E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: qeveria dështoi me premtimet

Politikat ekonomike të punësimit në Shqipëri kanë dështuar pa prodhuar asnjë rezultat konkret ne uljen e varfërisë në vend. Kështu ka deklaruar nënsekretari i programit pranë Partisë Socialiste Ervin Bushati. Përmes një deklarate për shtyp, ai akuzoi qeverinë se nuk ka aftësi për të hapur të reja vende pune sepse ka munguar një strategji e qartë për tregun e punës. “Qeveria Berisha premtoi punësim të plotë; premtoi mbi 200 mijë vende pune të reja dhe sot, më pak se gjysma e shqiptarëve është e punësuar” tha Bushati.

Më tej, ai i rikujtoi qeverisë se jo vetëm nuk i është përmbajtur kontratës me shqiptarët, por përkundrazi ka shuar tek ata cdo shpresë për uljen e papunësisë dhe reduktimin e varfërisë në vend. Shkaktarë kryesorë të kësaj situate të rënduar papunësie dhe varfërie, janë paaftësia qeverisëse dhe informaliteti madhor në ekonominë shqiptare, tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›