Berisha: Zgjedhjet ishin të lira, greva ishte pa shkak

Pavarësisht ultimatumit të vendosur për zgjidhjen e krizës, kryeministri Berisha tha se nuk pati probleme në numërim
TIRANË - Pavarësisht protestave të vazhdueshme të opozitës përgjatë këtyre muajve, grevës 19-ditore të urisë për transparencën e zgjedhjeve, përfshi edhe ultimatumin e lëshuar nga faktori ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës politike, Kryeministri Sali Berisha vazhdon të tregohet indiferent ndaj kërkesave të Partisë Socialiste, duke i mëshuar qëndrimit të tij se zgjedhjet e qershorit arritën standardet e kërkuara dhe se greva e urisë së opozitës u zhvillua pa asnjë shkak.
Duke folur gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike mbi propozimin e pak ditëve më parë të Komisionit Europian për heqjen e regjimit të vizave me Shqipërinë, kreu i shumicës në pushet, theksoi se themelore në këtë proces ishin zgjedhjet e lira, ndonëse opozita ka muaj të tërë që proteston për parregullsi në procesin e numërimit, ku një fakt i tillë u vërtetua edhe në komunën Ruzhdie të qarkut të Fier.
"Vendimtare apo më themelore në këtë proces, kanë qenë zgjedhjet e 28 qershorit, në të cilat, ne u treguam vendeve anëtare të BE-së, vendeve anëtare të NATO-s, se ne kemi vullnet të hekurt, që të respektojmë vullnetin e lirë të qytetarëve shqiptarë dhe zhvilluam zgjedhje të lira dhe të ndershme, zgjedhje në të cilat nuk pati asnjë provë për manipulim të rezultatit, apo numërim të parregullt.
Nuk pati asnjë provë dhe ky është vlerësimi më absolut që mund t'i bëhet një procesi zgjedhor", - tha dje Berisha.
Duke injoruar shkakun që i detyruan të hyjnë në grevë urie për 19 ditë 22 deputetët dhe 180 mbështetësit e opozitës, numri një i ekzekutivit, vuri në dukje se asnjë shqiptar nuk e mbështeti këtë aksion politik, pasi, sipas Berishës, greva e urisë nuk bartte asnjë shkak në vetvete, pavarësisht faktit se opozita e ka artikuluar kauzën e saj, për transparencën e zgjedhjeve të qershorit. "Unë kam folur për kampingun e tij dhe nuk ndalem më te e ashtuquajtura grevë, nuk flas më për të.
Por në të gjithë atë histori, mbështetja që i dhanë qytetarët shqiptarë ishte inspiruese për ne. Nuk u mbështet, nuk mbështeti askush. Pse nuk e mbështetën? Sepse ishte "sine materia", (pa materie) nuk kishte shkak. Jo se shqiptarët janë bërë të gjithë të djathtë, apo janë bërë të gjithë të qendrës së djathtë. Jo absolutisht! Shqiptarët kanë diversitetin e tyre, kanë pluralitetin e tyre", - u shpreh ai.
Berisha specifikoi se lideri i së majtës Rama, me grevën e urisë kërkoi vetëm që të pengonte procesin e liberalizimit të vizave dhe, sipas Berishës, kjo u tregua edhe tek fakti që Rama i dërgoi letër Presidentit të Komisionit Europian, Jose Manuel Barrosos, një ditë pasi ishte dhënë propozimi pozitiv për heqjen e vizave me Shqipërinë.
Në këtë mënyrë, sipas Berishës, grevën e urisë e mbështeti vetëm diktatori i fundit në Shqipëri, Ramiz Alia.
Kreu i qeverisë la të kuptohet gjithashtu se ai nuk do të lëshojë nga qëndrimet e tij, për hetimin e zgjedhjeve parlamentare, kur nënvizoi se kreu i opozitës, Edi Rama, nuk mund të bindë shqiptarët me aksionin e tij politik për të vendosur transparencën e zgjedhjeve të kaluara.
Shalsi: Berisha të reflektojë krizën
TIRANË - Pas qëndrimit të shprehur nga Kryeministri Sali Berisha mbi grevën e urisë së opozitës, Partia Socialiste reagoi me anë të deputetit të saj, Eduard Shalsi. Sipas tij, kreu i qeverisë duhet të reflektojë për t'i dhënë zgjidhje krizës politike dhe të mos bëhet pengues i heqjes së plotë të regjimit të vizave dhe integrimit të vendit në Bashkimin Europian.
Për sa i përket grevës së urisë, Shalsi theksoi se greva 19-ditore e urisë bëri që çështja e krizës politike të shtrohej në një nivel ndërkombëtar, përfaqësuesit e të cilëve presin tashmë zgjidhje nga klasa politike shqiptare. "Sa për grevën e urisë nuk kam çfarë komenti të bëj, përveçse faktit që çështja e parashtruar nga greva është tashmë çështje e shtruar në nivelin më të lartë ndërkombëtar.
Sali Berisha bën mirë të mendojë me pakëz qetësi, të reflektojë dhe të gjejë kurajën për të mos penguar zgjidhjen e krizës, të gjejë maturinë për mos penguar procesin e vizave. Të gjejë mundësinë për të menduar me pakëz qetësi për të mos bllokuar integrimin dhe mirëqenien e shqiptarëve", - tha dje Shalsi.
Sipas deputetit të PS-së, qeveria që drejtohet nga Kryeministri Berisha ka përgjegjësinë kryesore për shtyrjen në pambarim të procesit të liberalizimit të vizave dhe duke bllokuar transparencën e zgjedhjeve, sipas Shalsit, Berisha po e vonon akoma edhe më shumë procesin e heqjes së regjimit të vizave për Shqipërinë në hapësirën Shengen.