E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS te vazhdoje bashkepunimin konstruktiv per reformat

Komisioneri për zgjerimin dhe Politikës Evropiane të Fqinjësisë, Stefan Fyle në takimin që ka patur me liderin e opozitës, Edi Rama i ka kërkuar këtij të fundit që Partia Socialiste të vazhdojë bashkëpunimin konstruktiv për reformat që janë të nevojshme lidhur me objektivin kombëtar të integrimit europian të Shqipërisë. Lideri i opozitës Edi Rama, ka thënë pas takimit, se populli shqiptar e meriton statusin e kandidatit, por jo qeveria. Ndaj, sipas tij, opozita do të vazhdojë të bëjë avokatin e popullit. Në takimin me liderin e opozitës, komisioneri Stefan Fyle ka përgëzuar qeverinë dhe opozitën për forcimin e bashkëpunimit në kontekstin e reformës institucionale, që ka bërë të mundur një numër zhvillimesh pozitive muajt e fundit. Hapi i fundit i përshëndetur nga Komisioneri Fyle në këtë kuadër është aprovimi i ligjit të kufizimit të imuniteteve.
“Shqipëria ka një perspektivë reale për përparim në rrugën e saj evropiane, nëse vendi siguron qëndrueshmërinë e dialogut politik dhe shënon një masë kritike të rezultateve konkrete në përmbushjen e 12 prioriteteve kyçe të Opinionit të Komisionit Europian për Shipërinë”, tha ai.
Veçanërisht komisioneri Fyle është ndalur tek nevoja e progresit konkrete në kuadrin e shtetit ligjor, duke theksuar se “Shqipëria duhet të intensifikojë përpjekjet për reformën në drejtësi dhe administratë publike”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›