MASH: Më 10 nëntor nis programi Master
Tiranë (Start)-Ministria e Arsimit lajmëron se programet dhe kuotat për studimet Master të nivelit të parë në mësuesi për arsimin e mesëm në Fakultetet e Gjuhëve të Huaja, të Histori-Filologji dhe në Shkencat e Natyrës të Universitetit të Tiranës, do të nisin në 10 Nëntor. Sipas një një njoftimi nga zyra për shtyp pranë Ministrisë së Arsimit, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja për Master për gjuhën angleze do të përfitojnë 180 studentë, për atë frënge 80 studentë, për gjuhën gjermane 80 studentë dhe për gjuhën italiane për 120 studentë. Në përfundim të programeve, do të lëshohet diplomë master i nivelit të parë, "MNP", në mësuesi, për arsimin e mesëm për keto gjuhë. Gjithashtu, Fakulteti Histori-Filologji do të ketë program Master në lëndët "Gjuhë-Letërsi" për 120 studentë, "Histori" për 100 studentë dhe "Gjeografi" për 100 studentë, ku në përfundim të të cilit lëshohet diplomë master i nivelit të parë, MNP, në mësuesi, për arsimin e mesëm. Në Fakultetin e Shkencave të Natyrës programet master do të ketë për "Kimi" për 30 studentë,"Biologji" për 60 studentë, "Fizikë" për 60 studentë dhe "Matematikë" për 40 studentë, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë master i nivelit të parë, MNP, në mësuesi. Programet e studimeve Master të nivelit të parë, me kohëzgjatje 1 vit, në mësuesi për arsimin e mesëm, do të realizohen me 60 kredite.