ka hapur një luftë antikushtetuese e antiligjore me Bashkinë e Tiranës e me bashkitë opozitare në tërësi, si simbole të opozitës e të suksesit në qeverisje, duke synuar të tërheqë vëmendjen e publikut e të dekurajojë opozitën me shpifje barbare e sulme mafioze.
E ka të kotë!
Duke mos hapur kutitë e votimit, Sali Berisha ka zgjedhur të largohet.”