E Diel, 1 Nëntor 2026

Fokus/Ja sa Shqipëria kontribuon në Afganistan

15-04-2012 / Gazeta 55

Për motive sigurie vizitat e krerëve të shteteve dhe qeverive në zona lufte mbahen pothuajse “sekrete”, sigurisht dhe vizita e parë e kryeministrit Berisha tek trupat e forcave speciale shqiptare në Kandahar të Afganistanit u mbajt pothuajse konfidenciale. Edhe pse agjenda e takimeve me autoriteteve afgane dhe komandantëve të ISAF është e panjohur, megjithatë, është e kuptueshme që vizita e shefit të qeverisë vjen pas ngjarjes tragjike të humbjes së kapiten Feti Voglit, pjesëtar i misionit luftarak Eagle 4, që ra në pritën e pabesë të një talebani të infiltruar në Policinë afgane, ku u plagos një tjetër efektiv i forcave speciale.
Aktualisht vendi ynë kontribuon në Afganistan me 358 ushtarakë, ndër gjashtë vendet e para për frymë, jo vetëm me forcë luftarake si misionet shqiponja, por edhe me ekipe trajnimi dhe kujdestarie të forcave të sigurisë afgane. Së bashku më oficerë amerikanë, oficerë dhe nënoficerë të Forcave të armatosura shqiptare janë të angazhuara në forcimin e kapacitete operacionale të ushtrisë dhe policisë së shtetit Afgan. Sigurisht NATO dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë kanë marrë përsipër dhe realizojnë trajnimin e Ushtrisë afgane, të Policisë së shtetit, të të gjitha strukturave. Janë llogaritur të hidhen nga vendet e interesuara bilionë dollarë për rindërtimin. Në këtë kuadër edhe Shqipëria ka marrë përsipër të kontribuojë në ndërtimin e 8 shkollave. Konkretisht, vendi ynë në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2012 do të kontribuoje me një ekip prej 10 trajnuesish shëndetësorë në Kabul, 16 trajnerë policie në Komandën rajonale veriore dhe në Janar të vitit 2013 me 10 trajnerë të FS në qendrën e trajnimit të policisë speciale afgane në Kabul.
Afërmendsh NATO është angazhuar qartazi në mbështetje të Afganistanit edhe pas vitit 2014, kur tranzicioni gradual i përgjegjësive për sigurinë e vendit të jetë kaluar plotësisht nga trupat e ISAF tek forcat afgane. Në samitin e afërt të Çikagos (20-22 maj), udhëheqësit do të japin propozime për ta bërë këtë një realitet, një shenjë e vendosmërisë së tyre për të siguruar që vendi nuk do të kthehet kurrë më në një bazë të terrorizmit global.
Koalicioni ISAF në Afganistan përballet jo në një luftë konvencionale, me dy ushtri ballë për ballë, por me një luftë simetrike, e përbërë nga beteja guerile urbane dhe rurale, si dhe pritash e vënie bombash nga kamikazët. Duke e pasur të pamundur të përballet drejtpërdrejt me fuqinë luftarake dhe teknologjike të koalicionit, talebanët dhe pjesëtarët e organizatës terroriste “Al-kaeda” përdorin taktikën që kanë përdorur me sovjetikët, pra lodhjen e kundërshtarëve dhe goditjen e befasishme. Si njohës të mirë të terrenit malor, të përshtatur me kushtet e skajshme klimaterike dhe “ndihma” me informacione dhe logjistikë nga e ana e inteligjencës së vendeve fqinjë jo demokratikë u ka mundësuar atyre mbijetesën në ditë të vështira. Edhe pa frymëzimin e kreu të organizatës terroriste Al-kaeda, Osama Bin Laden të vrarë në Pakistan, talebanët e Mullah Omar dhe muxhajdinët e klanit Hakani, po përpiqen të rezistojnë deri në fund të 2014, ku dhe është deklaruar tërheqja e pjesshme e NATO-s, nga Afganistani.
Ndërkaq aleanca veri-atlantike mbetet plotësisht e angazhuar në Afganistan, i cili mbetet përparësia kyçe e NATO-s, për të siguruar se, kurrë më, nuk do të bëhet strehë e sigurt për terrorizmin si dhe për të kontribuar për një të ardhme më të mirë për popullin afgan. Sigurisht periudha e tranzicionit demokratik është tashmë në fazën e dytë. Deri në vitin 2014,  rreth 150 000 trupa dhe 30 000 kontraktorë do të fillojnë të lënë Afganistanin. Donacionet ndërkombëtare po bien. Nga 118 miliardë dollarë që harxhohen sot për Afganistanin, 91% vijnë nga donacionet dhe vetëm 9% sigurohen nga ekonomia afgane. Ekonomia afgane, që të zhvillohet, kërkon vizion strategjik, projekte konkrete dhe vullnet politik për të arritur sukses. Këshilltarët për ekonominë po nxisin Qeverinë Afgane që të shikojë të ardhmen e ekonomisë me një vizion për përfshirje në iniciativa rajonale siç është “Iniciativa e Rrugës së Mëndafshit”. Shfrytëzimi i pasurive natyrore që janë drita e shpëtimit të ekonomisë afgane, nuk pritet të fillojë për 10 deri 15 vjet për shkak të mungesës së sigurisë dhe të infrastrukturës. Prandaj, janë sugjeruar projekte konkrete për ndërtimin e rrugëve, aktivizimin e minierave, ndërtimin e objekteve energjetike dhe lehtësimin e kushteve të eksport-importit. Investimi i huaj sapo ka filluar dhe duket se po shtohet interesi nga viti në vit.
Sakaq konferencat për Afganistanin që u zhvilluan në Stamboll dhe në Bon, përkatësisht në Nëntor dhe në Dhjetor 2011, dhanë mesazhin se komuniteti ndërkombëtar nuk do ta braktisë Afganistanin edhe pas vitit 2014, siç ndodhi pas ikjes së trupave të ish-Bashkimit Sovjetik. Korrupsioni është shqetësimi më i madh që pengon zhvillimin dhe konsolidimin e shtetit afgan. Organizata “Transparency International”, në listimin e vitit 2010, e nxjerr Afganistanin vendin e dytë më të korruptuar në botë. Samiti duhet të tregojë fuqizimin e rolit të NATO-s pas 2014 dhe të përforcojë mendimin tek publiku për angazhimin afatgjatë të Aleancës në Afganistan. Samiti duhet të vërë në dukje suksesin e tranzicionit dhe të riafirmojë përfundimin e tranzicionit deri në fund të vitit 2014.
Sidoqoftë kryetarët e qeverive të Aleancës duhet të miratojnë Planin Strategjik të NATO-s për Afganistanin dhe të shpallin një paketë asistence nën Partneritetin ekzistues. Samiti I Çikagos duhet të paraqesë një përfundim konkret të vendimeve mbi partneritetin e NATO-s, të marra në Lisbonë. Afganistani është sukses përsa i përket kohezionit të Aleancës. Samiti i Çikagos (20-22 maj) do të kërkojë që vendet kontribuuese me trupa në ISAF, OKB, BE, Rusi si edhe fqinjët e rëndësishëm të tillë si Kina dhe India, të vazhdojnë të qëndrojnë në Afganistan edhe pas periudhës së tranzicionit.
Lavdrim Lita

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›