Studimi i agjencise Bloomberg mbi depozitat bankare

Nga një studim i agjencisë së lajmeve "Bloomberg" rezulton se nga vendet periferike të eurozonës që janë përballur me problemet financiare dhe ekonomike, të ashtuquajturat PIGS vihet re një përshpejtim i depozitave bankare, një fakt ky I cili rrezikon rimëkëmbjen e rritjes ekonomike në të gjithë Eurozonën. Sipas të dhënave të përpunuara nga Bloomberg një total prej 326 miliardë eurosh janë tërhequr nga bankat e Spanjës, Portugalisë, Irlandës dhe Greqisë deri në fund të korrikut të këtij viti. Largimi i depozitave nga të katër vendet përkon me një rritje prej rreth 300 miliardë euro nga huadhënësit e shtatë shteteve që konsiderohen si bërthama e eurozonës, me Gjermaninë dhe Francën që kanë dhënë hua përafërsisht këtë shumë. Kjo po çon në një fragmentizim të kreditimit vetëm në qendër, duke bllokuar rimëkëmbjen ekonomike në gjithë eurozonën dhe duke zhvlerësuar politikat e Bankës Qendrore Europiane në vitin e tretë të krizës së borxheve kombëtare.
“Largimi i kapitalit po çon në dizintegrimin e eurozonës dhe shtimin e divergjencave midis periferisë dhe qendrës,” tha Alberto Gallo, kreu i departamentit të kërkimeve në Royal Bank of Scotland Group Plc. “Kompanitë paguajnë 1 deri në 2 pikë përqindjeje më shumë për të marrë hua në periferi. Nuk mund të presësh të rifillojë rritja me divergjenca të tilla”, shtoi ai.
Erozioni i depozitave po detyron bankat në këto shtete që të paguajnë më shumë për t’i mbajtur ato – deri në 5% në Greqi. Kostot më të larta të fondeve janë reflektuar në normat e huadhënies te kompanitë dhe konsumatorët. Norma mesatare për huatë e reja për koorporatat jo financiare në korrik ishte mbi 7% në Greqi, 6.5% në Spanjë dhe 6.2% në Itali, sipas të dhënave nga ECB, ndërkohë që rezultoi 4% në Gjermani, Francë dhe Holandë.